Home Aktualitet Arrestohen “Babagjyshet” e vjedhjes ne TEG

Arrestohen “Babagjyshet” e vjedhjes ne TEG

1536
0

grabitja-teg

Një vit pas vjedhjes spektakolare në qendrën tregtare, Tirana East Gate, policia ka mundur të zbardhë gjithë skemën, si dhe të arrestojë 3 nga autorët, ndërsa 3 janë shpallur në kërkim. Fillimisht janë arrestuar 2 nga autorët e vjedhjes, Agustin Sula dhe Hajdar Sefa, ndërsa mbrëmjen e sotme është vënë në pranga edhe një 29-vjeçar, Julian Qorushaj nga Borizana e Krujës. Sipas policisë grupi përbëhej nga 8 persona me në krye Ilir Kupën, shqiptarin e kërkuar nga shteti grek për arratisje nga burgu dhe një sërë veprash kriminale.

Nga 8 anëtarët e këtij grupi kriminal, që dyshohet se ka bërë vjedhjen e qendrës tregtare “Tirana East Gate”, 3 janë arrestuar ( 3 të arrestuar sot si dhe Ilir Kupa i arrestuar nga policia kohë me parë) , 4 persona janë shpallur në kërkim e ndërsa një tjetër, Miljan Elezi 35 vjeç, nga Elbasani është vrarë në Dibër të Madhe, pas një tjetër tentativë grabitjeje të një argjendarie.

hajdutet-teg
Miljan Elezi (majtas) dhe Ilir Kupa (djathtas

“Babagjyshët”, Policia: 3 të arrestuar, vijon puna për kapjen e 3 të tjerëve
Në datë 16.12.2014, pas një pune disa mujore, të mirorganizuar me metodat speciale të hetimit, në bashkëpunim ndërmjet Prokurorisë për Krime të Rënda, Drejtorisë për Krimet e Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorive të Policisë në Qarqet Tiranë, Durrës, Elbasan, Berat, Dibër, Shkodër dhe Lezhë u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “BABAGJYSHET”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë i mundur dokumentimi ligjor i disa ngjarjeve të rënda kriminale të kryera nga një grup i organizuar kriminal si dhe arrestimi i 3 prej anëtarëve të këtij grupi. Policia ka arrestuar shtetasit:

1. Agustin Sula, 25 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë me 23 vjet heqje lirie për vepren penale të vjedhjes me armë me pasojë plagosjen e dy shtetasve në Durrës si dhe i dënuar në Greqi per vjedhje me armë.
2. Hajdar Sefa (Xaka), 30 vjeç, banues në Krujë, i dënuar më parë për vepra penale ndaj jetës dhe shendetit.
3. Julian Qorushaj, 29 vjeç, lindur dhe banues në Borizanë të Fushë Krujës, i dënuar më pare për vjedhje.

provat-dhjedhje1
Në foto: Provat materiale që policia u ka sekuestruar të arrestuarve

provat-dhjedhje
Ndërkohë një tjetër pjesëtar i grupit, Ilir Kupa, 28 vjeç, lindur dhe banues në Fushë Krujë, i dënuar më parë në Greqi për vepra të rënda kriminale, është arrestuar më parë nga policia dhe aktualisht ndodhet në burg prej muajit janar të këtij viti. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se Kupa ka qenë edhe drejtuesi i këtij grupi kriminal.

Janë shpallur në kërkim pjestarët e tjerë të grupit kriminal dhe konkretisht:
* Fatmir Pjetri, 28 vjeç, banues në Tirane, i dënuar më parë në Greqi për vjedhje me dhunë dhe armë.
* Dritan Kola, 36 vjeç, banues në Shkoder, i dënuar në Greqi për vjedhje me dhunë dhe armë.
* Saimir Kala, 31 vjeç, banues në Kurbin.

Një nga pjestarët e këtij grupi kriminal, Artur Tafani, është vrarë në muajin korrik 2014 në Dibër të Madhe gjatë grabitjes me armë të dy argjendarive.

Ky grup kriminal, gjatë viteve 2013 dhe 2014 ka kryer vjedhjet e mëposhtme:
1. Në datë 28.09.2013, rreth orës 19:10, në qytetin e Kuçovës, kanë vjedhur me armë, dyqanin-argjendari, në pronësi të shtetasit A.B.
2. Në datë 05.11.2013 rreth orës 14:30 në qendër të qytetit të Laçit, në kompleksin “Romina”, kanë vjedhur me armë argjendarinë dhe kanë plagosur pronarin e saj shtetasin S.R.
3. Në datë 25.11.2013 rreth orës 13:45, në qytetin e Fushë Krujës, kanë vjedhur me armë “Argjendari Gjino” në pronësi të shtetases P.B.
4. Në datë 18.12.2014 në Fushë Prezë kanë vjedhur me armë automjetin në pronësi të shtetasit SH.K., duke e plagosur rëndë atë.
5. Në datë 25.09.2013, në ora 19:30, në fshatin Fushë-Milot te kryqëzimi i “Kosovës”, kanë vjedhur mjetin tip “Benz”, në pronësi të shtetasit A.S.
6. Vjedhjen e një mjeti tip “Audi” në Fushë- Milot.
7. Në datë 24.12.2013 rreth orës 17:30 kanë vjedhur me armë argjendari “Gelosia” në qendrën tregetare TEG.
8. Në datë 30 prill 2014 në Strugë, kanë vjedhur me armë një argjendari.
9. Në datë 29.07.2014 në Dibër të Madhe në Maqedoni kanë vjedhur me armë argjendari “Er Gold” dhe “Briljant Xhiti”.

Banda e “babagjyshëve” është përgjegjëse edhe për 4 grabitje të tjera. Këto grabitje janë organizuara nga i arrestuari më Janar 2014, Ilir Kupa. Burimet kanë thënë se banda grabiti pikën e basteve sportive të deputetit Mark Frroku. Të drejtuar nga Kupa “babagjyshët” kanë grabitur dhe një pikë skrapi në Vorë. Gjithashtu nga hetimet ka rezultuar se banda grabiti zyrën e financës së koncesionarit të Mercedes-Benz në Tiranë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në ambjentet e banimit dhe punës së këtyre shtetasve, në cilësinë e provës materiale janë gjetur dhe sekuestruar:
* 1 armë zjarri pistoletë model 54 TT së bashku me një krehër me 6 fishekë luftarake, me mbishkrimin 1959;
* 1 armë zjarri “Zastava” kalibër 6.35 mm me numër serie T710696 së bashku me një krehër me 8 fishekë;
* 1 krehër me 15 fishekeë pistoletë;
* 1 peshore elektronike,me mbishkrimin “TANITA” qe sherbente per peshimin e sendeve të floririt dhe të argjenta të vjedhura ne argjendari;
* 1 pajisje kompjuterike lap top;
* 6 copë varëse floriri të madhësive të ndryshme;
* 8 copë unaza floriri te madhesive te ndryshme;
* 1 copë varëse kryq;
* 3 byzylykë dore;
* 28 telefona Iphone;
* 19 ora dore të markave të ndryshme;
* Një sasi bizhuteri argjendarie;
* Dy manekine me rroba kamuflazhi ushtarake;
* Dy maska material plastik me flokë ngjyrë të bardhë;
* Një palë doreza me material rrobe.
* 8 karta sim të kompanive të ndryshme;
* Dokumente identifikimi të falsifikuara me gjeneralitete të rreme;

Strukturat e Policisë së Shtetit po punojnë në vazhdimesi për dokumentimin e plotë të veprave të tjera penale të kryera nga ky grup kriminal.

Materialet i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë për Krime të Rënda Tiranë për veprat penale të “Vjedhje me armë”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nent 140, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Ja si ndodhi grabitja e argjendarisë në TEG një vit më parë

Në 24 dhjetor të 2013, katër persona të maskuar si Babagjyshi i Vitit të Ri kanë shfrytëzuar atmosferën e festave për të kryer një grabitje me armë zjarri në qendrën tregtare “TEG” në kryeqytet, ndërsa një i pestë i priste në automjet për t’u larguar me shpejtësi.

Rreth orës 17:30 të 24 dhjetorit në një dyqan argjendarie “Xhelozia” në qendrën tregtare “TEG” në periferi të Tiranës, në një kohë kur edhe numri i qytetarëve në këtë qendër ishte i madh, duke krijuar panik tek ata, katër grabitësit kanë hyrë si babagjyshë, duke luajtur me fëmijët në “TEG”, dhe për një moment kanë nxjerrë armët dhe i janë drejtuar një argjendarie në katin e parë të qendrës tregtare, në pronësi të shtetasit A. Sh..

Njëri prej tyre ka nxjerrë një grua bashkë me një fëmijë 10 vjeç që ndodhej brenda argjendarisë dhe ka siguruar derën e saj, ndërsa tre të tjerët kanë zbrazur raftet me ora luksoze, si dhe objektet e florinjta dhe argjendta.

Një kamera amatore ka filmuar se si tre babagjyshë grabisnin brenda, ndërsa njëri ruante jashtë. Më pas ka hyrë dhe ky dhe prej argjendarisë kanë dalë tre babagjyshë me çanta të mëdha në duar dhe i fundit, edhe më trupvogli, ka nxituar pa çantë në dorë.

Punonjësit e sigurisë vetëm sa kanë mbajtur klientët e shumtë të qendrës tregtare të ditëve të festave dhe në asnjë moment nuk kanë ndërhyrë, duke mos rrezikuar ndonjë gjakderdhje.

Pasi morën bizhuteritë dhe një sasi të konsiderueshme lekësh grabitësit, kanë zbritur tek vendparkimi i makinës, ku i priste bashkëpunëtori dhe me automjetin tip “Benz” me targa AA147 FY, janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes në drejtim të Lanabregasit, duke përfituar edhe nga errësira. Pas disa minutash, automjeti është gjetur nga policia i braktisur dhe duke u djegur, në zonën e Surrelit, ndërsa autorët dyshohet të jenë larguar në këmbë.

Rama: Përgëzime policisë, iku koha e të ikurve në drejtim të paditur
Pas arrestimit të dy prej autorëve të grabitjes së ndodhur vitin e kaluar në TEG, ku katër të maskuar si “Babagjyshet e Vitit të Ri”, vodhën një argjendari, kryeministri Edi Rama përgëzon Policinë. Kreu i qeverisë thotë se tashmë po ikën koha e e të ikurve në drejtim të paditur.

“Përgëzime Policisë për arrestimin e grabitësve qe morën famë si “babagjyshat e Vitit të Ri”. Po ikën koha e të ikurve në drejtim të paditur!”, shkruan kryeministri Rama.

Tahiri: “Babagjyshët”, policia në krye të detyrës
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka përgëzuar policinë për kapjen e dy autorëve të grabitjes në TEG me 24 dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa shprehet se ky fakt dëshmon se Policia e Shteti është në krye të detyrës. Në rrjetin social “Facebook”, ministri Tahiri shkruan se kushdo që bën një krim do të dalë para drejtësisë.

“Babagjyshat? Një tjetër rezultat qe dëshmon se Policia e Shtetit është plotësisht ne krye te detyrës! Kush merr guximin te bej krim, duhet te prese ditën për do dale para drejtësisë. Shqipëri e sigurte, bashke me qytetaret e ndershëm. Bravo!”, shkruan ministri Tahiri.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here