Home Sport Interi thyen Milanin në derbi

Interi thyen Milanin në derbi

524
0

PalasioPlaku i Vitit të Ri ka trokitur në shtëpinë zikaltër, vetëm se poshtë mjekrës dhe kostumit të kuq fshihet Rodrigo Palasio me uniformën e Interit. Ndonëse pa drerë dhe pa elfët që duhet ta ndihmojnë, ai e tërheq “slitën” i vetëm dhe dhuron tri pikët, një dhuratë e madhe me rastin e derbit, një dhuratë që do ua bëjë festat më të bukura interistëve dhe më të shëmtuara milanistëve. Edhe pse ky derbi mund të ketë qenë disi i varfër në emra, si Konstant, Kuzmanoviç, Saponara e Taider, kundrejt së kaluarës ku spikasnin Van Basten, Baxho, Ronaldo e Mateus, gjithsesi rezultati në fund ka të njëjtën vlerë. Interi mund Milanin në shifrat 1-0, një rezultat që mund të duket i vakët, por brenda përmban emocione të mëdha, emocione dhe spektakël si goditja me thembër e Rodrigo Palasios në minutën e 86-të që rifut Milanin në krizë, por në të njëjtën kohë argjentinasi i dhuron presidentit Erik Tohir gëzimin e parë milanez, si dhe të parin në Serinë A. Nëse në pjesën e parë ishte “Djalli” që e kërkoi me më shumë ngulm fitoren, në të dytën gjërat ndryshuan, pasi frenat e lojës i mori Interi, duke konfirmuar edhe limitet që ka grupi i drejtuar nga Alegri. Për herë të parë Kaka nuk është Kaka, “Perëndia” e futbollit për milanistët, ndërsa Baloteli rikthehet të bëjë sherr me botën, duke dënuar sërish skuadrën e tij. Dhe, nëse gjërat nuk nisin të lëvizin ndryshe nga fillimi i janarit, ky Milan bën mirë të dorëzohet përfundimisht, jo t’i ushqejë kot me shpresa dhe emra tifozët.

Lëvizje surprizë – Në kohë festash nuk mungojnë as surprizat dhe Alegri ia bën Rikardo Saponarës. Mesfushori ofensiv e nis titullar derbin, duke lënë në stol Alesandro Matrin dhe pjesa e parë e numrit 8 është më se pozitive. Saponara i jep më shumë lirshmëri Kakasë, me brazilianin që i nxeh menjëherë duart Handanoviçit, ndërsa Baloteli në vend që ta shtyjë topin drejt rrjetës bie në rrjetën e ngritur me duar nga portieri zikaltër dhe “ha” një gol që dukej i bërë. Por, gabimi flagrant do të jetë ai i minutës së 30-të, kur Poli nuk përfiton nga një dalje e gabuar e Handanoviç dhe me portën e boshatisur e dërgon topin në parkingun e stadiumit. Milani shtyn dhe fort madje, por në dy tentativa edhe Muntari nxitohet duke shpërdoruar më kot nga distanca. Interi… Kundërsulmi i parë i vërtetë është ai i minutës së 40- të. Palasio shërbehet në zonë, por Zapata përdor të gjitha mënyrat për t’i mohuar kontaktin normal me topin sulmuesit zikaltër dhe penalltia është e kthjellët si diamanti, por për Maxolenin jo, ndaj pjesa e parë mbyllet në barazim.

Vendos super-Palasio – Në pjesën e dytë Milani e nis mirë, por Maxarri duket se ka ruajtur energjitë në të parën dhe, në mungesë të Alvarezit, hedh në fushë Kovaçiçin. Me kroatin dhe këmbët e tij plot klas ndeshja ndryshon ritëm, në favor të Interit. Milani nga ana e tij nis të vuajë, madje bëhet edhe nervoz duke nisur të koleksionojë kartonë, por edhe zikaltrit nuk tërhiqen mbrapa kur bëhet fjala për luftë. Gjithsesi, zikaltrit janë më të qartë dhe lutjet në tribunë të presidentit Erik Tohir duket se dëgjohen, duke parë që Baloteli në të vetmin rast të pastër e përplas topin në duart e Handanoviçit, përpara se heshtja të transformohet në gëzim. Minuta e 86-të, Guarin pason me forcë në zonë dhe Palasio me thembër mund të ngrejë në fluturim gërshetin e tij. 1- 0 për Interin dhe Milani duhet të dorëzohet pasi, përveç këmbëve, djemtë e Alegrit tradhtohen edhe nga nervat, me Muntarin që edhe pse fiton një goditje dënimi në hyrje të zonës e prish freskinë që kërkonte një goditje e tillë standarde, duke shtyrë Kuzmanoviçin dhe meriton kartonin e kuq. Më keq se kaq nuk mund të përfundonte ky vit për milanistët…

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here