Home Sport Rrezultatet e dobeta te Tiranes, tifozet bllokojne stervitjen

Rrezultatet e dobeta te Tiranes, tifozet bllokojne stervitjen

546
0

Rezultatet e dobta dhe dalja jashtë objektivave që në këtë fazë të sezonit, kanë bërë që tifozët e Tiranës të bllokojnë stërvitjen e skuadrës ditën e djeshme. Ngjarja ka ndo-dhur në kompleksin “Skënder Halili”, në momentin që futbollistët bardheblu ishin duke u bërë gati të nisnin seancën stërvitore.
Tifozët kanë hyrë në fushë, duke bërë që seanca të prishej, ndërsa trajneri Alban Tafaj është përpjekur të negociojë. Gjithsesi, përpjekjet e tij kanë qenë të kota, pasi tifozët i kanë injoruar, duke qëndruar në mesin e fushës për minuta të tëra dhe duke mos lejuar që stërvitja të nisë në kohën që ishte planifikuar. Lojtarët ndërkohë kanë qëndruar larg, nga frika e konfrontimeve, ndërsa pas 10-15 minutash, ultrasit bardheblu janë larguar paqësisht, duke lënë ekipin të qetë të stërvitej për ndeshjen e radhës. Ata kanë kërkuar që Tirana të përmirësojë lojën dhe të ngjitet në nivelet që i takon, duke zhvilluar kështu një protestë të rrallë në Shqipëri. Në të vërtetë, në një vend ku grupet e organizuara të tifozerisë janë të paktë, nuk janë parë shpesh protesta të tilla, tepër të njohura në kampionatet e mëdha të Evropës. Ultrasit bardheblu kanë akuzuar edhe drejtuesit, se janë ata shkaktarët e vërtetë të krizës së rëndë që po kalon ekipi. Kontestimi i tifozerisë mësohet se ka patur edhe një shkak tjetër: pengimin e futjes së tyre në stadium për ndeshjen me Kukësin, në Kupën e Shqipërisë. Diçka e tillë u vu re edhe në takimin e së mërkurës, kur në stadium kishte më shumë tifozë nga Kukësi sesa nga kryeqyteti.
Protesta
Kontestimi i tifozerisë së Tiranës vjen pas një periudhe tejet negative për klubin më të madh të vendit. Bardheblutë nuk fitojnë prej katër ndeshjesh në kampionat, ndërsa të mërkurën u eliminuan zyrtarisht edhe nga Kupa e Shqipërisë. Në kampionat, diferenca prej 8 pikësh me Skënderbeun duket e pamundur të rikuperohet, sidomos duke parë ecurinë e kundërt të dy skuadrave. Ndërsa Tirana po gabon edhe në sfidat në shtëpi, të konsideruara të fituara në letër, korçarët kanë bërë vetëm një ndalesë në javët e fundit, atë në Kavajë kundër Besës. Reagimi i tifozëve të Tiranës, kryesisht të grupimit të njohur “Fanatics”, nisi që në ndeshjen ndaj Kukësit në kampionat, ku ishin vendosur pankarta të shumta me përmbajtje deri edhe ofenduese. “Ju nuk jeni Tirona” apo “Tirona europiane, ku?”, ishin disa prej banderolave të shpalosur nga ultrasit. Ndeshja e radhës e bardhebluve është ajo ndaj Vllaznisë në Shkodër, një klasike që skuadra e Tafajt kërkon ta fitojë për të larguar krizën.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here