Një “perandori” prej të paktën 10 milionë eurosh kishte ngritur një rrjet shqiptar i trafikut të marijuanës, teksa javët e fundit kishte mundur të transportonte një sasi prej të paktën 6 kuintalësh. Lajmin e bëjnë të ditur mediat italiane sipas të cilave është mësuar kohët e fundit se shqiptarët me mbiemrin Oruçi ishin padronët e vërtetë të linjës që kishte mundur të dërgonte nga Shqipëria në brigjet italiane atë sasi të madhe droge.
Zinxhiri i këtij grupi kriminal përbëhej nga të paktën 30 hallka, ç’ka nënkuptonte 30 persona të ndryshëm, me role specifike.
Trafiku niste nga Shqipëria për në Comasco, ndërsa ka pasur një qarkullim prej 10 milionë euro, ose e përkthyer ndryshe 2 milionë doza marijuana, e mjaftueshme për të furnizuar të gjithë përdoruesit e zonës. Sipas medieve italiane që kanë publikuar rezultatet e këtij hetimi, përdoruesit ua kishin kërkuar së fundmi shitësve me pakicë marijuanën shqiptare, pasi malli që vinte nga Afrika nuk u pëlqente.
Guardia di Finanza në Olgiate Comasco, 3 muaj më parë ka përfunduar hetimin që çoi në 18 njerëz në burg. Por karabinierët në të vërtetë po përpiqen të zbulojnë të ardhurat e gjeneruara nga trafiku i drogës, e cila rezulton si në para kesh, ashtu edhe në pasuri të patundshme, makina dhe mallra të tjera. Zëvendësprokurorja e Komos, Maria Vittoria, Isella ka urdhëruar gjykim të menjëhershëm për disa nga të dyshuarit, dhe dërgoi njoftimin e përfundimit të hetimeve për të tjerët.
Në nivel më të ulët ndodhet Omar El Yousfi , 22 vjeç, banues në Castelnuovo Bozzente dhe Cristian Moralli, 22 vjeç. Në nivelin e dytë ndodhet Domeniko Oruçi, 20 vjeç, shqiptari me banim në Olgiate Comasco, nipi i referenti kryesor të trafikut, Zamir Oruçit, 34 vjeç, banor në Lurate Caccivio.
Ai ishte protagonist kryesor në operacionin, ku u sekuestruan gjysmë ton marijuanë, ndërsa u von ë pranga në fillim të shkurtit të këtij viti.
Klodian Paca, shqiptari tjetër 33-vjeçar ishte një anëtar tjetër i kësaj bande, ndërsa në fund të këtij zinxhiri që kulmonte me bosët shqiptarë, përfundonte me 3 italianët Sabino Pedone 43 vjeç, Domenico Pellegrini, 39 vjeç dhe Lucrezia Germinario, 45 vjeçe, të gjithë banues në Bisceglie, roli i të cilëve ishte të ruante drogën në Puglia, e cila ishte sjellë prej Oruçëve, nga Shqipëria, e destinuar për Olgiatese. Ndërkaq, si anëtarë të tjerë të këtij rrjeti, me role të ndryshme, ishin edhe Roland Cereni, 30 vjeç, Aleks Malka, 33 vjeç dhe Agron Oruçi, 37 vjeç.