Home Kulture Saimir Pirgu: Shkarkimi i Zhani Cikos, turp

Saimir Pirgu: Shkarkimi i Zhani Cikos, turp

189
0

zhani-cikoMe një sfidë ndaj pushtetarëve të rinj, tenori Saimir Pirgu e ka mbyllur mbrëmë koncertin e bamirësisë, në ndihmë të fëmijëve me sindromën down. Në mënyrën e tij ai protestoi lirimin nga detyra të drejtorit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Zhani Ciko, pak orë përpara fillimit të koncertit, që drejtohej pikërisht nga ai.

I ftuar nga organizata jofitimprurëse “Down Syndrome Albania”, Saimir Pirgu, i shoqëruar nga Orkestra Simfonike e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe këngëtarët Marjana Leka, Vikena Kamenica, Armando Likaj, u bë zëri i kauzës në ndihmë të kësaj kategorie në nevojë. Pjesë nga më të bukurat e repertorit klasik botëror ishin përzgjedhur për këtë mbrëmje të veçantë. Në mbyllje të koncertit, organizatorët ftuan në skenë ministrin e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj, i cili ftoi gjithë të pranishmit t’i bashkohen kësaj kauze. E më pas fjala i kaloi yllit të mbrëmjes, i cili përpara një salle të tejmbushur me spektatorë, pavarësisht biletës më të shtrenjtë se zakonisht (nga 1-3 mijë lekë të reja), mes të cilëve ndodhej edhe kryetari i Parlamentit Shqiptar, Ilir Meta, ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, ai i Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe i Mirëqenies Erjon Veliaj, e quajti “të turpshme” ngjarjen e ndodhur vetëm pak para koncertit, duke iu referuar lirimit të Cikos.

Pirgu falënderoi organizatorët dhe të pranishmit që u bënë pjesë e kësaj nisme, ashtu si edhe ai, që nuk mund t’i thoshte jo zemrës së një nëne, por nuk mund ta mbyllte këtu. “Do të doja të bëja dhe një apel tjetër. Do të bëja thirrje që komuniteti i artistëve të respektohet më shumë në Shqipëri. Sot, përpara koncertit ka ndodhur një ngjarje e turpshme, që më ka prekur shumë. Por nuk do të doja të zgjatesha, kushdo le ta kuptojë. Doja vetëm t’i thosha një Faleminderit maestro Zhani Cikos”, tha Pirgu.

Duartrokitjet e zbehta që shoqëruan fjalët e Veliajt u mbytën nga ato në mbështetje të tenorit Pirgu. Sot në mesditë, Këshilli i Ministrave, ndër të tjera, vendosi lirimin nga detyra të drejtorit Zhani Ciko dhe zëvendësimin e tij nga balerini Ilir Kerni dhe lirimin e drejtorit të Galerisë Kombëtare të Arteve, Rubens Shima dhe emërimin në vend të tij të piktorit Artan Shabani.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here