Kancelaria gjermane Angela Merkel në konferencën e përbashkët për mediat me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaci të mbajtur në aeroportin ‘Adem Jashari’, ka qenë shumë e qartë sa i takon kërkesave që duhet të përmbushë Serbia dhe Kosova për një rajon më të qetë.
Kancelarja gjermane vlerësoi se duhet të ketë një komunikim të hapur me Serbinë për t’i dhënë fund konflikteve, pasi bashkëpunimi mes Kosovës dhe Serbisë do të sjellë edhe stabilitet në rajon. Merkel kërkoi Serbisë që të heqë strukturat paralele, ndërkohë që Kosovës i kërkoi që të jetë më konstruktive në dialogun e nisur.
“Në bisedat tona me Serbinë ua kemi bërë të qartë se çka dëshirojmë ne. Ne besojmë se mes Kosovës dhe Serbisë mund të gjenden mundësi për tregti të lirë, për bashkëpunim kufitar dhe jemi të interesuar që në Kosovë mos të ketë struktura paralele serbe. Duhet të gjenden forma të normalizimit të marrëdhënive. Unë i kam kërkuar palës kosovare që ta jap kontributin e saj në këtë drejtim”,- u shpreh kancelaria gjermane.
Nga ana e tij, shefi i qeverisë kosovare e siguroi homologen gjermane për angazhimin e Kosovës në përmbushjen e detyrimeve, ndërsa theksoi se synimi i Prishtinës është integrimi në BE dhe normalizimi i marrëdhënieve me fqinjët.
“E sigurova kancelaren se Kosova do të përmbush të gjitha detyrimet që i kemi para nesh. Kosova është e vendosur të përmbyll kapitullin e konflikteve dhe të hap kapitullin e bashkëpunimit. Këtë ua kemi borxh gjeneratave të ardhshme. Ne duam të jemi pjesë e BE-së, 1/3 e qytetarëve tonë jeton në vendet e BE-së, nga ta 250 mijë jetojnë në Gjermani. Dialogu nuk është vetëm një nga opsionet, dialogu është opsioni i vetëm për zgjidhjen e problemeve Kosovë-Serbi. Por, ky dialog merr kuptim vetëm kur të implementohen të gjitha marrëveshjet. Ne kërkojmë nga Serbia të reflektojë në këtë drejtim”, – theksoi Thaçi.
Kryeministri kosovar e falenderoi kancelaren gjermane për mbështetjen që Gjermania po i bën angazhimit të Kosovës në axhendën Europiane, ndërkohë shprehu mirënjohejen e ushtarëve gjermanë dhe u uroi atyre që janë plagosur në Veri vendit shërim të shpejtë.
Kancelarja Merkel mbërrin në Kosovë, gati pritja madhështore
Ora 1:00 Qeveria e Kosovës ka vendosur që kancelares gjermane Angela Merkel t’i rezervojë një pritje madhështore në vizitën e saj të parë në Kosovë. Pritet që pjesë e ceremonisë të jetë Garda e Ceremonive, billbordat dhe flamujt gjermanë nëpër qytet, bëjnë të ditur burime qeveritare për mediat kosovare.
Kancelarja Merkel në shenjë respekti u prit në Aeroport nga kryeministri Hashim Thaci, ku në orën 11:30 është organizuar edhe një takim dy palësh.
Më tej Merkel do të takojë ushtarët gjermanë që shërbejnë në kuadër të KFOR-it, ndërsa takime të ndara do të zhvillojë edhe me komandantin e KFOR-it, Erhard Drews, kreun e EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac dhe përfaqësuesin e BE-së Fernando Gentilini.
Është parashikuar gjithashtu që përgjatë rrugëve që do të përshkojë Merkel, nxënës të shkollave fillore me flamuj të Kosovës dhe Gjermanisë do të mirëpresin kancelaren në shenjë falënderimi për ndihmën ndaj Kosovës.