Nga “ferri” në “parajsë”. Franca realizoi atë që nuk ia kishte dalë mbanë askush më parë, që të përmbyste një humbje 2-0 në fazën “playoff” të Kupës së Botës. Në një stadium të tejmbushur dhe me një atmosferë elektrizuese, francezët ia dolën mbanë të fitojnë 3-0, duke siguruar biletën për në Brazil dhe e lënë jashtë Ukrainën… Deshamp riktheu skemën 4-3-3, me Riberinë, Valbuenën dhe Benzemanë në repartin e avancuar, ndërkohë që ukrainasit tentuan të krijonin një mesfushë kompakte dhe me Zuzuljan të vetëm në sulm. Gjithsesi, vendësit e nisën ndeshjen me një vrull të jashtëzakonshëm dhe me një dëshirë për të shënuar sa më shpejt. Ishte Sakho, ai që zhbllokoi rezultatin në të 22-ën minutë. Gjuajtje e fortë drejt Pjatov, portieri ukrainas grushtoi, por topi shkoi në këmbët e mbrojtësit, i cili e dërgoi lehtësisht në rrjetë. Një avantazh që jo vetëm u dhuroi qetësi, por ua shtoi dëshirën për të shënuar sërish francezëve.
Në të 30-ën minutë, Benzema realizoi një gol të rregullt, por arbitri Damir Skomina e anuloi padrejtësisht për pozicion jashtë loje. Edhe pse dukej e “çuditshme” që Franca binte pre e gafave në gjykim, gjithçka u kompensua katër minuta më pas. Këtë herë, sërish Benzema që realizonte, në një pozicion dukshëm të parregullt, por që në fakt nuk u anulua. Avantazh i dyfishtë, që mjaftoi për ta rritur ndjeshëm presionin te kundërshtari. Sapo filloi pjesa e dytë Khaçeridi “braktisi” ukrainasit, duke shkaktuar një faull ndaj Riberisë në afërsi të zonës dhe merituar kartonin e dytë të verdhë. Me një lojtar më pak, skuadra e Fomenkos humbi edhe besimin për të realizuar një gol, që do i ndihmonte shumë për të siguruar kualifikimin. Pas tentativash intensive për shënim, nuk mungoi as edhe “rrjeta” e tretë për vendësit. Një krosim i fortë në zonë, u devijua gabimisht nga Husjev, duke shënuar autogol, por që ishte i paevitueshëm, pasi do kishte shënuar gjithsesi Sakho që priste pas tij. Pa shumë forcë për të reaguar, Ukraina iu dorëzua supremacisë dhe lojës së shkëlqyer të kundërshtarit, ndërkohë që Franca siguroi për herë të 14-të pjesëmarrjen në Kupën e Botës…
Moviola – Arbitri Damir Skomina dhe ndihmësit e tij u bënë protagonistë të dy gafave trashanike në gjykim. Rasti i parë ka të bëjë me një gol të anuluar padrejtësisht ndaj Benzemasë, i cili ishte në pozicion të rregullt. Ndërsa i dyti, kur sërish sulmuesit të Realit, iu cilësua si i rregullt një gol, që dukej qartë se ishte në pozicion jashtë loje…