Në një letër të hapur drejtuar opinionit publik, kreu socialist Edi Rama e cilësoi vendimin e Kolegjit Zgjedhor si një rast të humbur për të vendosur drejtësi në vend. Sipas Ramës, vendimi i Kolegjit nuk do të vendosë vetëm fatin e bashkisë së Tiranës por edhe atë të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“S’ka dyshim se një tjetër vulë e gabuar e Kolegjit Zgjedhor, do ta fuste Shqipërinë në një rreth kritik dhe integrimin e saj europian nën një pikëpyetje shumë të madhe. Shqipëria do të humbiste padyshim trenin e radhës për statusin e vendit kandidat për Bashkimin Europian.”, thuhet në letrën e Ramës.
Në mbylljen e letrës së tij, Rama u shpreh se mijëra qytetarë brenda dhe jashtë vendit kanë mbetur të zhgënjyer nga veprimi i Kolegjit Zgjedhor duke humbur kështu besimin në institucionet shqiptare.
“Të gjithë shprehin mosbesim të madh tek Kolegji Zgjedhor, shumë ndër ta madje më kanë kërkuar të tërhiqemi nga rruga e kërkimit të drejtësisë në dyert e kolegjit. Të gjithëve u kam thënë dhe u them se e drejta që kemi me vete na detyron të trokasim në ato dyer, deri në fund të rrugës së hapur prej ligjit, sepse edhe kështu kontribuojmë për drejtësinë e për shpëtimin e demokracisë.”, përfundoi letrën e tij Rama.