Home Politike Riker: Javët në vijim kritike për demokracinë dhe institucionet

Riker: Javët në vijim kritike për demokracinë dhe institucionet

570
0

“Javët që vijnë do të jenë kritike. Janë kritike për të demonstruar përparimin lidhur me reformat dhe një seriozitet qëllimi që kapërcen politikën dhe pasqyron interesat dhe dëshirat më të mira të popullit shqiptar”- ky është mesazhi që SHBA i përcolli sot qeverisë shqiptare me anë të Zëvendësndihmësit të Sekretares së Departamentit amerikan të Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Filip Riker.

“Uashingtoni do ta ndjekë vitin që vjen nga shumë afër. Presim të shohim përparim të vazhduar me reformat, si dhe respektim të pavarësisë së institucioneve demokratike.”, u shpreh Riker.

Deklarata e zyrtarit të lartë amerikan u dha në konferencën e përbashkët për median që ai mbajti me Kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha, por ku nuk u lejuan të bëhen pyetje.

Kryeministri Berisha deklaroi se prioriteti më madhor i qeverisë shqiptare është anëtarësimi në Bashkimin Europian, ndërsa nënvizoi vendosmërinë e mazhorancës për të bërë gjithçka që vendi të meritojë statusin kandidat. Gjithashtu, Berisha falënderoi Shtetet e Bashkuara për mbështetjen që i japin vendit tonë.

“Unë e njoha zotin Riker me të gjitha reformat e ndërmarra, problematikën që ne përballemi dhe vendosmërinë e qeverisë për të bërë gjithçka, për të merituar statusin kandidat dhe për të zhvilluar zgjedhje të lira e të ndershme. E garantova se mbetem plotësisht i vendosur për të punuar për pavarësinë e institucioneve.”- u shpreh Berisha.

Takimin e parë në vendin tone, Riker e pati me ministrin e punëve të jashtme Edmond Panariti ndërsa në orën 16:00 do takohet me presidentin Nishani.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here