Mjaftonin vetëm dy minuta dhe një nga përrallat më të paimagjinueshme në futboll do të bëhej realitet. Por nuk ndodhi, sepse vjen mister 100-milionëshi, Garet Bejl dhe me një goditje i shtrin të gjithë në tokë, duke i hequr Atletikos edhe shansin e goditjeve të 11-metërshave pas barazimit të Serxho Ramosit në shtesë. Pastaj mbërrin edhe Marselo, ndërsa fjalën e fundit e thonë muskujt abdominalë të Ronaldos që tërheqin gjithë fleshet e aparateve. Lot në tribunën “Colchonero”, por që duartrokasin krenarë skuadrën e tyre, ndërsa Simeone mbron nderin e të tijve duke u nxjerrë nga fusha në shtesë. Ançeloti fiton Champions- in e 5-të, të 3-in si trajner dhe të parin në “Shtëpinë e Bardhë”, ku për 10 vite kishin dështuar të gjithë, edhe ata, specialët. Është mbrëmja e Karlos. Është mbrëmja e Angel di Marias, i cili nuk gjen golin, por është njeriu që vendosi ndeshjen me atë diagonale (e cila e pritur nga Kurtua, gjeti kokën e Bejlit). Ishte mbrëmja e kapitenit Kasijas që ngriti kupën, legjionarit Ramos që nuk e uli kurrë kokën, e Kristianos që mbylli një sezon të frikshëm edhe pse nuk ishte në ditën e tij më të mirë. 2014-a nisi me “Topin e Artë” dhe ja tek mbyllet me Champions-in.
REAL MADRID-ATL. MADRID 4-1
Golat: Ramos 93′, Bejl 110′, Marselo 118′, Ronaldo 120′ (P) / Godin 36′
REAL MADRID (4-3-3): Kasijas, Karvahal, Varan, Ramos, Fabio Koentrao (Marselo 59′), Modriç, Khedira (Isko 59′), Di Maria, Bejl, Benzema (Morata 79′), Ronaldo Trajner: Karlo Ançeloti
ATL.MADRID (4-4-2): Kurtua, Huanfran, Miranda, Godin, Filipe Luis (Aldervaireld 83′), Raul Garsia (Soza 66′), Gabi, Tiago, Koke, Vija, Diego Kosta (Adrian 9′) Trajner: Diego Simeone
KARTONË TË VERDHË: Ramos 27′, Khedira 45+1′, Marselo 119′, Ronaldo 121′, Varane 123′/ Garsia 27′, Miranda 53′, Vija 73′, Huanfran 74′, Koke 86′, Gabi 100′, Godin 120′
GJYQTAR: Bjorn Kuipers (Holandë)
Fitues – Mund të ishte një javë Zoti, “GOD”-in. Diego Godin ka të përbashkët me Maradonën vetëm emrin, dhe kaq. Uruguaiani është karikuar në maksimum nga shpirti që ka injektuar në skuadër “Cholo”. Edhe pse është një mbrojtës, brenda 8 ditëve ai shënon golin që vlen titullin kampion në Spanjë dhe realizon edhe në finalen e Champions-it. Goli, i teti sezonal, i cili zhbllokon ndeshjen, vjen në minutën e 36-të dhe natyrisht nga një goditje këndi: mbrojtja e Realit e largon topin jashtë zone, Vija e rikthen, Kasijas mendohet për një kohë më të gjatë sa i lejon koha dhe del huq: Godin është më i shpejtë se Khedira dhe “Shën Ikeri” e ka të pamundur të shmangë nga trajektorja e tij një top që ishte nisur përpara të gjithëve drejt rrjetës. 1-0 deri në shtesë, por goli që vlen sa një “dopjetë” në shtesë, është i paimagjinueshëm. Në minutën e 93-të, Atletiko, mbretëresha e goditjeve standarde, e pëson nga një goditje këndi: Krosim i Modriçit, goditje me kokë e Serxho Ramosit, i cili çmarkohet nga Tiago. Topi shkon në ekstremin e shtyllës pingule të Kurtuasë dhe është perfekt, sepse asnjë portier si belgu nuk bën dot asgjë. Shkohet në shtesë. Tradhtohen nga placenta – Një javë luftë me kohën, analiza pa fund, takime me mjekët dhe në fund përfundoi te placenta e kalit. Dy ditë stërvitje për vetëm 8 minuta e 55 sekonda në fushë: Diego Kosta kaq rezistoi në finale, më pak edhe se në ndeshjen me Barcelonën ku luajti 16 minuta. Nuk u rikuperua dot, duke e bërë shikimin e Simeones pas zëvendësimit të dukej si një homazh për sulmuesin e tij, ose një blof. Pa të, 4-4-2 i fillimit u transformua në një 4-5-1. Pas kësaj goditjeje, kampionia e Spanjës tenton të rigjejë forcat për t’u organizuar. Godet, madje duart i ka te trofeu deri në minutën e 93-të. Organizimi në mbrojtje vendos shumë në të tilla ndeshje, por skuadra edhe pa Arda Turanin është vetëm një barrikadë. Huanfran dhe Filipe Luis shtyjnë përpara, mbrojtja luan topin dhe del me kokën lart. Gabi është kudo që nga shtylla deri te sulmi. Kur duhet, vrapon dhe gjithnjë racional. Pastaj të tjerët krijojnë mekanizmin perfekt të Simeones. Bejl shfrytëzon një gabim të Tiagos, por në mënyrë të pabesueshme godet jashtë. Ronaldo gabon me kokë, Bejl godet sërish jashtë. Portugezi bën spondin, por Marselo mbërrin vonë. CR7 ka të drejtë të rebelohet, ndërsa Benzema nuk shfaqet kurrë. Isko dhe Marselo, dy ndërrimet e Ançelotit, rigjallërojnë një skuadër që reagon e dëshpëruar. Por Di Maria dhe Ramos nuk e ndiejnë presionin e “La decima”-s. Argjentinasi dhe mbrojtësi, i cili ishte edhe heroi i gjysmëfinales, dhe në fund u shpall lojtari i ndeshjes, marrin skuadrën prej dore dhe i japin trofeun e 10-të Realit. Nuk u dorëzuan deri në fund dhe u shpërblyen. Çfarë mbrëmjeje në “Estadio Da Luz”…
Ramos: E pabesueshme ajo që ndodhi në fushë!
Serxho Ramos ka qenë protagonist absolut në Champions-in e 10-të të Realit. Pas dopietës së çmendur kundër Bajernit, mbrojtësi spanjoll shpëtoi edhe dje mrekullisht “galaktikët”, të cilët deri në minutën e 93-të e kishin të humbur trofeun. “Goli im u dedikohet të gjithë madrilenëve, në veçanti familjes sime. Ishte një ndeshje spektakolare, gjatë të cilës ndodhën aq shumë gjëra sa nuk më besohet se çfarë kemi bërë, – ka thënë fillimisht Ramos pas ndeshjes. – Mendoj se ky ishte goli im më i rëndësishëm me Realin. Ishim në një situatë të vështirë dhe po humbnim kundër një kundërshtari shumë të fortë, por gjetëm forcën për t’ia dalë mbanë. Është thjesht e pabesueshme. Nuk di se si ta përshkruaj këtë moment”. Më tej Ramos i ka kujtuar gjithë botës se futbolli spanjoll është ai që dominon sërish. “Ishte një finale që mendoj se shërbeu si leksion futbolli për të gjithë ata që e duan Champions-in dhe jo vetëm për tifozët tanë që nuk na kanë lënë kurrë në baltë. Nuk është rastësi që në finale ishin dy skuadra madrilene dhe nuk është as rastësi që Europa Ligën e fitoi Sevilja. Ne jemi zotë të futbollit në Europë dhe kjo nuk është pak”, – përfundoi Ramos.
Kasijas: Ramosit i thashë: Je mbreti i çmendur
Iker Kasijas ka fituar për herë të tretë Champions-in, pas triumfit kundër Bajer Leverkusenit. Ai, në fakt, për pak e ndëshkoi skuadrën, teksa me gafën e bërë e lejoi Diego Godinin të shënonte golin e avantazhit që për 93 minuta i bëri me zemër tifozët e Realit. “Pse u përqafuam aq shumë pas kohës së rregullt? Sepse bëmë diçka të mrekullueshme dhe unë mendoj se ato përqafime do t’i mbajmë mend gjithë jetën tonë”, – tha kapiteni i Realit. Portieri në disa raste u shfaq i pasigurt, por vëmendja e medias spanjolle nuk ka qenë te gafat e tij, por te një bisedë shumë e ndezur pas golit të shënuar nga Ramos. “Pasi shënoi golin dhe u afrua tek unë i thashë: ‘Ti je mbreti! Je mbreti i çmendur… Nuk e di pse e thashë, por ju siguroj se vetëm kaq i thashë”, – deklaroi Kasijas. Më tej, ai komentoi edhe incidentin në fund të takimit mes trajnerit Simeone dhe mbrojtësit Varan. “Janë gjëra që ndodhin, por, në fakt, Varan thjesht u përpoq të qetësonte Simeonen që po i hakërrehej arbitrit se sa të provokonte trajnerin. Varan është djalë shumë i mirë”, – deklaroi 33-vjeçari.
Di Maria: Ndihem i çliruar, fitova në shtëpinë time
Një ndeshje, të cilën e priste të komplikuar, por që ai besonte deri në fund. Dhe Angel Di Maria ishte nga ata që e besuan deri në fund, së bashku me Serxho Ramosin dhe të tjerët: “Nuk di ta shpjegoj këtë ndjesi. Ndihemi kaq të çliruar. Ky është Champions-i im i parë dhe i dhjeti për klubin. Është diçka që e ëndërron që kur je i vogël dhe tani bëhet realitet falë përpjekjes dhe sakrificave të skuadrës në një vit që me pak fat mund të kishim bërë edhe tripletën. U ndjeva si në shtëpi në Lisbonë, sikur luajtëm në stadiumin tonë, sepse normalisht ky stadium ka qenë shtëpia ime për 3 vitet e mia që qëndrova te Benfika. Por tani emocionet ndryshojnë, sepse nuk fitova thjesht një ndeshje në ‘da Luz’, por Ligën e Kampioneve”, – u shpreh argjentinasi.
“Bëmë historinë me ekipin më të mirë”
Daniel Karvahal ishte një nga titullarët në suksesin e jashtëzakonshëm të Realit në Lisbonë. Mbrojtësi i djathtë flet për finalen ndaj Atletikos dhe lumturinë për suksesin e arritur. “Si çdo derbi tjetër i këtij sezoni, ka qenë një përzierje e luftës së ashpër dhe lojës me shpirt. Momenti kyç? Në kohën shtesë Atletiko po vuante, sepse lojtarët nuk kishin më fuqi. Ne shtuam presionin, pasi e kuptuam që vetëm kështu do të ishim ata që do ta bënim tonin trofeun”. Më pas, ai foli për rëndësinë e madhe që ka fitimi i “La Decima”-s. “Me këtë triumf ne kemi bërë historinë me klubin më të mirë në botë. Kjo është e gjitha”. Në fund, lojtari ka një falënderim për të gjithë shokët e ekipit për atë lojë të jashtëzakonshme që zhvilluan, si dhe për faktin që nuk u dorëzuan në asnjë moment..
“Varane bëri një gjest të shëmtuar”
Kapiteni i Atletikos, Gabi, ndihet i mërzitur për faktin që bardhekuqtë nuk arritën të menaxhonin fitoren ndaj Realit. “Ne nuk mundëm që t’i ndalnim ata të shënonin dhe ky është futbolli. Pas kohës shtesë ata janë fituesit e drejtë. Gjatë gjithë vitit konkurruam si kafshë dhe shkuam aq larg sa mundëm”, – tha mesfushori i bardhekuqve. Ai kritikoi mbrojtësin e Realit, Rafael Varane, për tensionin e krijuar në fund të takimit. “Duhet që të dijë se si të fitojë dhe ai është i ri. Bëri një veprim të shëmtuar. Ne zotohemi se do vazhdojmë të punojmë dhe shpresojmë që ky të mos jetë titulli i fundit i këtij sezoni”, – shtoi futbollisti spanjoll. Gabi vlerëson përpjekjen titanike të shokëve të tij të skuadrës, ndërsa shton se vetëm fati i keq u hoqi atyre fitoren.
Huanfran: Goli i Ramosit na gjunjëzoi
Tepër i zhgënjyer dhe i përlotur, mbrojtësi i Atletikos së Madridit, Huanfran, e ka analizuar kështu finalen e djeshme: “Ishte një ndeshje e luajtur deri në momentet e fundit. Goli i Serxho Ramosit në minutën e 93-të na gjunjëzoi, sepse mungonte shumë pak nga fundi i takimit”. Më pas spanjolli ka thënë: “Tani nuk na mbetet gjë tjetër veçse t’i shtrëngojmë dorën fituesit dhe të ndryshojmë kapitull, duke u përqendruar te sezoni i ardhshëm. Sivjet kemi bërë diçka të jashtëzakonshme dhe një grup i fortë e i bashkuar si i yni do të dijë të ringrihet shpejt. Rezultati? Ishte gënjeshtar, pasi nuk e meritonim të humbisnim me ato shifra. Mirëpo futbolli kështu është, i paparashikueshëm”.
NOTAT
REAL MADRID
Kasijas 4 – Mbrëmje e mallkuar për Ikerin, që bën më shumë gafa se sa Pinto i Barçës. Dalja gjysmake në golin e Godinit dhe, më pas, një tjetër “lajthitje” që mund t’i kushtonte shumë Realit në shtesë. Një katastrofë! Duhet të falënderojë shokët, fatin dhe yjet që ishin me të në Lisbonë.
KARVAHAL 6 – Vuan pa masë galopimet në krah të kundërshtarëve, por në pjesën e dytë rritet shumë dhe shpërblen besimin e Ançelotit, që pat lënë në stol Arbeloan. Luftarak.
VARAN 6,5 – Ia del të zëvendësojë mirë Pepen edhe me moskokëçarjen rinore. I ngathët në zotërimin e topit, por asnjëherë i trembur në përplasjet që bën. Karakter i fortë.
RAMOS 8 – Tre gola në dy ndeshjet e fundit të Champions-it, edhe pse në kartën e “identitetit” shkruhej “Mbrojtës”. Për rëndësinë dhe dinamikën, goli i tij të kujton atë të Tedi Sheringamit në finalen e Champions-it 1998/’99.
KOENTRAO 4,5 – I ngathët dhe kurrë në ritmin e ndeshjes. Atmosfera e shtëpisë nuk i bën edhe aq mirë mbrojtësit, që u zëvendësua me dëshpërim nga Ançeloti. (nga 59′
MARCELO 7,5: Impakt mbresëlënës i brazilianit. Hyri dhe i dha ritëm tjetër ndeshjes, sepse bëri inkursione të rrezikshme dhe shënoi një gol më se të merituar.
KHEDIRA 5 – Bën aq sa mundet, nëse merret parasysh fakti që prej muajsh ishte i dëmtuar. Benzina mbaroi shpejt, por paraqitjen e tij e njollosi edhe një markim i dobët në rastin e golit të Godinit. (nga 59′
ISKO 6,5 – Një tjetër kartë fituese për Ançelotin, që, pa ndonjë mund të madh, rrit cilësinë dhe presionin në mesfushë duke trembur mbrojtjen e Atletikos).
MODRIÇ 6,5 – Start shokues, sepse bën disa gabime në pasime, por me kalimin e minutave përmirësohet. E vuajti tej mase mungesën e Alonsos.
DI MARÍA 9,5 – Paraqitje fenomenale. Ishte njeriu i kësaj finaleje. Më i kthjellëti, kur për inerci gjërat po shkonin sipas planit të Atletikos. Lojtari që përcaktoi fatet e ndeshjes në shtesë, teksa i vetëm kalon kundërshtarë si birila. I lavdishëm!
BEJL 7 – Pas atij goli me kokë, mund t’i falen disa gabime që bëri gjatë ndeshjes. Galopimet e tij nisën të shuheshin gradualisht, por goli i Ramosit e zgjoi. Në momentin e duhur dhe në vendin e duhur zhbllokoi ndeshjen në shtesë dhe gjithçka u shkrua për mirë.
BENZEMA 4,5 – Një ndër më të dobëtit në radhët e merengesve. Fantazmë në Lisbonë, duke prekur zero herë topin. Fakti që iu shërbye shumë pak herë topi, nuk justifikon atë paraqitje të tmerrshme. Më shumë se sa një ëndërr, paraqitja e tij ishte makth. (nga 79′ MORATA 6, që hyn dhe arrin të fusë topin, duke acaruar së tepërmi mbrojtësit kundërshtarë).
RONALDO 6,5 – Pjesa e parë e tmerrshme. Në 45-minutëshin e dytë rritet disi dhe vë disa herë në provë Kurtuanë, por i shërben edhe Bejlit që në të gjitha gjuajtjet me këmbë vetëm shpërdoroi. Në kohën shtesë ka vend për lavdi edhe për të, duke shënuar golin e 17-të në një Champions që e ka luajtur në nivele çnjerëzore. Quajeni fenomeni i Madeiras.
Trajneri ANÇELOTI 8 – I gozhduar nga Simeone në pjesën e parë, Reali i tij shtyp rivalët në pjesën e dytë dhe arrin të marrë “La Decima”- n me një pjesë shtesë për t’u kurorëzuar. Kupa e tretë e Kampionëve si Bob Paisley: ari i futbollit italian. Pak fat nuk i bën keq, aq sa për të zhdukur njëherë e mirë fantazmat e Stambollit, sepse këtë herë ishte Simeone ai që vuajti këtë finale të çmendur.
ATLETIKO MADRID
KURTUA 6 – Paraqitje me disa luhatje deri në momentin kur Ramos e dërgoi topin me kokë, atje ku edhe njeriu merimangë nuk mund të bënte dot asgjë. Nuk ishte fajtor për atë humbje.
HUANFRAN 6,5 – Ndërmerr shpesh inkursione nga e djathta: si gjithnjë garanton krose të çmuar dhe vrapime pa fund.
MIRANDA 6,5 – I saktë në markim dhe aq i përpiktë, saqë vendimi për të mos e thirrur në Kombëtaren e Brazilit duket mizor. Pëson rënie në pjesën e dytë të shtesës, por në atë kohë zotat e futbollit e kishin dhënë verdiktin e tyre.
GODÍN 7,5 – Një tjetër dishepull i “cholizmit”. Sërish shënon, pas atij goli kundër Barçës që i dha titullin Atletikos. Nuk arrin të bëjë dot asgjë i vetëm në 15 minutat e fundit, kur skuadra e tij është në rënie të lirë.
Filipe LUIS 7 – I shkëlqyer në krahun e majtë. Ishte aq mirë sa me siguri Felipe Skolari do të jetë penduar që nuk e mori në Botëror brazilianin.
GABI 7 – Një kopje e Simeones në fushë: shpirt luftarak, kapiten kurajoz dhe për 90 minuta është i mrekullueshëm. Në pjesën e fundit e humbi kthjelltësinë, por në 90 minuta ishte bishë. Një zemërluan i vërtetë.
TIAGO 6,5 – I pafat në pasimin horizontal, që i lejoi Bejlit të shkonte në portë. E pabesueshme në fakt qetësia olimpike me të cilin ai kontrollon topin.
KOKE 6,5 – I frikshëm në qarkullimin e topit dhe vdekjeprurës kur ngre kokën dhe nis pasime në zonë. Protagonist absolut i këtij sezoni të çmendur të Atletikos. I jashtëzakonshëm!
RAUL GARSIA 6,5 – I pakapshëm në mënyrën se si bën lidhjen mes mesfushës dhe sulmit. Zëvendësohet prej lodhjes, por Soza që i zuri vendin nuk meriton më shumë se 5,5, sepse ishte i ngadaltë dhe i fjetur.
David VIJA 6 – Nuk merr shumë pasime dhe është i rrezikshëm për aq kohë sa Atletikon nuk e tradhtojnë muskujt. Kur bie skuadra fizikisht, ai është i pari që zhduket.
Diego KOSTA (pa votë) – Këtë herë nuk ka asnjë magji që i bën punë. Placenta e kalit nuk i bëri punë dhe aktivizimi si titullar ishte një gabim trashanik. E zëvendësoi ADRIAN, që meriton notën 6, sepse bëri një paraqitje të mirë pa stonuar për asnjë moment.
Trajneri SIMEONE 8 – “Pak sekonda larg lavdisë”. Ky mund të ishte titulli i filmit të finales së Simeones, sepse djemtë e tij me heroizëm ishin duke bërë mrekullinë e radhës kundrejt Ronaldos me shokë. Këtë herë regjisori nuk kishte shkruar për një fund të lumtur, por asnjë nuk do ta harrojë Atletikon e mrekullive.