Kujdesi i Serbisë ndaj shqiptarëve të Luginës Shqiptare, ishte kryefjalë e takimit që kryeministri Edi Rama zhvilloi në Beograd me homologun serb Aleksandar Vuçiç. Ndërsa me kryeministrin kinez, Li Keqiang, sipas Ramës është arritur mirëkuptim i plotë për nevojën e rritjes së mbështetjes financiare të Kinës ndaj Shqipërisë dhe vendeve të Rajonit.
“Takim me km Vuçiç per rritjen e ritmit te bashkepunimit dhe rritjen e kujdesit ndaj shqiptareve te Lugines se Presheves”, shkruan Rama për takimin me Vucic.
Po ashtu përmes rrjeteve sociale përcjell edhe takimin me kryeministrin kinez.
“Mirekuptim i plote me km Li Keqiang per nevojen qe Kina te rrise mbeshtetjen financiare ndaj Shqiperise dhe rajonit #Ndryshimereale”
Sot, dita e dytë e Samitit Kinë-Ballkan të mbajtur në Beograd
Takimi i kryeministrit të Serbisë Aleksandar Vuçiç me homologun nga Hungaria Viktor Orban çeli ditën e dytë të Samitit të Tretë të Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore e Lindore që zhvillohet në Beograd.
Më tej të dy krerët e qeverive janë takuar me kryeministrin maqedonas Nikola Gruevski e në takimin e fundit bilateral, Vuçiç u takua me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama.
Në rrjetin social “Facebook” Rama shkruan se takimi dypalësh me kryeministrin e Kinës do të jetë “për platformën tonë për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik”. Këtij statusi Rama i ka bashkangjitur edhe një foto ku kryeministri kinez është mes Ramës dhe kryeministrit serb, Aleksandër Vuçiç.
Sakaq, takimi me kryeministrin Vucic u zhvillua në pallatin “Serbija”. Mësohet se dy kryeministrat diskutuan për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe për organizimin e vizitës së Vuçiç në Tiranë, që mund të ndodhë në shkurt.
Në ditën e parë të punimeve të samitit me pjesëmarrjen e së paku 20 kryeministrave nga Rajoni, kryeministri kinez Li Keqiang premtoi 10 miliardë dollarë për vendet e rajonit, për investime kryesisht në infrastrukturë. Gjatë qëndrimit në Beograd, Rama do të ketë takime edhe me homologët të tjerë të vendeve të Europës Qendore dhe Lindore.
Vëmendja mediatike është fokusuar në takimin dypalësh Rama-Vuçiç, duke parë tensionin e fundit politik gjatë vizitës së parë historike që Rama zhvilloi në Beograd në 10 Nëntor të këtij viti.
Vuçiç dhe Gruevski biseduan për ndërtimin e hekurudhës së shpejtë
Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç në takimin bilateral me kryeministrin maqedonas, Nikolla Gruevski zhvilluan bisedime rreth marrëdhënieve dypalëshe, projektet e infrastrukturës dhe ndërtimin e hekurudhës së shpejtë Beograd – Budapest përmes Shkupit në Athinë.
Vuçiç ka propozuar formimin e ekipeve të përfaqësuesve nga Ministritë e Financave të dyja vendeve, të cilët do të punojnë rreth detajeve në lidhje me projektin e hekurudhës së shpejt.
Përveç kësaj, tema diskutimi ishin nga fusha e kulturës, tregtisë dhe bashkëpunimit në fushën e energjisë. Takimi bilateral u mbajt në kuadër të Samitit të Tretë të kryetarëve të qeverive të Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore që filloi dje në Beograd.