Home Aktualitet Eskpertet: Uji i Bovilles nuk pihet, te futet ne karantine

Eskpertet: Uji i Bovilles nuk pihet, te futet ne karantine

772
0

bovillaEkspertët e ujit të pijshëm deklarojnë se uji i Bovillës që e pijnë 70% e banorëve të Tiranës nuk i plotëson parametrat për të qenë ujë i pijshëm.

Në këtë situatë ata kërkojnë që Bovilla të futet menjëherë në karantinë. Ndërkohë banorët e Babrrusë që e marrin ujin nga burimi i vjetër i Bovillës, thonë se e përdorin vetëm për të larë banjon.

Ndërkohë, së fundmi, bashkia e Tiranës, ka çarmatosur edhe rojet që kujdeseshin për këtë objekt të rëndësisë së veçantë, duke e lënë krejtësisht në mëshirë të fatit.

Përveç një tabele në afërsi të digës “Ndal Policia”, aty nuk ka asnjë element tjetër sigurie. Ndërsa dy rojet dhe dy teknikët që janë në turn, na paralajmërojnë se nuk mund të ndalojmë tek diga, por disa metra më tutje. Kjo është e vetmja masë sigurie që përballesh nëse kërkon të futesh në këtë rezurvuar të rëndësisë të veçantë.

Madje edhe gardhi me tela, zhduket sapo përfundon diga, duke e lënë pa asnjë lloj pengese hyrjen në liqenin ku pi ujë e gjithë Tirana.
Brigjet e këtij rezervuari të ujit të pijshëm, i cili në fakt, duhet të ishte steril, janë të mbushura me qese plastmasi, bidona për higjienën e shtëpisë, rroba të hedhura ngado, madje nuk kanë munguar as rastet kur janë gjetur kafshë të ngordhura.

Ujërave të  zeza të 6 mijë banorëve që jetojnë në këtë zonë që përfundojnë në rezervuar, në çdo prag pranvere u shtohen edhe thasët me pleh bagëtish, që banorët e tansportojnë nga një anë në anën tjetrën të liqenit.

Por janë 1 mijë arsye që për ekspertët uji i Bovillës, nuk është uji i pijshëm. Në këtë situatë, ekspertët sugjerojnë që Bovilla duhet të futet në karantinë.

“Me gjithë masat që janë marrë unë mendoj se ende uji i rezervuarit të Bovillës, nuk është ujë i cilësisë së parë. Pra është i papijshëm. Edhe pse futet në impiantin e filtrimit ai sërisht nuk pastrohet dhe unë mendoj se Tirana nuk e meriton të pij këtë ujë. Duhet patjetër të bëhen gropa antiseptike për ujrat e zeza të banorëve që jetojnë rreth Bovillës. Duhen investime serioze. Ajo duhet të futet në karantinë dhe të mbrohet. Këtë nuk mund ta bëjnë vetëm komunat por duhet një angazhim edhe i shtetit,” thotë Mehmet Metaj, ekspert studiues i Bovillës.

BANORET: UJIN E PERDORIM VETEM PER BANJO
Por për banorët e Babrrusë që e marrin ujin nga burimi natyror i vjetër i Bovillës dhe jo nga rezervuari, uji i pijshëm është një makth i vërtetë pasi ai nuk kalon fare në impiantin e filtrimit.
Banorët thonë se e përdorin ujin që u vjen në çezëm vetëm për të larë banjon.

“Na thonë që ujin ne e marrim nga burimi i vjetër, na vjen i turbullt dhe me një aromë që nuk durohet, madje ka raste që na e ndërpresin fare. Jemi ankuar tek Ujësjellësi por na kanë thënë: Kështu e pi e gjithë Tirana. Ne nuk e përdorim për asgjë. Vetëm për banjo e lavatriçe“- thotë Halil Kurti, banor në Babrru.

Naze Dani, banore e kësaj zone e cila paguan rregullisht ujin na thotë se është ankuar tek Ujësjellësi për ujin që u vjen i ndotur dhe i kanë thënë se do e furnizojnë me bote. “Por nuk zgjidhet problemi kështu”- thotë Naze Dani duke shtuar se “uji që i vjen në çezme s’e përdor as për të larë enët”.

UJËSJELLËSI: E KLORINOJMË, SPECIALISTI: S’KA EFEKT KUR UJI ËSHTË I TURBULLT
Drejtuesit e Ujësjellësit shprehen se e njohin këtë problem, por ata thonë se uji kalon në procesin e klorinimit. Por për ata që merren me ujin , nëse uji është i turbullt, klori nuk ka asnjë efekt

”Klori ka veti ta ruajë cilësinë e ujit, nëse një ujë është i turbullt klori s’e pastron” sqaron Bilbil Daçi, ish-punonjës i Ujësjellësit.

Në këtë situatë, kur askush nuk është i sigurtë për ujin që iu vjen në shtëpi, institucionet përgjegjëse duhet të angazhohen seriozisht për të gjetur një zgjidhje, përpara se të ndodhë ndonjë fatkeqësi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here