Home Politike Rama 100 dite: “Do te shfarosim korrupsionin”

Rama 100 dite: “Do te shfarosim korrupsionin”

510
0

rama-100-diteKryeministri Edi Rama së bashku me 19 ministrat e kabinetit qeveritar prezantuan sot për më shumë se 3 orë rezultatet e 100 ditëve të para të qeverisjes për një Shqipëri europiane, të cilat do të ishin perfekt nëse do ishin kurorëzurar me marrjen e statusit të vendit kandidat në BE.

Ndërkohë njëqind ditëshi i dytë i qeverijes do të jetë më i ashpër për luftën e korrupsionit e cila në 100 ditëshin e parë ka shërbyer si fillim të kësaj lufte.

Në cilësinë e kryeministrit të vendit, Rama paralajmëroi shfarosje të “korporatave të korrupsionit” të cilat janë kthyer në sistem fitimprurës, për t’i treguar shqiptarëve dhe BE-së se qeveria e tij do t’ia dalë në misionin e vështirë për të transformuar imazhin e të huajve për Shqipërinë.

Për kryeministrin opozita, po kërkon një pikë ujë në thatësirën ku është futur, duke fajësuar qeverinë e tij 3 muajshme për mos marrjen e statusit, por shtoi se nuk do të rrinte në heshtje por do të refuzonte abuzimin që bëjnë forcat ekstremiste brenda në Bashkimin Europian me fenë e shqiptarëve. Për Ramën ata janë problemi i Bashkimit Europian, jo shqiptarët.

Mes të pranishmëve në Teatrin e Operas dhe Baletit, ra në sy ambasadori i SHBA-së Aleksandër Arvizu, Ambasadori i BE-së Ettore Sequi dhe ambasadori kinez, Ye Hao.

DO SHFAROSIM KORPORATAT E KORRUPSIONIT
Duke vënë theksin në në reformën në drejtësi Rama tha se kjo reformë nuk mund të jetë ekskluzive e qeverisë, por duhet të ndihmojnë të gjithë Parlamenti, ndërkombëtarët por dhe shoqëria.
“Nëse ne nuk e atakojmë në zemër një sistem korporativ që është kthyer në një sistem fitimprurës për ata që gëzojnë privilegje dhe marrin peng intersat e më të dobtëve atëherë kjo korporatë do të mbytë çdo shpresë për një Shqipëri të drejtë ku Drejtësia jep drejtësi dhe ku e drejta nuk është mall që blihet sipas nevojës por është shërbim kushtetues që i jepet të gjithëve.”- tha Rama.

RAMA: VENDOSEM GURIN E PARE: TRANSPARENCA
Kryeministri në fillim të fjalës tha se është vendosur guri i parë i mirëqeverisjes transparenca.
Në këto 100 ditë kemi treguar me vepra këtë përkushtim. Përmbushëm objektivat tona në krye të 100 ditëve. Disa kanë qenë të dukshme, të tjerat do të duken me hyrjen e buxhetit 2014. “Sot jemi thirrur në provë për të provuar se modernizimi tërësor i shërbimeve publike, duke nisur nga modernizimi i administratës është pjesa e munguar në luftën kundër korrupsionit. Konkurenca janë vlerat që sapo kemi nisur ta bazojmë këtë proces dhe krijimi i mundësive të barabarta. Qysh prej 1 janarit 800 mijë vetë do të marrin vizitën mjekësore falas e kemi garantuar. Nga 1 janari 30 mijë gra e vajza që as nuk merrnin dot ekzaminimet mjekësore për shkak të varfërisë e papunësisë do i bëjnë falas. Kemi çliruar shkollat nga aktiviteti tregtar dhe i kemi dhënë rrugë ndërtimit të shkollës si qendër komunitare.”

RAMA: BIZNESI I MADH TE BASHKOHET ME NE KUNDER INFORMALITETIT
“Nga 1 janari do përmbyset piramida e sotme për të gjithë ata që do taksohen. Kush është më lart do paguhet më shumë dhe kush është më poshtë do paguhet më pak.
Tatimi fitimi për kompanitë është një taksë shumë e ulët dhe nuk përbën asnjë rritje të paarsyheshme e asnjë lloj cënimi të xhepit të ekonomisë që ka të bëjë me kompanitë. Ne ftojmë biznesin e madh të bashkohet kundër informalitetit. Të garantojë që pabarazia të mos i cënojë ata që paguajnë, Ata e dinë mirë se ato që kanë paguar dje ka qenë shumë më tepër se 10 %. Në këndvështrimin tonë ne kemi ulur edhe për ata.”
Fjala e plotë e kryeministrit Rama

ORA 12:18 RAMA: NJË AXHENDË PËR SHQIPËRINË EUROPIANE
“Me 23 qershor, 1 milion vullnete u bashkuan si pika të qarta ndryshimi që formësonin vijën ndarëse mes shumë të shkuarave dhe një të ardhmeje të përbashkët. Të ardhmen e një Shqipërie ku burimet e paçmuara të vendit janë në shërbim të mirëqënies të secilit prej qytetarëve të tij. Të ardhmen e një Shqipërie ku qeverisja jetëson vullnetin e njërëzve, vlerat e popullit dhe shpresat e brezave të rinj. Ne besojmë se kjo e ardhme fillon pikësëpari si qeverisje e përbashkët e vendit me transparencë, dialog e përgjegjshmëri, në emër të të cilave ndajmë me ju këtë raport të 100 ditëve të para të qeverisjes së re.”- shkruan Rama duke publikuar dhe raportin për 100 ditët e para të qeverisjes.Kemi çliruar shkollat nga aktiviteti tregtar dhe i kemi dhënë rrugë ndërtimit të shkollës si qendër komunitare. Gjetëm pamundësinë për të paguar invalidët, që nuk ishin paguar që prej korrikut. Ata nuk na lanë lekët për ta por i morën.Me buxhetin e ri nga janari asnjëherë nuk do të vonohen pagesat e tyre. Është hera e parë që brenda 100 ditësh qeveria tregon se është në mbrojtje të konsumatorit. Kemi marrë në mbrojtje Krujën, Gjirokastrën e Beratin.”- tha Rama.

PER EUROPEN PROBLEM FORCAT EKSTREMISTE JO SHQIPERIA
“Padyshim që 100 ditëshi do të kishte qenë perfekt në qoftë se do të ishte kurorëzuar me statusin e kandidatit, edhe pse e kemi thënë dhe padyshim e përsëris edhe sot nuk do të ishte arritja jonë ekskluzive. Ne thjesht bëmë çmos në 100 ditë që t’i jepnim atë shtysë që mungonte për ta merituar statusin bazuar në çka është shprehur Komisioni 1 vit më parë dhe bazuar në gjithçka kemi dëgjuar nga miqtë dhe partnerët tanë që nga fillimi i 100 ditëshit.
Nisma për dialog të nivelit të lartë ndërmjet Shqipërisë dhe Komisionit Evropian që Komisioneri Fyle e vlerësoi si nismën e dialogut të nivelit të shkëlqyer ishte njëri nga hapat e kërkuar prej kohësh dhe që ne e realizuam falë edhe angazhimit të drejtpërdrejtë të Ministres së Integrimit me shumë përkushtim në gjithë këtë proces. Plani Strategjik i Veprimit për Luftën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përsëri ishte një domosdoshmëri e shkuar dhe u realizua në një kohë rekord.

Po ashtu edhe krijimi i sektorit të Shoqërisë Civile në Ministrinë e Integrimit ishte një risi që u përshëndet. Por, të gjitha këto nuk ishin çka e kishin penguar Shqipërinë deri dje të merrte statusin. Të gjitha këto ishin plotësuese për të marrë vlerësimin e lartë që morëm dhe, sigurisht, vendimi për marrjen e statusit në qershor nuk ishte vendimi më i mirë që BE mund të merrte. As për rajonin nuk ishte gjëkundi vendimi më i mirë. S’ka dyshim që ne na vjen mirë, më vjen mirë mua, i vjen mirë të gjithë ministrave, i vjen mirë gjithë përfaqësuesve të shumicës parlamentare që puna e sapo nisur e qeverisë së re është vlerësuar me notat më pozitive, nga vendet anëtare.

Gjë që na është ritheksuar qoftë në bisedën e drejtpërdrejtë me Komisionerin Fyle pas marrjes së vendimit, marrjes së vendimit për të mos marrë vendim, qoftë në takimin që së bashku me Ministrin e Jashtëm dhe Ministren e Integrimit kemi pasur me Ambasadorët e Bashkimit Evropian para dy ditësh. Mbetemi të keqardhur që opozita vazhdon “ia mbyt katundit” siç i thonë lidhur me çështjen e statusit, ndërkohë që vetë kushtet e vështirësuara prej situatës brenda disa vendeve anëtare të BE-së mund ta kishin bërë opozitën më solidare jo me qeverinë natyrisht, por me shqiptarët përballë qëndrimesh të papranueshme që mbajtën haptazi ndaj nesh në vigjilje të vendimmarrjes përfaqësues forcash ekstremiste antievropiane në disa vende anëtare.

E kam dëgjuar udhëheqësa dhe udhëndjekësa të Partisë Demokratike të na akuzojnë si eurofobë, se po hedhim baltë mbi Evropën. Jo! Ne thjesht kemi refuzuar të pranojmë në heshtje fyerjet dhe kategorizimet e papranueshme që iu bënë Shqipërisë dhe shqiptarëve në prag të vendimmarrjes, jo nga institucionet e Bashkimit Evropian, as nga qeveritë e vendeve të Bashkimit Evropian, po nga forca dhe individë që ëndërrojnë hapur dhe propagandojnë përditë mbylljen në vetvete të Bashkimit Evropian dhe deri edhe daljen nga euroja apo nxjerrjen e vendeve të tyre jashtë BE-së. Kësi forcash, fatkeqësisht, po rriten nëpër sondazhe në vendet e tyre dhe zërat e kësisoj individëve është fakt se arrijnë ta ndikojnë për keq edhe fatin në tërësi të politikës evropiane të zgjerimit. Kjo është e vërteta. Është një e vërtetë e njohur botërisht. Nuk është shpikje e jona, siç ishte përshembull albanofobia që ishte shpikje ekskluzivisht shqiptare. Nëse për opozitën këto forca janë të dëshiruara sepse pengojnë përveç shumë gjërash brenda BE-së edhe rrugën tonë të integrimit dhe kështu opozita mund të fajësojë qeverinë apo mua vetë për mosmarrjen e statusin me shpresën, në fakt, të varfër se do nxjerr ndonjë pikë uji për mullirin e vet në këtë thatësirë të madhe për të, kjo është zgjedhja e opozitës. Ndërsa unë vetë mes heshtjes kokulur ndaj deklaratave të atyre që në çfarëdo gjuhe të Evropës e akuzojnë haptazi Shqipërinë si çerdhen e gjithë të zezave dhe thënies shqip të të vërtetës se këto lloj forcash dhe jo Shqipëria janë problemi i Bashkimit Evropian, sot, nuk preferoj heshtjen tinëzare për motive politike të brendshme, po shqipen e qartë, shqipen evropiane të Naim Frashërit që ia ka thënë këtij kombi kaherë se dielli i shqiptarëve lind nga perëndimi. Shqipen evropiane të Fan Nolit që e bëri Shekspirin të flasë edhe shqip dhe foli për të gjithë shqiptarët gjuhën evropiane të integrimit në Evropë ende pa aguar Bashkimi Evropian. Shqipen evropiane që në Shqipëri e flasin njësoj në harmoni myslimanë dhe të krishterë, në emër të së cilëve si kryeministër i këtij vendi e refuzoj me përçmim abuzimin që bëjnë në fenë e shqiptarëve, këto lloj forcash dhe individësh që s’kanë asnjë lidhje me idealin e etërve themelues të Bashkimit Evropian.
Dua të jem prapë shumë i qartë dhe në shqipen evropiane dua ta përcaktoj sot rrugën tonë drejt Familjes Evropiane me fjalët e njërit prej mendjendriturve më të mëdhenj të Evropës, që ia kushtoi jetën dhe kaloi mes shumë peripecish për të çelur rrugën e Bashkimit Evropian, Jean Monnet, i cili thoshte ‘nuk jam optimist, por jam i vendosur për Bashkimin Evropian’. Rrugën e fatit evropian për atdheun tonë e kanë shkruar gjeografia, historia, gjaku, letrat dhe stërmundimet e njerëzve tanë, që nga rilindasit e kombit tek heronjtë e çdo beteje për kombin shqiptar, që nga dëshmorët e Luftës Nacional Çlirimtare tek martirët e diktaturës komuniste, që nga emigrantët e parë të ambasadave dhe studentët e dhjetorit, pak pas tyre, tek artistët që shkëlqejnë nëpër botë dhe tek çdo shqiptar i zakonshëm që në tërë këto vite ka ëndërruar Evropën dhe ka ndërtuar një copëz sado të vogël Evrope, qoftë këtu në Shqipëri për vendin apo për familjen e vet, qoftë jashtë Shqipërisë. Rrethanat e reja në Evropë prodhojnë, fatkeqësisht, gjithnjë e më pak optimizëm për Bashkimin Evropian dhe gjithnjë e më shumë “enlargement fatigue” siç e quajnë atyre anëve lodhjen nga zgjerimi, ndërsa për ne prodhojnë përditë dhe më shumë vendosmëri. Vendosmëri jo për t’u mbushur mendjen atyre që do të na gjykojnë në Bruksel për progresin e bërë, por për të ndërtuar çdo ditë për popullin tonë rrugën e Shqipërisë Evropiane. Vendosmëri për ta rilindur vendin tonë dhe për ta ngritur atë në lartësinë e duhur në sytë e mbarë botës. Vendosmëri për të ecur më shpejt në rrugën që kemi nisur në këto 100 ditë, për të vendosur rendin ligjor dhe rilindur ekonominë kombëtare dhe familjare të shqiptarëve. Vendosmëri për dialog për të dëgjuar me vëmendje të tjerët, opozitën, sipërmarrjen, grupet e interesit, shoqërinë civile, përpara se sa të marrim vendimet që e kemi ne peshën e përgjegjësisë t’i marrim për çka është në kompetencat e qeverisë. Vendosmëri për të marrë përgjegjësi për të bërë ne të parët detyrën karshi Kushtetutës, ligjit, palëve të tjera të interesuara sipas çështjeve dhe rasteve dhe pastaj për ta kërkuar deri në fund marrjen e përgjegjësisë edhe nga të tjerët. Vendosmëri për të krijuar dhe forcuar partneritete në çdo drejtim dhe për çdo sfidë për të ndërtuar së bashku me të tjerët falë dialogut dhe përgjegjësive respektive rrugën e re të Shqipërisë së gjeneratës tjetër. 100 ditë pasi u ulëm në shërbim të zgjedhësve dhe për Shqipërinë e gjeneratës tjetër në tryezën e qeverisë së vendit, ne, edhe falë refuzimit për të na e dhënë statusin tani dhe për të na e lënë në qershor, jemi ende më të vendosur dhe ende më besimplotë se ç’ishim që jo vetëm do t’ia dalim të mbajmë çdo zotim që kemi marrë përpara shqiptarëve, por do t’ia dalim që në katër vjet të transformojmë imazhin e të huajve për Shqipërinë, atdheun tonë të përbashkët.”

ORA 11: 30- 13:00 MINISTRAT PREZANTOJNE REZULTATET
“Më 23 qershori populli votoi për të transformuar dhe modernizuar qeverinë” tha zv/kryeministri Niko Peleshi i cili hapi dhe prezantimin e “100 ditëve të para të qeverisë”
Më pas u prezantua një minidokumentar me historinë e qeverisë, nga dita e parë në atë të 100. Dëshmi të personazheve treguan ndryshimet që kanë nisur në arsim, shëndetësi dhe shërbime sociale. Më pas seicili nga 19 ministrat prezantuan rezultatet që kanë arritur në dikasteret që drejtojnë.

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj: “Ia dolëm të ndryshojnë ligjin për sigurimet shëndetësore. Garantoj të gjithë fermerët se nuk do të ketë rritje të poagesës së kontributeve shëndetësore për ta. U përmirësua furnizimi në spitalin e traumës me barëra. Riparuam dhe vumë në punë paisjet mjekësore në QSUT. Furnizuam laboratorin me QSUT me material mjekësore. Mbetem me besim për ndryshimin rrënjësor të kudjesit ndaj pacientëve.”

Ministrja e Arsimit Nikolla: Ia dolëm të çlirojmë shkollat nga aktivitetet private. Proces transparent me të gjithë stafet për kodin e etikës, për të luftuar kurset private dhe korrupsionin në arsim.

Ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj: Sistemuam 300 qytetarët romë. Dërguam 800 vetëm për abuzimin me skenëm. Me anë të aktit normative siguruam pagesën e dhjetorit për ndihmën ekonomike dhe invalidët.

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli u shpreh: “Bëmë një lufte frontale dhe pa ekuivok ndaj korrupsionit, duke instaluar sitemin e meritokracisë në të gjitha drejtimet dhe nivelet. Ne dhuruam ambjentet për akomomdimin e 54 familjeve rome në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe të Rinisë, i dhamë një çati dhe strehë 109 fëmijëve nga këto familje. FA u angazhuan në mënyrë të drejtëpërdrejtë dhe bashkëpunuese në aksionin e shtrirë në të gjithë territorin e vendit, në megaprojektin si ta pastrojmë Shqipërinë në një ditë. Vetëm Forcat e Armatosura kanë pastruar mbi 230 km rrugë dhe120 mijë metra katror bregdet”. Në vijim të fjalës së saj ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli u shpreh: “Gjetëm brenda kësaj ministrie plot 15 milionë dollarë borxhe, fatura të papaguara që datonin prej kohësh ndaj personelit, ndaj atyre djemve dhe vajzave që shërbejnë jashtë kufijve të Shqipërisë. Një marrëveshje me Departamentin e Mbrojtjes së SHBA-së, për trajnimin në Akademinë e New Jersey me një vlerë prej 1.3 milionë dollarë, por dhe shumë më shumë se kaq, sepse dinjiteti i munguar i Forcave të Armatosura nuk do të jetë më pjesë e fjalorit, jo vetëm për sot, por deri sa ne të mundësojmë dhe ta ngrejmë këtë dinjitet në lartësinë dhe nivelin e asaj që FA të një vendi të NATO-s meritojnë”.

Ministri i Mjedisit, Lefter Koka: Mbyllëm 109 furra gëlqere, hartuam një moratorium 2-vjeçar për ndalimin e gjuetisë. Identifikuam 500 ndërtime pa leje në zona të mbrojtura dhe shumë shpjet nis puna me INUK

Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, u shpreh se “një nga masat e para që morëm ishin masat rehabilituese në të gjithë territorin e Shqipërisë, me fokus zonat e Rëndësisë Kombëtare. Më lejoni t’ju jap vetëm një shembull, një statistikë domethënëse: Nga 1332 raste objektesh të kundraligjshme të konstatuara gjatë periudhës 2012-shtator 2013, vetëm 1 objekt ishte prishur nga qeveria e mëparshme. Ndërkohë që vetëm në 100 ditë, Inspektoriati Urbanistik Ndërtimor Kombëtar ka prishur në total 582 ndërtime të kundraligjshme”. MZHUT, Gjermeni: Ja 100 ditët e mia në qeverisje

Ministrja e Inovacionit dhe e teknologjisë, Milena Harito: “Menjëherë ndërtuam bazën e CV online, që janë mbi 16 mijë të tilla që janë baza e shkëlqyer. Mbi këtë bazë, vijnë edhe konkurentët nëpër vendet e punës. Mbështetëm në mënyrë cilësore organizmin e kabinetit qeveritar me struktura të reja. Në fushën e inovacionit kemi pasur sfida të tjera. Kemi mbyllur mijëra sajte ilegalë, të cilët nuk kishin leje për në Shqipëri. Jemi përballë disa forcave të organizuara sepse edhe pse kemi mbyllur 6 mijë sajte, sërish hapen. Kemi nisur projekte të reja, si Itraking, që është ndjekja e punës së ministrisë, që çdo qytetarë të dijë se sa lekë harxhohen. Ne i vumë të gjithë aktorët e dixhitalizimit të televizioneve, për të kuptuar se ku ishin. Kaq mbledhje sa kemi bërë sot, nuk i kemi bërë në 8 vjet, ky është ndryshimi dhe Rilindja.

Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço: “Treguam vullnet të fortë për të reformuar sistemin e drejtësisë. Duam të jetë i pavarur, duam të dekurajojmë korrupsionin prandaj duam të miratojmë ligjin për vënien sekuestro të pasurisë të vendosur me para të pista. U dhanë 50 milionë dollarë më shumë për reformën në drejtësi“.

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri: Kemi bërë më shumë. Kemi rikthyer policinë e shtetit. Kemi nxjerrë nga bunkeri ku ishte futur. Kemi instaluar sistemin e meritokracisë. Buxheti këtë vit krahasuar me buxhetet e kaluara është paketa më e plotë e mbështetjes buxhetore. 16 vrasje më pak se vitin e kaluar në këtë periudhë. Ka përmirësime të dukshme ka më pak aksidente. Kemi mbyllur njësitë e paligjshme të lojrave të fatit.

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani: Gjeta 100 milionë dollarë fatura të papaguara. I shlyem brenda dy muajsh. Për taksën progresive. Mua si ministër i Financave më mbahej 15% i pagës, ndërsa sanitarja paguante 20% të pagës, tani unë ajo do paguajë më pak. Do të shlyejmë borxhin 350 milionë ndaj biznesit. Do rrisim pagat dhe pensionet. Cani: Ja 100 ditët e Ministrisë së Financave

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti: Ndërhyrje emergjente në sistemin e kullimit. Firmosëm 10 mln euro $ kredi për bujqësinë shqiptare. Ndarja e tokës sipas ligjit 7501 është drejt finalizimit Fjala e plotë e Ministrit të Bujqësisë

Miinistri i Energjetikës dhe Industrisë, Damian Gjiknuri: Anuluam koncesionet e dhëna në ditët e fundit në mënyrë të paligjshme dhe aspak të pakëndshme, për të treguar se jemi të barabartë.

Ministrja e Integrimit Mirela Kumbaro tha se do të donte të falenderonte të gjithë vendet anëtarë, që folën me notat më të larta për progresin që ka bërë Shqipëria jo vetëm në këto 3 muaj por, në shumë vite. “Dua t’’i falenderoj për mënyrën si janë shprehur për punë e qeverisë, sepse për mua dhe për gjithë shqiptarët ky mesazh duhet të jetë inkurajues për të vijuar dhe për të ndërmarrë ato reforma të cilat do të transformojnë jetën e tyre, që do të zhvillojnë vendin, sepse në fund të fundit ne duam ta kthejmë këtë vend në një vend ku të sundojë ligji , transparenca, por mbi të gjithë të ketë më shumë mirëqenie për qytetarët shqiptarë.”- tha Harito.

NIKO PELESHI DREJTON PANELIN
Katër panelet që do të jenë për këtë qëllim, do të drejtohen nga zv.kryeminsitri Niko Peleshi. Në fokus të qeverisë gjatë 100 ditëve janë, përmirësimi i komunikimit me publikun, lufta ndaj korrupsionit, promovimi i Shqipërisë në botë si dhe zhvillimi ekonomik i vendit.

Gjithashtu do të ketë edhe një koncert, nga një kor i fëmijëve të Liceut Artistik të Tiranës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here