Home Opinione Thanas Mustaqi: A do firmosë Shqipëria kundër ‘trafikantëve kosovarë’?

Thanas Mustaqi: A do firmosë Shqipëria kundër ‘trafikantëve kosovarë’?

1605
0

Nesër në Tiranë do të nënshkruhet një marrëveshje për zhvillimin e kontakteve profesionale dhe shkëmbimin e informacionit mes shërbimeve të specializuara ruse dhe shqiptare kundër drogës afgane. Për këtë qëllim mbërrin në Tiranë presidenti i Komitetit Shtetëror ndërdikasterial të Kundërdrogës (inicialet rusisht: GAK) njëkohësisht dhe drejtori i Shërbimit Federal të Kontrollit të Qarkullimit të Narkotikëve i Federatës Ruse (inicialet rusisht: FSKN), Viktor Ivanov, bëri të ditur e përjavshmja “Investigim”, që u referohej medieve ruse (INTERFAKS, Prajm TASS etj. Turi ballkanik Viktor Ivanovit, shefit të “DEA-s” ruse (Shërbimi Federal i Kontrollit të Qarkullimit të Narkotikëve i Federatës Ruse – FSKN) në Serbi, Shqipëri dhe Maqedoni, në datat 22-27 gusht 2011, në tre vendet e “Rrugës ballkanike” të drogës afgane, do të shoqërohet me nënshkrimin e marrëveshjeve dypalëshe.

Njoftimi për shtyp i Shërbimit Federal të Kontrollit të Qarkullimit të Narkotikëve i Federatës Ruse bën të ditur se gjatë turit është planifikuar të diskutohet një rreth i gjerë çështjesh me rëndësi si operative ashtu dhe strategjike të përgjithshme. Ish-funksionari i lartë i KGB-së dhe i FSB-së, Viktor Ivanov, i cili ka qenë i komanduar me shërbim në Afganistan në vitet 1987-1988, në këto vizita, “në mënyrë të veçantë, palët do të diskutojnë drejtimet prioritare të luftës kundër narkotrafikut afgan në Evropë nëpër itinerarin ballkanik”, thuhet në njoftimin zyrtar të Moskës.

Njoftimi bën të ditur se më 22-24 gusht në Beograd, më 25 gusht në Shkup, më 26 gusht në Tiranë “janë planifikuar takime të Viktor Ivanovit me liderët e republikave dhe drejtues të organeve kompetente të shteteve ballkanike për çështje të bashkëpunimit të ndërsjelltë kundër drogës”. Gjithsesi, njoftimi nuk saktëson funksionet e liderëve (rukovoditel) si Kryeministër, President Republike, ministra, shefa të shërbimeve sekrete apo të antidrogës së tre vendeve ballkanike.

Shkëmbimi i informacionit

Por më poshtë në komunikatën për mediet, Moska thotë se “në fund të takimeve është planifikuar nënshkrimi i marrëveshjeve dypalëshe mes FSKN-së (Shërbimit Federal të Kontrollit të Qarkullimit të Narkotikëve i Federatës Ruse, që nuk është ministri!) me ministritë e punëve të brendshme të Serbisë, Maqedonisë dhe Shqipërisë mbi bashkëpunimin në luftën kundër qarkullimit të paligjshëm mjeteve narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve të tyre. Këto marrëveshje mundësojnë koordinimin e përpjekjeve të institucioneve të ruajtjes së rendit të vendeve ballkanike dhe FSKN-së së Rusisë, si dhe zhvillimin e kontakteve profesionale dhe shkëmbimin e informacionit”.

Por duhet vënë në dukje se shkëmbimi i informacionit oprativ dhe strategjik mes një vendi të NATO-s si Shqipëria dhe një vendi joanëtar si Rusia, kërkon OK-in e Brukselit. Tjetër punë është për Maqedoninë dhe Serbinë. Është e njohur zhurma që është bërë para një viti kur u publikua në shtypin shqiptar deklarata e ambasadorit shqiptar në Moskë Sokol Gjoka për shkëmbimin e informacionit mes dy vendeve. Vetë zyra përkatëse në NATO ka kërkuar llogari pranë autoriteteve shqiptare.

80 % e drogës afgane në evropë nëpër “rrugën ballkanike”. Ndërkaq në fund të komunikatës ka dhe një shifër interesante, që nuk është konfirmuar nga drejtoria përkatëse e Antidrogës e OKB-së. Citojmë: “Nevoja e aktivizimit të bashkëpunimit dypalësh me organet kompetente të evdeve të rajonit ballkanik lidhet me kërcënimin në rritje të drogës, që e ka burimin në Afganistan. Një nga narkotrafikët, nëpërmjet të cilit në vendet e Evropës hyn 80 për qind e drogave, është itinerari ballkanik.

Zhvillimi i mëtejshëm i bashkëpunimit të FSKN-së së Rusisë me organet kompetente të vendeve ballkanike mundëson një kundërvenie më efektive ndaj rrezikut nga droga, që vjen nga Afganistani”, përfundon njoftimi zyrtar i Kremlinit.

Luftë kundër drogës apo kundër Kosovës?

Sulmon pavarësinë e Kosovës dhe NATO-n në emër të luftës kundër drogës dhe kërkon përfshirjen e Shqipërisë, nën udhëheqjen e Rusisë dhe Serbisë, në një “kuintet” antidrogë kundër Kosovës, për më tepër do të nënshkruajë marrëveshje për shkëmbim informatash me Shqipërinë, anëtare të NATO-s. Deri këtu shkon cinizmi i gjenerali-kolonelit të KGB-së dhe njeriut të Putinit, njeriut më të fuqishëm, i treti në listë, i Kremlinit, Viktor Ivanov, tre ditë para mbërritjes në Tiranë.

Sikurse njofton sajti zyrtar i Antidrogës Ruse (shih http://fskn.gov.ru/includes/periodics/speeches_fskn/2011/0823/060914228/detail.shtml;), më 23 gusht 2011, presidenti i Komitetit Shtetëror të Antidrogës, njëkohësisht drejtori i Shërbimit Federal të Kontrollit të Qarkullimit të Narkotikëve i Federatës Ruse (FSKN) të Rusisë Viktor Ivanov mbajti një referat në Beograd në akademinë kriminalistike-policore të Serbisë, në turin e tij 6-ditor ballkanik. Ky sajt boton të plotë dhe referatin. Mediet proqeveritare ruse i kanë bërë jehonë këtij raporti duke cituar në tituj se “kosovarët janë bërë forcë kriminale dominuese tashmë e të gjithë Evropës”.

Deklarata skandaloze

Ndër të tjera Ivanovi tha se “globalizimi i narko-kriminalitetit dhe lindja e narko-flukseve globale , që fshijnë gjithçka në rrugën e vet, për fat të keq, është një gjë e zakonshme dhe për vendet e gadishullit ballkanik”. Por gjenerali i FSB-së Viktor Ivanov gjen rastin të nxjerrë “veshët” antishqiptarë para policëve serbë dhe të deklarojë: “Mjaft të tregohet se rajoni gjeografik i Kosovës (shihni termin: “rajoni gjeografik i Kosovës”) si rezultat e ngjarjeve të njohura është shndërruar në narko-klaster (“cluster” anglisht: grup, tufë, bashkim) të Evropës, në epiqendër, në të cilën, nga njëra anë kryqëzohen dy narko-flukse globale – fluksi i kokainës nëpërmjet Afrikës dhe i fluksi i heroinës nëpërmjet Turqisë – dhe nga ana tjetër, kryhet transportimi në vendet e Bashkimit Evropian”. Pasi jep disa shifra dhe të dhëna të njohura, njeriu i fortë i Kremlinit Viktor Ivanov lëshon deklaratën skandaloze se “kosovarët aktualisht janë bërë forcë kriminale dominuese tashmë jo vetëm e Mesdheut dhe gjithë Evropës Juglindore, por praktikisht e të gjithë Evropës”. Shefi i Antidrogës ruse thumbon dhe BE-në kur u thotë serbëve se “pavarësisht financimit serioz të programeve donatore për forcat policore kosovare, komuniteti evropian deri tani nuk ka qenë në gjendje as dhe të përmirësojë njëfarsoj situatën me narko-trafikun nëpërmjet Kosovës. Për më tepër, për të gjithë është evidente tendenca e forcimit të rolit të grupeve kriminale kosovare-shqiptare në Evropën Perëndimore”.

Politizimi

Ndërkaq, “Borman-i rus”, “Borman-i i Kremlinit” (një nga nofkat që i kanë vënë rusët Viktor Ivanovit, duke e krahasuar me kriminelin e famshëm nazist Martin Bormann, 1900-1945, sekretar personal i fyhrerit, që në fund të luftës u bë njeriu më i fuqishëm i Rajhut të Tretë pas Hitlerit), politizon luftën kundër drogës me krijimin e shtetit të Kosovës, duke bërë fajtore NATO-n se “enklava kosovare, që i lindi si rezultat i veprimeve ushtarake të NATO-s në Ballkan në vitin 1999, u shndërruar me shpejtësi në një një hab (“hub”, anglisht: këtu në kuptimin “qendër”) drogash në Evropë, direkt me anë të korridoreve portuale me prodhuesin global të opiateve në Azinë Qendrore-Afganistanin”. Absurdi i politizimit shkon deri atje sa kreu i Antidrogës ruse të thotë një banalitet politik të tillë se “është njëfarë shenje ogurzezë që pikërisht Afganistani, në territorin e të cilit lindi fenomeni planetar i prodhimit të heroinës, ishte shteti i parë, i cili njohu zyrtarisht pavarësinë e Kosovës”. Në këtë rast, Kremlini bën dhe gafë diplomatike duke akuzuar lidershipin shtetëror afgan si të lidhur me drogën. Dhe këtë e thotë një ish-ushtarak dhe kuadër i lartë i KGB-së që ka luftuar kundër popullit afgan. Por njeriu i fortë i Putinit nuk ngurron të thotë se “tensioni gjeopolitik në qendër të Evropës, i krijuar nga forca politike të papërgjegjshme, çoi në një rritje shpërthyese të tranzitit”.

“Kuinteti”

Dhe pasi lëshon anatemat kundër Perëndimit, Kosovës dhe BE-së, Ivanovi shpalos planin e Moskës: “Dy vitet e fundit Rusia po formon qëllimisht një koalicion global antidrogë” dhe se “prioritar me këtë rast është bashkëpunimi i dobishëm me BE-në, si dhe me Këshillin e Evropës, OSBE-në. Kjo gjë përcaktohet nga fakti se Evropa dhe Federata Ruse janë viktimat kryesore të narko-trafikut afgan”. Para policëve serbë kreu i Antidrogës ruse zbulon synimin se, në emër të luftës kundër kërcënimit nga narkotrafikantët kosovarë “është i përligjur konsolidimi i përpjekjeve të Rusisë dhe shteteve kufitare me enklavën kosovare për krijimin e një pesësheje antidrogë ballkanike sui generis ose i një kuinteti antidrogë ballkanik. Detyra kryesore e një kuinteti është krasitja e narko-klasterit kosovar. Kjo pesëshe jozyrtare mund të ishte një instrument bashkëpunimi sistematik dhe të përligjur të pesë vendeve tona për likuidimin e narko-fenomenit kosovar. Rolin e Serbisë në këtë rast është e vështirë të mos e vlerësosh – ajo mund të jetë këtu si lidere për bashkimin e përpjekjeve antidrogë të Rusisë dhe vendeve ballkanike”. Cilat shtete përbëjnë “pesëshen” apo “kuintetin” e Ivanovit? Në veri dhe në lindje të Kosovës është Serbia, në juglindje është Maqedonia, në jugperëndim është Shqipëria dhe në perëndim është Mali i Zi. Shteti i pestë është Ferderata Ruse, që nuk është shtet kufitar me Kosovën! Kuptohet se Moska, në emër të luftës kundër kriminalitetit global, synon të ushtrojë ndikim në Ballkan dhe t’i dalë në mbrojtje Serbisë. Jo vetëm kaq. Rolin e “qehajait” të Moskës ta luajë Serbia, që mund të ëndërrojë të kthejë një pjesë të ish-Jugosllavisë (Serbi, Mali i Zi, Maqedoni, Kosovë), duke i shtuar dhe Shqipërinë.

A do të nënshkruajë Tirana?

Me sa u citua më lart nga komunikata zyrtare e Kremlinit, janë planifikuar takime të Viktor Ivanovit me liderët e republikave dhe drejtues të organeve kompetente të shteteve ballkanike të Serbisë, Maqedonisë dhe Shqipërisë për çështje të bashkëpunimit të ndërsjelltë kundër drogës. Në fund të takimeve është planifikuar nënshkrimi i marrëveshjeve dypalëshe mes FSKN-së me ministritë e punëve të brendshme të Serbisë, Maqedonisë dhe Shqipërisë mbi bashkëpunimin në luftën kundër qarkullimit të paligjshëm të drogave, substancave psikotrope dhe prekursorëve të tyre. Këto marrëveshje mundësojnë koordinimin e përpjekjeve të institucioneve të ruajtjes së rendit të vendeve ballkanike dhe FSKN-së së Rusisë, si dhe zhvillimin e kontakteve profesionale dhe shkëmbimin e informacionit. Nuk dihet nëse Tirana më 26 gusht do të nënshkruajë marrëveshje për shkëmbim inforacionesh sekrete me FSKN-në që ka në varësi dhe shërbimet sekrete të Federatës Ruse.

Viktor Ivanov, njeriu më i besuar i Kremlinit

Drejtori i Shërbimit Federal të Kontrollit të Qarkullimit të Narkotikëve i Federatës Ruse (inicialet rusisht: FSKN), Viktor Petroviç Ivanov ka lindur më 12 maj 1950 në qytetin e Novgorodit. Pas përfundimit të Institutit elektroeknik të ndërlidhjes “M.A. Bonç-Brujeviç” të Leningradit shërbeu në ushtrinë sovjetike, pastaj punoi si inxhinier në shoqërinë inxhinerike shkencore-prodhuese “Vektor” në Leningrad.

Në moshën 27-vjeçare, nga viti 1977, hyn në organet e sigurimit të shtetit, duke filluar nga detyra e të plotfuqishmit operativ të sektorit rajonal të Drejtorisë së KGB-së të BRSS për distriktin e Lenigradit deri në postin e zëvendës drejtorit të FSB-së (Shërbimi Federal i Sigurimit), që zëvendësoi KGB-në (Komiteti i Sigurimit të Shtetit) sovjetike të Rusisë. Në vitet 1987-1988 u komandua me shërbim në Republikën Demokratike të Afganistanit, si oficer i KGB mori pjesë krahas trupave sovjetikë në luftime.

Në dhjetor 1990, së bashku me Boris Grizllov-in dhe Valentin Çujkin-in themeloi ndërmarrjen e vogël “Bllok” e angazhuar në biznese të ndryshme dhe u bë drejtor i saj.

Në tetor 1994 dha dorëheqjen nga FSK-ja [inicialet rusisht për “Federalnaja Slluzhba Kontrrazvedki” – Shërbimi Federal i Kundërzbulimit i Rusisë] dhe u emërua shef kuadri i administratës së të Zyrës së kryetarit të bashkisë së Shën Peterburgut. Në vitin 1999 pasoi Nikollaj Patrushevin në postin e Shefit të Departamentit të Sigurimit të Brendshëm të FSB-së së Rusisë. Nga 5 janari 2000, ka qenë zëvendësshefi i personelit presidencial i emëruar nga Vladimir Putini. Viktor Ivanov-i është konsideruar një nga aleatët më të afërt të Putinit.

Në shtator 2001 Kryeministri i Rusisë e emëroi Ivanovin përfaqësuesin e shtetit në bordet e drejtorëve të korporatës “Antej” dhe korporatës shkencore-industriale “Almaz” që zhvillonte dhe prodhonte sisteme të mbrojtjes kundërajrore, përfshirë raketat S-300. Më 22 nëntor 2001, ai u zgjodh kryetar i bordit të drejtorëve të “Almaz-it” dhe inicioi bashkimin e “Almaz-it” dhe “Antej-t”. Që nga qershori 2002 Ivanov ka qenë kryetar i bordit të drejtorëve, si rezultat i bashkimit, i Koncernit të mbrojtjes kundërajrore “Sh.A. Almaz-Antej”.

Duke filluar nga 4 nëntori 2004, ai ka qenë edhe kryetar i bordit të drejtorëve të kompanisë publike ajrore “Aeroflot”.

Në vitet 2000-2004 mbajti postin e zëvendshefit të administratës së Presidentit të Federatës Ruse. Më 2004 deri në maj 2008 – ndihmës i Presidentit të Federatës Ruse.

Më 15 maj 2008 me dekret të Presidentit të Federatës Ruse emërohet drejor i Shërbimit Federal të Kontrollit të Qarkullimit të Narkotikëve i Federatës Ruse.

Më 25 maj 2008 me dekret të Presidentit të Federatës Ruse miratohet anëtar i Këshillit të Sigurimit të Federatës Ruse. Presidenti i Komitetit Shtetëror të Kundërdrogës, i cili përfshin 29 titullarë të Ministrive ruse.

Ka marrë shumë dekorata të larta.

“Kaskadori”

Në vitet 1987-88, drejtori aktual i Antidrogës i Federatës Ruse (FSKN), gjeneral-kolonel Viktor Ivanov, ishte me një shërbim “romantik” në Afganistanin e pushtuar nga ushtria e ish-Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS). Aty u zhvillua një luftë e ashpër forcave të kuqe dhe forcave çlirimtare vendëse të mbështetura nga SHBA. Ivanov, i cili prej më se 10 vjetësh shërbente në strukturat e shërbimit sekret famkeq të KGB-së (inicialet rusisht për “Komitet Gosudarstvjennoj Bjezopasnosti” – “Komiteti i Sigurimit të Shtetit”) në Leningrad (sot Shën Peterburg), u përzodh për një mision ende enigmatik në një vend ku zhvillohej një luftë e egër dhe e humbur nga strategët e Moskës, shkruan shtypi rus. Lufta sovjetike në Afganistan ishte një konflikt nëntëvjeçar duke përfshirë Bashkimin Sovjetik, duke mbështetur qeverinë marksiste-leniniste të Republikës Demokratike të Afganistanit kundër muxhahidëve në Afganistan dhe vullnetarëve të huaj “arab-afganë”. Muxhahidët mori mbështetje jozyrtare ushtarake dhe / ose financiare nga shumë vende, si SHBA, Arabia Saudite, Britania e Madhe, Pakistani, Izraeli, Tajvani, Indonezia dhe Kina. Qeveria afgane u mbështet edhe nga India. Lufta në Afganistan mund të fshihet në kontekst të viteve të fundit të Luftës së Ftohtë. Vendosja fillestare sovjetike e armatës së 40-të në Afganistan filloi më 24 dhjetor 1979 nga lideri i Kremlinit Leonid Brezhnjev (1906 –1982). Tërheqja e trupave filloi më 15 maj 1988 dhe përfundoi më 15 shkurt 1989 kur udhëheqësi i fundit sovjetik ishte Mihail Gorbaçov (Nobel i Paqes). Rusët angazhuan në luftë 115.000 trupa, kurse qeveria komuniste afgane 55.000 ushtarë. Humbjet nga pala sovjetike: vranë gjithsej 14.453, u plagosën 53,753 veta, u zhdukën 312, kurse nga qeveria prosovjetike e Afganistanit pati 18.000 të vrarë.

Momenti i zgjedhur për të dërguar një mision të KGB-së në Afganistan në vitet 1987-88 flet shumë. Në dhjetor 1987, presidenti i atëhershëm sovjetik Mihail Gorbaçov gjatë një vizite në SHBA deklaroi se ishte marrë vendimi të tërheqjen e trupave sovjetikë. Më 15 gusht 1988 tashmë ishte larguar gjysma e kontigjentit të Kufizuar. Nuk dihet se me çfarë merreshin në këtë kohë grupet e shërbimeve sekrete (specslluzhbi) sovjetike që operonin në territorin e Afganistanit me emrin e koduar “Kaskad”. Por gjithsesi puna që bënin nuk kishte me siguri asgjë të ngjashme me rutinën e përditshme lenigradase. Në vitin 1988 “kaskadori” Viktor Ivanov u kthye në atdhe me medaljen “Për merita në luftë”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here