U hodh shorti i fazës me eliminim direkt të Ligës së Kampioneve në Nion të Zvicrës, përmes një ceremonie që ka saktësuar turin e ardhshëm në kompeticionin më të rëndësishëm për klube. Skuadrat pjesëmarrëse e kanë pritur mes drithërimash dhe emocionesh verdiktin e goglave, ku disa kanë mbetur të kënaqur e disa jo. Ashtu sikurse parashikohej, janë përvijuar dy supersfida tepër të mëdha në 1/8-at e Championsit: Real Madrid-Mançester Junajtid dhe Milan-Barcelona. Kuqezinjtë e Alegrit kanë “peshkuar” ktalanasit e futbollit spektakolar e tepër rezultativ, që po udhëheqin në avancë të dukshme nga të tjerët kampionatin spanjoll, por me një problematikë tronditëse të orëve të fundit, pasi trajneri i tyre, Tito ilanova, ka rezultuar sërish me një tumor. Për pasojë, ai nuk mund ta drejtojë më Barcelonën, çka ka sjellë edhe njëfarë pështjellimi te Blaugranët. Gjithsesi, deri në përballjen e parë me Milanin ka kohë për t’i kthelluar gjërat në këtë drejtim.
“Los Blancos” dhe “djajtë e kuq” përballë njëri-tjetrit. Mourinjo përballë Fergusonit. Sfida të pafundme mes këtyre dy skuadrave, me Kristiano Ronaldon që rikthehet të luajë kundër ish-skuadrës së tij. Antagonizmi më i madh që mund të përftonte një short, në këtë raund të Ligës së Kampioneve. Interesante si përplasje është edhe ajo mes Bajernit të Mynihut dhe Arsenalit, një duel gjermano-anglez, ndërsa me fat ka rezultuar skuadra e Antonio Kontes. Juventusi do të sfidojë Sëlltikun, që në fakt i nxori fort punë në turin e kaluar edhe Barcelonës. Cka do të thotë se bardhezinjtë vërtet nuk janë përplasur me një kundërshtar tepër potencial, sikurse mund të ishte Reali i Madridit, por duhet t’i bëjnë mirë llogaritë edhe me skocezët.
Kampionët e Gjermanisë në fuqi, Borusia e Dortmundit, do ta kërkojë suksesin e mëtejshëm në këtë kompeticion duke superuar ukrainasit e Shakhtar Donjeckut. Dy skuadra që luajnë futboll vërtet të bukur, që kanë dhuruar spektakël në fazën e grupeve. Parizienët e Karlo Ancelotit duhet të kenë mbetur të kënaqur, për faktin se shorti i ka vënë përballë spanjollëve të Valencias, një kundërshtar i pranueshëm për ta, ndërkohë që Shalke do të ketë punë me gjigandët turq të Gallatasarajit. Portugezët e Portos dhe spanjollët e Malagas janë po ashtu një përballje interesante.
Ndeshjet e para të këtij turi do të luhen më 12-13 shkurt, ato vajtje, ndërsa të kthimit më 19-20 shkurt. Ndeshja finale e këtij edicioni do të luhet për herë të dytë në tre vjet në stadiumin “Uembli”, më 25 maj.
Champions, 1/8 finale
GALATASARAY – SHALKE 04
CELTIC – JUVENTUS
ARSENAL – BAYERN MUNICH
SHAKHTAR – BORUSSIA DORTMUND
MILAN – BARCELONA
REAL MADRID – MANCHESTER UNITED
VALENCIA – PSG
PORTO – MÁLAGA