Kryeministri Sali Berisha ndodhet për disa ditë pushimi në Dhërmi së bashku me familjen e tij, por edhe i shoqëruar nga mbesat e nipat e tij të shumtë. Kryeministria lëshoi dje një njoftim për shtyp mbi pushimet e Kryeministrit, ndërsa disa pamje në media u shfaqën teksa kreu i qeverisë notonte me mbesat e tij, si dhe u lajmërua që ai kishte thyer rekordin e tij personal të notit në det të hapur. “Ai notoi plot 132 minuta, kundrejt 127 minutave të një viti më parë. Gara filloi në ora 11.00 dhe u mbyll pas 132 minutave, pra në orën 13.12 minuta. Vëzhguesit e garës thanë se ajo zgjati më shumë se 132 minuta, por vetë Kryeministri preferon të deklarojë si kohë noti 132 min dhe reston ta lërë për vitin tjetër. Kryeministri Berisha nuk dëshironte ta bënte publike këtë veprimtari të tij private, por rrjedhja e informacionit në media bëri që Zyra e Shtypit ta zbardhë të vërtetën rreth këtij aktiviteti”, thotë njoftimi.