Ka hyrë në vitin e saj të 24 –t të jetës dhe ndihet mjaftueshëm e guximshme për të provokuar me këtë set të nxehtë fotografish, pak para publikimit të këngëve të reja të sezonit. Ndihet në kulmin e saj, dhe natyrisht për të qëndruar në lartësi duhet të shfaqet e kompletuar. Këngëtarja tregon për këtë betejë artistike në tregun e këngëtareve dhe të gjitha mënyrat për të dominuar.
Pas verës me këngë ritmike dhe koncerte, si do i përshtatesh stinës së vjeshtës me këngët e tua të reja?
Po natyrisht që po punoj për një prezantim të ri dhe ndryshe këtë sezon. Në fund të nëntorit do të lançohet bashkëpunimi im me Kledi Bahitin, i cili në këtë këngë të re nuk ka vetëm rolin e kompozitorit por edhe të këngëtarit, pra do të shfaqemi në duet. Kënga është baladë e një dimensioni tjetër, nga ato balada që unë kam sjellë më parë.
Ke një arsye më shumë kësaj here t’i këndosh dashurisë sërish, apo i je shmangur kësaj teme?
Jo, në këtë këngë nuk i këndojmë dashurisë, por problemeve që hasim në jetën tonë sociale, jetës në tërësi. Do të sjellim një mesazh, një motivim me vargjet e kësaj kënge të shkruara nga mjeshtri i teksteve për mua, Olti Curri, i cili godet gjithmonë. Momentalisht jam me xhirimet e këngës, të cilën do e prezantojmë si klip.
Thuhet që dhe ky fundvit do të jetë një festë për ty, pasi po punon për disa këngë të reja të stileve të ndryshme. Me çfarë rrymash po e pasuron repertorin tënd?
Po e vërtetë, pasi unë ndërkohë jam duke punuar për disa këngë të reja, të cilat janë të një stili tjetër. Deri tani, të gjitha këngët ndryshojnë nga njëra-tjetra, por janë të bukura në llojin e vet. Nuk mund të jap datat e sakta të publikimit të tyre, dhe preferoj ta lë publikimin e tyre surprizë për publikun.
Cilat janë stilet e reja që mendon se të shkojnë?
R&B, reggae po lëvroj pak tashmë, pasi mendoj se më shkojnë si rryma muzikore.
Pak para daljeve të tua me këngë të reja, ke realizuar një set fotografish ku shfaqesh provokuese kësaj here… Tani e zbulove që të shkon ky lloj pozimi?
Në fakt, këto foto të reja i kam bërë për kënaqësinë time, pasi kisha kohë që isha përkushtuar te setet fotografike, dhe kjo për arsye të mungesës së kohës. Fotot më kanë pëlqyer gjithmonë, dhe kam bashkëpunuar me Endrit Mërtirin, pasi është vërtet artist i mirë.
Duket se ke bërë një revolucion brenda vetes. Është i qëllimtë ky hap për servirjen e një imazhi ndryshe si këngëtare?
Më shumë sesa revolucion, do e quaja rotacion (qesh). Mendoj se është momenti që duhet të vij ndryshe edhe unë. Është si puna e vaktit të njëjtë, që s’e ha dot gjithmonë.
Domethënë, sipas teje, edhe tregu i muzikës funksionon me rotacion si politika?
Them se po. Ka një moment suksesi për të gjithë. Por në muzikë, ndryshe nga politika, rotacioni nuk është çdo katër vjet. Mendoj se mund të jesh në majë për sa kohë të kesh pasionin dhe dëshirën për të dhënë më të mirën si artist.
Artistët zakonisht kanë një kulm të vetëm të karrierës, mendon se për ty ky është momenti?
Këtë nuk mund ta përcaktoj, gjithsesi unë e kam në dorë. Po të vazhdoj të punoj me këto ritme, ky mund të jetë momenti im.
Natyrisht që në fotot e sipërpërmendura shfaqesh një Samantë provokuese. Si do i paraprije keqinterpretimit që mund t’u bëhet fotove?
Unë gjithmonë jam shfaqur si Samanta e ëmbël dhe pak provokuese, por me limite… Pra, jo duke shkuar në vulgaritet.