Berisha ka disa ditë që po flet e po shkruan mbi efektin shkatërrues që do të ketë në inflacionin e përgjithshëm rritja e akcizës së karburanteve me 10 lekë për litër. Ndërsa Rama iu përgjigj sot se në 8 vite cmimi i naftës u rrit nga 600 në 1800 lekë (pra, është trefishuar) dhe asnjë apokalips nuk ndodhi.
Le t’i referohemi shifrave të INSTAT-it për të parë se ku qendron e vërteta.
Buletini i Indeksit të Çmimeve të Konsumit për muajin nëntor 2013 (http://www.instat.gov.al/media/213111/ick_nentor_2013.pdf ) na tregon se muaji dhjetor 2007 shërben si periudhë bazë për llogaritjen e indeksit (Dhjetor 2007 = 100). Në fund të nëntorit 2013, indeksi i çmimit të karburanteve dhe energjisë ishte 129.1. Pra çmimi i tyre është rritur 29.1% në 6 vjet (pra, as dyfishuar e as trefishuar). Ndërkohë indeksi i përgjithshëm i çmimeve të konsumit, i cili përfaqëson çmimin e shportës së mallrave dhe shërbimeve që konsumojnë mesatarisht shqiptarët, ishte 114.2 në fund të nëntorit 2013. Pra, është rritur vetëm 14.2% në 6 vjet. Kështu që për çdo 1% rritje të çmimit të karburanteve kemi patur gjysmë përqind rritje të inflacionit në tërësi. Ky korelacion, pak a shumë në këtë magnitudë, konstatohet në shumë studime ekonometrike nga vende të ndryshme të botës.
Rritja e akcizës me 10 lekë për litër karburanti mund ta rrisë indeksin e këtij grupi deri në 5%, dhe duke zbatuar korelacionin e mësipërm, mund të parashikojmë një rritje vjetore të inflacionit me 2.5%. Ndërkohë Banka e Shqipërisë, FMN dhe Ministria e Financave e kanë parashikuar 2.7% (pra, jo apokalips).
Debate me një intensitet më të ulët janë zhvilluar edhe për efektin e akcizave të kafes, alkoolit dhe duhanit, të cilat do të rriten vitin që vjen. Po sa do të jetë efekti i tyre në rritjen e indeksit të përgjithshëm të çmimeve të konsumit?
Le ti kthehemi Buletinit të Indeksit të Çmimeve të Konsumit për muajin nëntor 2013 (http://www.instat.gov.al/media/213111/ick_nentor_2013.pdf ). Ai na tregon se në fund të nëntorit 2013, indeksi i çmimit të pijeve alkoolike dhe duhanit ishte 132.1. Pra çmimi i tyre është rritur 32.1% në 6 vjet. Ndërkohë indeksi i përgjithshëm i çmimeve të konsumit ishte 114.2 në fund të nëntorit 2013. Kështu që për çdo 1% rritje të çmimit të pijeve alkoolike dhe duhanit kemi patur 0.4% rritje të inflacionit në tërësi.
Rritja e akcizës së pijeve alkoolike dhe duhanit mund ta rrisë indeksin e këtij grupi deri në 6%, dhe duke zbatuar korelacionin e mësipërm, mund të parashikojmë një rritje vjetore të inflacionit me 2.4%. Ndërkohë, Banka e Shqipërisë, FMN dhe Ministria e Financave e kanë parashikuar 2.7%.
Në fund të nëntorit 2013, indeksi i çmimit të grupit kafe, çaj e kakao ishte 121.7. Pra çmimi i tyre është rritur 21.7% në 6 vjet. Ndërkohë indeksi i përgjithshëm i çmimeve të konsumit ishte 114.2 në fund të nëntorit 2013. Kështu që për çdo 1% rritje të çmimit të të grupit kafe, çaj e kakao kemi patur 0.65% rritje të inflacionit në tërësi.
Rritja e akcizës së kafes mund ta rrisë indeksin e këtij grupi deri në 4%, dhe duke zbatuar korelacionin e mësipërm, mund të parashikojmë një rritje vjetore të inflacionit me 2.6%. Ndërkohë, Banka e Shqipërisë, FMN dhe Ministria e Financave e kanë parashikuar 2.7%.
Duke përmbledhur, mund të themi se rritja e çmimit të grupeve karburant e energji, alkool e duhan, dhe kafe, çaj e kakao përkatësisht me 29.1%, 32.1% dhe 21.7% në 6 vjet është shoqëruar me rritje të indeksit të përgjithshëm të çmimeve të konsumit me 14.2%. Dhe korelacionet e mësipërme na tregojnë se ky indeks (pra inflacioni) mund të rritet 2.4%-2.6% me rritjen e akcizave. Ndërkohë, Banka e Shqipërisë, FMN dhe Ministria e Financave e kanë parashikuar 2.7%. Për krahasim, nga dhjetori i 2007-ës (e cila është pika e referencës së INSTAT-it për Indeksin e Çmimeve të Konsumit), inflacioni mesatar vjetor është luhatur në intervalin 2%-3.6%.