Zbardhet pas pesë ditësh vendimi i Kolegjit Zgjedhor për padinë e bërë nga socialistët ditën e premte. Ky vendim është zbardhur pas një debati të gjatë për tejkalimin apo jo të afateve nga ana e nga Kolegjit. Vendimi prej 19 faqesh shpjegon në mënyrë të detajuar përse u rrëzua kërkesa e socialistëve, por fund të tij shfaqet një kleçkë.
Nga konsulta e “Shekullit” me disa juristë të ndryshëm, është i habitshëm paragrafi i fundit i faqes 17 në të cilin thuhet: “..Një tjetër aspekt i vlefshmërisë të aktit administrativ të K.Q.Z është dhe përputhja e tij me përmbajtjen e ligjit. Si akt nënligjor një akt administrativ duhet të jetë në përputhje me ligjin që ai i referohet. Sipas teorisë të së drejtës një akt ka mospërputhje me Ligjin kur, 1- parashikon ose urdhëron kryerjen e veprimeve të caktuara që Ligji nuk i lejon ose i ndalon dhe 2- kur ndalon ose refuzon të drejta të përcaktuara në Ligj.
Në rastin konkret nuk jemi para asnjë prej këtyre rasteve që do të çonin në pavlefshmërinë e aktit administrativ. Kodi Zgjedhor në asnjë dispozitë të tij nuk parashikon moslejimin apo ndalimin e vlerësimit dhe numërimit të një sasie të caktuar votash, qofshin këto të hedhura në kutinë e gabuar, vota që shprehin qartë vullnetin e zgjedhësve që kanë votuar dhe po kështu nuk ndalon të drejtën e çdo zgjedhësi që vota e tij të shqyrtohet dhe të vlerësohet nëse është e vlefshme apo jo.
Një akt i tillë vjen në përputhje edhe me qëllimin e vetë Ligjit, Kodit Zgjedhor që është administrimi i procesit zgjedhor dhe shpallja e rezultatit të zgjedhjeve, si qëllim final pas gjithë procedurave administrative të ndjekura”. Ky paragraf duket sikur ezauron njërën nga kërkesat kryesore të socialistëve për ditën e hënë.
I habitshëm është fakti që kjo përgjigje nuk i është kërkuar Kolegjit Zgjedhor nga PS. Kërkesa e PS në Kolegj ka qenë: “Konstatimin si absolutisht të pavlefshëm të Vendimit të KQZ-së nr. 709, datë 23.05.2011 “Për vlerësimin e fletëve të votimit…, të vendimit të KQZ-së të datës 18.05.2011 (të miratuar në parim), si dhe anulimin e të gjitha vendimeve dhe veprimeve administrative të kryera nga KQZ-ja për rivlerësimin, rinumërimin dhe ndryshimin e tabelave të rezultateve…”
Vetë juristë të PS-së, të kontaktuar dje nga “Shekulli” thonë që është e vërtetë që Kolegji është përgjigjur për gjëra të cilat nuk i janë kërkuar. Por nga ana tjetër, edhe pse kjo nuk i është kërkuar Kolegjit, ai është shprehur. Në këtë situatë, ky paragraf mund të përdoret nga Partia Demokratike ditën e hënë duke thënë që ka një vendim gjykate për këtë çështje dhe për pasojë padia e socialistëve duhet të pushohet.
Akoma më të dyshimta bëhen rrethanat e formulimit të këtij paragrafi, në një kohë kur kemi parasysh se Kolegji Zgjedhor u vonua në zbardhjen e arsyetimit. Fillimisht Kolegji Zgjedhor u justifikua se kishte tre ditë kohë për ta zbardhur vendimin, por duke qenë se mes tyre qëllonte e shtuna e diela, afati shtyhej pesë ditë. Më pas relatori i çështjes, Tom Ndreca tha se vonesa kishte ardhur për faktin që disa prej gjyqtarëve jetojnë jashtë Tiranës dhe në fundjavë kishin shkuar në shtëpi. Këto justifikime zgjatën deri sa PS bëri publike padinë e radhës.
Kjo hedh hije të forta dyshimi për kohën kur është shkruar ky paragraf. A është ky tejkalim në arsyetimin e Kolegjit Zgjedhor i rastësishëm apo i qëllimshëm, kjo mbetet për ty parë në seancën e së hënës ku PS ka ngritur këtë pyetje.
‘Faqja 17’ e rrëzuar në faqen 8
Në arsyetimin ligjor të përdorur për të rrëzuar padinë e PS-së, Kolegji është bazuar më së shumti në faktin nëse është apo jo akt normativ vendimi nr.709 për rivlerësimin e fletëve të votimit. Gjyqtarët e Kolegjit kanë shpjeguar se bazuar në ligj, vendimi i KQZ-së nuk është akt normativ dhe për pasojë nuk duhet miratuar me pesë vota.
Në vendim sqarohet se aktet normative kanë vlerë në të gjithë vendin dhe kanë një natyrë abstrakte. Në këtë pikë demokratët kanë përdorur një artificë, e cila është shfrytëzuar edhe nga Kolegji Zgjedhor në arsyetimin e vendimit. Hapja e kutive është kryer në mënyrë selektive, vetëm në nëntë njësi bashkiake të Tiranës.
Në dy njësi të tjera kishte përfunduar edhe numërimi i kutive për minibashkitë dhe për pasojë nuk kishte më mundësi rinumërimi. Në vendimin e tij Kolegji sanksionon se “vendimmarrja e KQZ-së do të quhej akt normativ nëse do të kishte vlerë në të gjithë Shqipërinë. Në rastin konkret ai nuk ka vlerë as për të gjithë Tiranën”.
Baza ligjore për përcaktimin e aktit normativ është marrë Kodi i Procedurës Administrative dhe Doktrina e të Drejtës Administrative. “Konkretisht, nëpërmjet këtij vendimi është rregulluar një marrëdhënie juridike specifike, e cila ka lindur pas kërkesës së disa KZAZ-ve të njësisë zgjedhore Bashkia Tirane lidhur me fatin e një kategorie votash të hedhura aksidentalisht në kutinë e gabuar brenda të njëjtës qendër votimi.
Statusi juridik i kësaj marrëdhënieje nuk shtrihet në të gjitha KZAZ-të e njësisë zgjedhore Bashkia Tiranë, aq më pak në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, pasi aktivizimi i KQZ-së rezulton vetëm për nëntë ZAZ të kësaj njësie zgjedhore. Gjithashtu, disponimi i KQZ-së nëpërmjet këtij vendimi është konkret, pra, nuk ka natyrë abstrakte”,- thuhet në arsyetimin e vendimit të Kolegjit.
Sipas tij, KQZ veproi sipas ligjit sepse nuk morri vetë iniciativën, por e kreu këtë gjë pas kërkesës së disa anëtarëve të KZAZ-ve dhe nga Partia Demokratike. Edhe në pjesën e ligjshmërisë së vendimmarrjes së KQZ-së, Kolegji është shprehur se këtë të drejtë ia jep Kodi Zgjedhor.
Strategjia
Dy paditë e para janë përdorur nga socialistët më shumë si një formë presioni ndaj KQZ-së për të ndaluar procesin e ndryshimit të rezultatit në tavolinë, strategji e cila nuk funksionoi. Vendimi përfundimtar varet vetëm nga padia e tretë ku Kolegji Zgjedhor do të shprehet për dy elementët thelbësorë të të gjithë çështjes: A janë të vlefshme votat e hedhura në kutinë e gabuar dhe mospërputhja e numrit të votave me numrin e njerëzve që kanë votuar më 8 maj.
Seanca është ditën e hënë në orën 10, shorti ka përzgjedhur si relator gjyqtaren Dhurata Haveri, dhe katër kolegët e saj janë Shashenka Jonuzi, Marie Qirjazi, Meriban Mullaj dhe Astrit Kalaja.
Çudia
Vendimi i Kolegjit Zgjedhor është shpërndarë pasditen e djeshme për të gjitha mediat nga Partia Demokratike. Vetë Kolegji Zgjedhor ka preferuar që t’ia japë vendimin vetëm palëve të përfshira në proces PS, PD dhe KQZ si dhe OSBE-së. Më pas vendimi është shpërndarë në formë elektronike edhe nga zëdhënësi i KQZ
120 orë
Kolegji Zgjedhor zbardhi vendimin e plotë, në të cilin argumentohet vendimi për kërkesën e PS-së pas pesë ditësh. Ai është bërë publik vetëm dje në orën 17:30, kur kishte përfunduar orari zyrtar i punës në Gjykatë dhe një pjesë e stafit ishte larguar. I fundit që firmosi vendimin ishte gjyqtari Petraq Dhimitri
19 faqe
Vendimi i publikuar pasditen e djeshme nga Kolegji Zgjedhor është hartuar në 19 faqe. Ai është firmosur dhe pranuar nga të pestë gjyqtarët. Kjo do të thotë që ai është miratuar pa asnjë votë kundra. Nëse do të kishte mendim të kundërt nga shumica, në vendim do të gjendej edhe arsyetimi pse gjyqtari nuk e pranon
Galeri Foto
Faksimile e vendimit të Kol