Home Sport Barca dhe Bayern 2 gjysemfinalistet e para

Barca dhe Bayern 2 gjysemfinalistet e para

623
0

Barcelona dhe Bajerni janë dy gjysmëfinalistet e para të Kupës së Kampioneve. Spanjollët eliminuan mbrëmë Milanin, ndërsa gjermanët fituan edhe në ndeshjen e dytë ndaj Marsejës. Një dopietë e Lionel Mesit e realizuar nga pika e bardhë e penalltisë dhe një gol i Andres Iniestas zhvlerësuan shënjestrën e barazimit të përkohshëm të Noçerinos. Në këtë mënyrë, Milani i Masimiliano Alegrit i dha mbrëmë lamtumirën Ligës së Kampioneve, duke mbetur tashmë në garë vetëm për titullin e Serie A, ku edhe kryeson. Duhet thënë se protagonist në një farë mënyre është bërë në “Camp Nou” edhe arbitri Bjorn Kuipers, i cili akordoi dy penallti për blaugranat. Por nëse e para e fituar nga Lionel Mesi dhe e realizuar po nga ky i fundit ishte më se e saktë, e dyta, vërshëllyer për një kontakt në zonë gjatë një goditjeje dënimi mes Nestës dhe Buskets, linte shumë për të dëshiruar. Penalltia u kontestua për disa minuta nga kuqezinjtë e Alegrit, por natyrisht arbitri nuk ndryshoi mendim. Gjuan Mesi dhe sërish Barcelona në avantazh. Në pjesën e dytë, vendësit realizuan edhe golin e qetësisë me anë të Iniestës, ndërsa Milani edhe pse për më shumë se 20 minuta, luajti me tre sulmues: Robinjo-Pato dhe Ibrahimoviç nuk arriti që të rrezikonte si duhet dhe jo më të shënonte në portën e mbrojtur nga Viktor Valdes. Tashmë Barcelona do presë sonte kundërshtarin e gjysmëfinaleve, i cili do dalë nga çifti Çelsi-Benfika. Ndërsa në takimin tjetër, Bajerni nuk e pati aspak të vështirë që të siguronte edhe një tjetër fitore ndaj Marsejës, pas asaj të një jave më parë në “Velodrome”. Këtë herë dopieta e kroatit, Ivica Oliç, u dha kualifikimin bavarezëve, të cilët do të presin skuadrën që do kualifikohet nga çifti Real Madrid-Apoel. Duke konsideruar se në ndeshjen e parë spanjollët fituan 3-0 në Qipro, vetëm teorikisht pritet që “galaktikët” të deklarohen si rivali i bavarezëve në gjysmëfinale.

Luisao
Kapiteni i Benfikës, Luisao, ka mbetur shumë i zhgënjyer nga humbja 0-1, por përsëri beson tek kualifikimi. “Në ndeshjen e parë ishim më të mirët, por na mungoi goli. Çelsi u tregua me fat, por nuk e meritoi fitoren. Në këtë sfidë do përpiqemi të nxjerrim më të mirën, por ndryshe nga sfida e parë, duhet të shënojmë një gol sa më shpejt. Nëse arrijmë t’i ndëshkojmë, atëherë jam i sigurt që nuk do e mbajnë dot presionin”, ka thënë ai.

Barcelona-Milan 3-1
Shënues:
 Mesi 11? (p), 41? (p), Iniesta 53?/ Noçerino 32?
Kartonë të verdhë: Maskerano, Kuenca/ Antonini, Nesta, Sedorf, Robinjo, Mekses, Maksi Lopez, Noçerino
Barcelona: Valdes, D.Alvesh, Piké (Adriano 75?), Maskerano, Pujol, Ksavi (Alkantara 63?), Buskets, Iniesta, Fabregas (Keita 78?), Mesi, Kuenca. Trajner: P.Guardiola
Milan: Abiati, Abate, Nesta, Mekses, Antonini, Noçerino, Ambrosini, Sedorf (Akuilani 61?), Boateng (Pato 69?, Maksi Lopez 83?), Robinjo, Ibrahimoviç.
Trajner: M.Alegri

Bajern-Marsejë 2-0
Shënues:
 Oliç 13?, 37?
Kartonë të verdhë: Abala/ M’Bia
Bajern: Nojer, Lahm, Boateng, Badshtyber, Alaba, Timoshuk, Luiz Gustavo, Myler (Rafinja 39?), Kros (Pranjiç 67?), Riberi, Oliç (Gomez 75?). Trajner: J.Hejnkes
Marseja: Mandanda, Azpilikueta, Fani, N´Koulou, Morel (Amalfitano 46?), M´Bia, Sheru, Valbuena, Ajev, Brandao (Zhinjak 74?), Remi (Kabore 63?). Trajner: D.Deshamp

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here