Kombëtarja shqiptare ka marrë fitoren e parë në Grupin E të eliminatoreve të kampionatit botëror, duke mposhtur 3-1 Qipron në “Qemal Stafa”. Takimi i parë i këtyre eliminatoreve ka sjellë një triumf të ekipit kuqezi, por loja nuk është ngjitur kurrë në nivelin që pritej. Gjithsesi, në fund rëndësi kanë 3 pikët dhe trajneri Xhani De Biazi arriti t’i marrë ato, ndonëse me shumë vështirësi. Ndeshja është vendosur vetëm në minutat e fundit, atëherë kur dy sulmuesit e futur nga stoli, Çani e Bogdani, arritën të thyenin mbrojtjen qipriote. Miqtë kanë bërë shumë rezistencë, duke u mbrojtur me forca të shumta.
Ndeshja nisi mjaft mirë për Shqipërinë, me dy mundësi për gol, por porta qipriote mbeti e paprekur. Trajneri De Biazi pati hedhur në fushë edhe dy debutuesit Meha e Kukeli, që bënë një paraqitje dinjitoze në ndeshjen e tyre të parë me fanellën kuqezi. Në minutën e 36-të, një goditje dënimi e marrë në krahun e djathtë, solli golin e avantazhit. Krosi i Mehës u dërgua në rrjetë nga një mbrojtës i Qipros, falë edhe lojës së Sadikut në zonë. Një avantazh që krijoi idenë e një fitoreje të thjeshtë, por në fundin e pjesës së parë, një goditje dënimi pa shumë pretendime e Laban, nuk u prek nga askush dhe përfundoi në rrjetë. Barazimi e rriti tensionin në skuadrën kuqezi, që në pjesën e dytë ka gabuar topa pafund, madje në një moment Vila rrezikoi një autogol të frikshëm. Më pas, futja në lojës e Hykës, Çanit e Bogdanit ndryshoi disi ritmin. Ishte pikërisht Çani që do të çonte në delir tifozerinë kuqezi, me golin e minutës së 84-t, pas krosit të Hykës. Një festë e çmendur e sulmuesit, ndërkohë që qershia mbi tortë do të vinte në minutën e 87-të. Bogdani goditi nga afro 30 metra dhe topi përfundoi në trekëndësh, duke vulosur praktikisht fitoren. Sulmuesi festoi duke hequr fanellën dhe duke treguar se ai mbetet ende një lider në përfaqësuesen shqiptare. Ndeshja e radhës për Shqipërinë është ajo e së martës ndaj Zvicrës. Në ndeshjet e tjera të grupit E, Zvicra mundi 2-0 Slloveninë, ndërsa me të njëjtin rezultat, Islanda fitoi ndaj Norvegjisë.