Pas shumë përpjekjesh, ndonjëherë edhe përplasje dyersh në fytyrë, më në fund mund të shijojnë rezultatin, edhe pse të tjera punë i presin përpara.
Në 74-vjetorin e vdekjes së poetit dhe klerikut Ndre Mjeda dhe përfundimin e fazës së parë të rindërtimit të kompleksit të ndërtesave që mbajnë emrin e tij, Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Fondacioni “Ndre Mjeda”, organizojnë sot në Kukël të Shkodrës aktivitetin “Përkujtimi i Mjedës”. Është një program i larmishëm, i cili parashikon referime rreth figurës së personalitetit të letrave shqipe, interpretime të veprës së tij, ndarje çmimesh për studiuesit dhe njohësit më të mirë të veprës së tij, ekspozitë me fotografi të paekspozuara më parë e dorëshkrime të poetit, panaire me prodhime karakteristike të zonës e pa dyshim edhe muzikë. Pritet të marrin pjesë në këtë ekspozitë studiues e letrarë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia. Kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre përfaqësues të trupave diplomatike në Tiranë, ndërsa pritet që në aktivitet të jetë edhe ministri i ri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi. Një nga organizatorët e kësaj veprimtarie, kleriku Dom Nik Ukgjini, drejtues i Fondacionit “Ndre Mjeda”, thotë se qëllimi është jo vetëm përkujtimi i figurës së Mjedës, por krijimi i një tradite, e cila parashikon organizimin e përvitshëm të ditëve të Mjedës, që do ta kthejnë Kuklin në një qendër aktivitetesh kulturore.
RINGRITJA E KOMPLEKSIT-MUZE
Një nga pjesët më të rëndësishme të aktivitetit është edhe vizita në ambientet e kishës ku shërbeu Ndre Mjeda apo të shtëpisë (qelës së tij), për të cilat po bëhen përpjekje që të shpallen monumente kulture. Por që ato të bëheshin deri diku të vizitueshme, duhet të kaloheshin jo pak vështirësi. Kleriku dom Nik Ukgjini, drejtues i Fondacionit “Ndre Mjeda”, prej kohësh e kishte ngritur problemin e rrënimit të kishës dhe shtëpisë së poetit e klerikut, por duket se zëri i tij kishte rënë në vesh të shurdhër. Ai thotë se i është drejtuar për ndihmë e mbështetje, Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve apo edhe Institutit të Monumenteve të Kulturës, por kërkesën e tij për ndihmë e pasoi një heshtje e plote. Kisha e ndërtuar në vitin 1913 me ndihmën financiare të qeverisë austriake, kushtuar Shën Shtjefnit, martir i shekullit të parë dhe shtëpia e ndërtuar në vitin 1906 marrin më shumë vlerë, kur mëson se ka qenë vetë Mjeda që i ka projektuar ato. Megjithatë, për institucionet ky fakt duket se nuk ka pasur ndonjë rëndësi të madhe. Atëherë dom Nik Ukgjini kërkoi ndihmën e komunitetit të biznesit që iu gjend me ndihma financiare, duke bërë të mundur fillimin e punimeve për rikonstruksionin e kompleksit të ndërtesave, që dikur kanë gëzuar statusin e muzeut. Tanimë ka përfunduar faza e parë e punimeve në ndërtesën e kishës, e cila ishte edhe më e rrezikuara. Kjo fazë përfshiu ndërtimin e çatisë, tavanit, ndërtimin e frontit mbi çati, shkallëve me dy anësore etj., ndërsa faza e dytë parashikon punime më të imëta në murin ballor, restaurime etj. Deri në vitin 1991, shtëpia e Mjedës ka funksionuar si muze. Atje ndodheshin sendet e tij personale dhe tavolina 100- vjeçare, ku ai krijoi veprat e tij më të bukura. Gjatë viteve të tranzicionit si çdo muze tjetër edhe ai iu ekspozua shkatërrimit dhe vjedhjes. Një pjesë e objekteve u morën për t’u ruajtur në muzeun e Shkodrës. Mes tyre edhe skrivania. Dom Nik Ukgjini thotë se është kërkuar që ky objekt të ekspozohet ditën e përkujtimit të Mjedës, megjithatë nuk u është bërë e mundur një gjë e tillë. Megjithatë, Ukgjini shpreson që ky aktivitet të shërbejë për të sensibilizuar autoritetet që shtëpia e Mjedës të kthehet sërish në muze e, bashkë me kishën, të shpallen monumente kulture.