Peshëngritësja shqiptare Romela Begaj, e cila fitoi titullin kampion bote në stilin e shkëputjes në Kazakistan ka rezultuar pozitive edhe në testin B.
Edhe në testin e dytë antidoping 28-vjeçarja rezulton se ka përdorur substancë të ndaluar, stanazonol.
Romela Begaj rrezikon një pezullim 2-vjeçar nga çdo aktivitet ndërkombëtar.
Nëse edhe Godelli me Pulakun do rezultojnë pozitivë atëherë Federata Shqiptare e Peshëngritjes rrezikon një pezullim të gjatë nga çdo aktivitet ndërkombëtar.
Testi B u krye në laboratorin e Këlnit, në Gjermani një ndër 11 laboratorët e licencuar nga Agjencia Botërore e Anti-Dopingut.
VADA ka konfirmuar se “testi B” për Daniel Godellin do të bëhet më 15 janar, ndërsa për Hysen Pulakun, më 11 janar.
Sipas të gjitha gjasave duke u nisur edhe nga analiza e kreut të Anti-Dopingut në Shqipëri Mel Ostreni edhe Daniel Godelli me Hysen Pulakun rrezikojnë që të jenë pozitive edhe në testin B.
Pasi sipas Ostrenit asnjëherë testi B nuk e ka rrëzuar testin A. Federata Shqiptare e Peshëngritjes ka njoftuar se në përfundim të gjithë analizave të sportistëve do të dalë me një qëndrim duke nisur edhe një analizë të gjerë.
Fillimisht presidenti Elez Gjoza akuzoi Luan Shabanin për dopingun, por si për ironi të fatit, Romela Begaj në analizat që ka bërë në testin B në Gjermani është mbrojtur nga një mjek nga Greqia.
Peshëngritësja 28 vjecare mohon kategorikisht që të ketë përdorur substanca të ndaluara. “Nuk kam përdoruar asnjë substancë të ndaluar.
Mjekët në Këln të Gjermanisë ku bëra edhe analizën e testit B thekson se nuk është stanazonol, sikur po flitet, por një substancë që nuk ia di as emrin, me shumë mundësi një kimikat që merret përmes ushqimit.
Më vjen shumë keq dhe turp që është hedhur baltë mbi emrin tim, Luan Shabanin, por edhe peshëngritësit e tjerë Hysen Pulaku dhe Daniel Godelli. Deklaroj me përgjegjësi të plotë se jam e pastër dhe do të vazhdoj betejën time deri në fund” tha ajo.
Përsa i përket hapave të mëtejshëm, peshëngritësja deklaroi se pas 4 javës do të përballet me panelin në Budapest. “Pas 4 javësh do të jem përballë panelit dëgjimor në Budapest për të përballur provat e dy testeve dhe për të shpjeguar gjithçka.
Nëse nuk marra pafajësinë edhe këtu, atëherë jam e gatshme që të jap ADN time, e cila konfirmon të gjitha substancat që kam marrë në harkun kohor të viti të fundit për të konfirmuar gjithçka. Unë këtë cështje nuk do ta lë këtu, pasi jam gati që të shkoj deri në Arbitrazhin Sportiv në Lozanë, pasi jam e bindur në pastërtinë time si sportiste”.
Por cili është komenti i Begajt për deklaratat e FSHP për atë dhe Luan Shabanin? “Tani jam e stresuar, pasi kam pësuar një goditje të madhe, por në momentin e parë që do të zgjidh cështjen do të merrem me të gjithë ata që më kanë akuzuar dhe që kanë qenë pjesë e kësaj meseleje” përfundoj peshëngritësja.