Jo vetëm rishikimi i buxhetit që qeveria vendosi ta bëjë në gjysmën e vitit, por dhe mënyra se si po e rishikon po bëhet sipas një recete të gabuar, që sipas kryetarit të opozitës Edi Rama dhe kreut të Këshillit Ekonomik Kombëtar, Shkëlqim Cani, do të çojë në një tjetër rishikim të detyruar brenda këtij viti. Shërim, sipas Ramës nuk japin as 3.2 miliard eurot e kredive të buta për të cilat Berisha foli të mërkurën. Ndërkohë, opozita është e bindur se qeveria po manipulon me shifra. Sipas saj, nëse trinomi Qeveri- INSTAT -Bankë e Shqipërisë do të ishte transparent, borxhi nuk do të ishte 61%, por mbi 100%. Rritja e rrogave dhe pensioneve do të ishte deri në 20%, sipas Canit, nëse për shkak të keqqeverisjes në gjysmën e dytë të 2009 e deri tani nuk do t’i ishte shkaktuar buxhetit të shtetit 25 miliard lekë dëm. Sipas kreut të opozitës, ndërsa shqiptarët po varfërohen përditë, përditë e me tepër po pasurohen pushtetarët dhe për ketë flet dhe privatizimi sipas tij jo transparent i pronave të ushtrisë. Këto privatizime Rama tha se do t’i anulojë ditën që do të vijë në pushtet. Ndërkohë Ministria e Mbrojtjes në një konferencë për shtyp ka mbrojtur qëndrimin se këto privatizime janë krejtësisht transparente. Madje ka ftuar Bashkinë e Tiranës të aplikojë për t’i marrë këto prona në përdorim nëse argumenton se i duhen qytetit.
Z. Rama e quajtët qesharake shifrën prej 3.2 mld eurosh që qeveria ka marrë borxh. FMN dhe BB ka folur pozitivisht. Shitja e pronave të ushtrisë…
Së pari mos spekulojmë as me FMN as me Bankën Botërore. FMN ka folur për një rishikim të pamjaftueshëm të buxhetit. Banka Botërore ka folur për një histori suksesi 20 vjeçare. As në rastin e parë dhe as në rastin e dytë nuk kemi deklarata të cilat mund të shërbejnë për të justifikuar këtë gjendje ekonomike skandaloze që po e ndjejnë shqiptarët në shtëpinë e tyre, që po e ndjen sipërmarrja e cila po bardërdiset me gjoba. Dy gjëra janë rritur në Shqipëri gjatë gjithë kësaj periudhe krize ekonomike: 1- Pasuria e oborrit në pushtet. 2- Gjobat abuzive ndaj sipërmarrjes, e cila është kthyer në një objekt të një gjuetie shtrigash për të mbushur arkën e zbrazur të shtetit për qëllime thellësisht korruptive dhe elektorale, si dhe për të garantuar një pushtet i cili pasi u riciklua duke vjedhur votën po vazhdon të grabisë Shqipërinë.
Pronave të Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Ekonomisë se do i nxjerrë në ankand.
Dua t’u ftoj të kuptoni se bëhet mbi një vlerë të dhënë ky proces, dhe kjo vlerë e dhënë është kriminale. Njëkohësisht dua të ritheksoj se ne nuk jemi kundër politikave të privatizimit të partneritetit me sektorin privat dhe me radhë të të gjitha instrumenteve që i japin frymëmarrje ekonomisë. Përkundrazi kundër të gjitha këtyre në mënyrë qorre ka qenë njeriu që sot e udhëheq vendin drejt greminës, po në një mënyrë qorre, duke iu turrur të gjithë pasurisë së përbashkët dhe duke bërë privatizime e tjetërsime që nuk kanë asnjë lidhje me proceset që e konsolidojnë strukturalisht ekonominë e një vendi dhe që garantojnë të ardhmen e tij. Duke bërë që nga këto asete ne të kemi më shumë të gjithë bashkë, jo nga këto asete publiku të humbasë dhe një grusht njerëzish të fitojnë. Ajo çka ne dimë pa as më të voglin dyshim është shumëfish më pak se ajo çka ndodh në realitet. Por, pa as më të voglin dyshim, ne sot nesër e më tutje si opozitë dhe si qeveri në të ardhmen e afërt, do t’u shkojmë deri në fund këtyre praktikave, do t’i zbardhim tërësisht dhe do t’i anulojmë të gjitha ato praktika dhe procese privatizuese e tjetërsuese që janë bërë me qëllime thjesht dhe vetëm korruptive dhe që nuk i kanë sjellë arkës së shtetit dhe publikut shqiptar asgjë tjetër përveç se shkatërrimit dhe varfërimit.
Ju folët për një borxh publik, që i fshehur po shkon rreth 100%. A ka një skenar të parashikuar politiko-ekonomik nëse qeveria do të vazhdojë të mos dëgjojë?
Kjo është një pakicë në pushtet. Është në pushtet pikërisht për këto që po bën, për të grabitur ç’të mundet dhe për të lenë pas tokë të djegur. Ne i kemi rënë kambanave jo thjesht si një detyrë funksionale që e ka një opozitë, sepse këtë bën çdo opozitë. I kemi rënë kambanave në mënyrë të posaçme, duke e paralajmëruar publikun dhe duke kërkuar që qeveria të hapë veshët, që çka po ndodh sot të mos ndodhte dhe çka do të ndodhë nesër të mos ndodhë, që është shumë më e rëndë se ajo që po ndodh sot. Shkurtimi është i domosdoshëm. Problemi është vonesa i ka shfaqur pasojat e veta dramatike për ekonominë. Mënyra sesi bëhet shkurtimi nuk do e zgjidhë problemin, e rëndon atë dhe nevoja për ta rishikuar përsëri buxhetin është në horizont brenda këtij viti. Të treja këto së bashku çfarë duan të thonë? Duan të thonë vetëm një gjë, që qeveria nuk luan asnjë rol pozitiv, përkundrazi e ndjek pas krizën tinëz, fshehurazi ndaj publikut dhe e ka humbur tërësisht mundësinë për ta kapur krizën dhe për ta ndalur dhe pastaj edhe për ta asgjësuar me një proces të arsyeshëm. Përpara publikut flet për sukses, për konsolidim, për zhvillim, për lumturi dhe tinëz mundohet ta ndjekë krizën me masa skuthe dhe papritur gjendet e detyruar ta bëjë këtë shkurtim jashtë kohe dhe jo në mënyrën e duhur