Juria ndërkombëtare për katër ditë me radhë bëri vlerësimin e 12 projekteve të Kompleksit të ri Parlamentar dhe shpalli sot, sI projektin fitues, Maketin 11022 T, I paraqitur nga Studio vjeneze COOPHIMELB (L) AU.
Projekti fitoi me votat e jurisë dhe me klikimet e publikut shqiptar në web site e Parlamentit, www.parlament.al.
Kryetari i Jurisë, arkitekti hollandez Johannes Ibelings, një autoritet ndërkombëtar në fushën e kritikës së arkitekturës, gjatë shpalljes së vendimit, theksoi se juria ka patur një mision të vështirë për të shqyrtuar me kujdes cilësitë, sfidat dhe elementët e çdo projekti për të vlerësuar potencialin e më të mirit prej tyre.
“Është bërë një diskutim i hollësishëm mbi cilësinë arkitekturore dhe urbanistike, duke përfshirë të gjitha aspektet nga qëndrueshmëria, tek kostot e projektuara, se cili do të ishte përfaqësimi i duhur i demokracisë shqiptare në qendër të Kryeqytetit, duke i shtuar vlera, cilësisë së qytetit, që të jetë i hapur për publikun dhe që të mund të funksionojë si simbol.“ – u shpreh kryetari i Jurisë ndërkombëtare, zoti Johannes Ibelings
Pas shpalljes së projektit fitues, Kryetarja e Kuvendit falenderoi në emër të saj personal dhe të gjithë deputetëvë, anëtarët e jurisë për punën serioze, si dhe opinionin publik për vëmendjen që i kushtoi përzgjedhjes së projektit më të mire, për ndërtimin e Kompleksit të ri Parlamentar.
Kryetarja e Kuvendit tha se shqiptarët do të kenë një shtëpi dinjitoze dhe demokracia parlamentare, simbolikën e saj më të madhe.
“ Dua të falenderoj zotin Johannes Ibelings, si kryetar jurie , është një ndër autoritetet më të njohura botërore të fushës së kritikës së arkitekturës. Dua të falenderoj gjithashtu zotin Marius Strozi , një arkitekt i njohur nga Italia, zotin Imad Hassan që është jo vetëm arkitekt shumë i njohur, por ka marrë pjesë në projektet më të njohura të botës, profesor Agron Lufi, që ne e kemi model në Shqipëri dhe zotin Florian Nepravishta, pedagog, arkitekt për gjithë punën, përkushtimin dhe seriozitetin.
Unë përsonalisht ashtu si çdo deputet jam shumë e kënaqur, sepse me këtë projekt që ju keni zgjedhur, kemi bërë të mundur që shqiptarët të kenë shtëpinë e tyre dhe do të jetë një shtëpi dinjitoze. Tirana do të ketë një monument dhe një vepër arti që do të lërë shenjë në kujtesën e çdo vizitori që do të kalojë në Shqipëri. Në mënyrë të veçantë, ne do të kemi një monument, i cili do të lidhet me datën e Pavarësisë.
Unë bashkë me kolegët e tjerë natyrisht kemi një sfidë të madhe përpara, të vështirë, për shkak se ne do të vrapojmë kundër kohës për të bërë të mundur që në 100 Vjetorin e shpalljes së Pavarësisë të kemi atë, që është simbolika më e madhe e demokracisë parlamentare shqiptare”.
Juria ndërkombëtare shpalli në vend të dytë Projektin knitT , ndërsa çmimi për vendin e tretë, iu dorezua Projektit 10345 N.
12 Projektet për ndërtimin e Kompleksit të ri Parlamentar qëndruan mbi 10 ditë, të ekspozuara në Kuvendin e Shqipërisë, të hapur për publikun.