Kombëtarja po bëhet gati të nisë aventurën drejt kampionatit Botëror të Rusisë. Kuqezinjtë po përgatiten në seancat stërvitore përpara miqësores me Marokun. Sfida ndaj kombëtares afrikane do të vlejë si një test gjeneral për trajnerin Gianni De Biasi i cili duhet të qartësojë idetë e tij për zgjedhjet që duhet të bëjë në ndeshjen hapëse për eleminatoret e Botërorit 2018 ndaj Maqedonisë më 5 shtator.
Pa Lorik Canën në fushë trajneri italian duhet së pari të gjejë njeriun të cilit duhet ti besojë shiritin në krahë por mbi të gjitha liderin e skuadrës në fushë. Në seancën e fundit stërvitore është parë grupi i plotë edhe pse me disa futbolistë është punuar edhe individualisht si Aliji, Roshi apo Manaj. Megjithatë nën urdhërat e timonierit kuqezi kanë qënë të gjithë të gatshëm teksa në seancën taktike të zhvilluar me dyer të mbyllura pak është mësuar për formacionin.
Ajo që dihet është skema me të cilën do të luajnë edhe në këto eleminatore kuqezinjtë, që pritet të jetë 4-1-4-1 një sistem i kolauduar për kombëtaren shqiptare. Nga ajo që u pa në vendosjen fillestare të ekipit është vënë re që në sfidën ndaj Marokut vendin e ish kapitenit Lorik Cana në qendër të mbrojtjes do ta marë Berat Gjimshiti që së bashku me Mavrajnë do të jetë dyshja përpara portierit Etrit Berisha.
Në të djathtë tashmë vendi në formacion duket i prenotuar teksa titullar projektohet Elseid Hysaj. Befasia vjen në të majtë ku De Biasi kërkon të provojë Emir Lenjani me Ansi Agollin që pritet ta nisë nga stoli. Përpara mbrojtjes do të luajë Taulant Xhaka teksa risia në mesfushë është Jahmir Hyka. Mesfushori po shkëlqen këtë periudhë në kampionatin zviceran dhe për këtë arsye trajneri kuqezi kërkon ti japë një shans në formacion në të djathtë të mesfushës. Në të majtë mund të luajë Shkëlzen Gashi ndërsa qendra pritet të përbëhet nga Amir Abrashi dhe Ergys Kaçe.
Sulmin do ta udhëheqë nga minuta e parë Sokol Cikalleshi. Megjithatë gjasat janë që gjatë takimit përbërja e ekipit do të ndryshojë, madje pritet që De Biasi të aktivizojë të gjithë futbollistët në dispozicion. Ajo që kërkon italiani është sinjali i duhur nga futbollistët në mënyrë që më 5 shtator ndaj Maqedonisë të jetë i bindur për zgjedhjet që duhet të bëjë.