Fati nuk është me shqiptarët dhe me Skënderbeun. Një fat tragjik për Skënderbeun pas gjuajtjeve të penalltive në ndeshjen e kthimit të “play-off”-it kundër Çernomorets Odesa të Ukrainës. Korçarët humbin 3 penallti, ndërsa miqtë humbin dy të tilla. Për pasojë, eliminohet Skënderbeu dhe skuadra që do të marrë pjesë në fazën e grupeve do të jetë Çernomorets. Mëkat, pasi vërtet që kampionët e Shqipërisë kanë bërë një ndeshje të bukur, duke e fituar 1-0 atë, por duke qenë se ndeshja e parë në Ukrainë ishte humbur 0-1, u desh koha shtesë. Në 30 minutat e shtesës nuk është shënuar asnjë gol dhe për pasojë u gjuajtën penalltitë. Eliminimi ka ardhur vetëm pas gjuajtjeve të 11-metërshave të nëntë. Kanë humbur tre tanët, pikërisht Radas, Orelesi dhe Nimaga, të tre futbollistë të huaj, ndërsa miqtë në penalltinë dicizive kanë qenë të saktë, duke u kualifikuar për më tej. Keqardhje, lotë dhe hidhërim në kampin korçar, ndërsa në krahun tjetër festë dhe gëzim. Një ndeshje që do të mbahet mend gjatë jo vetëm për korçarët, por për të gjithë sportdashësit shqiptarë, pasi ishte hera e parë që një ekip nga Shqipëria ishte kaq pranë realizimit të ëndrrës, pjesëmarrjes në fazën në grupe të Ligës së Europës.