Home Sport Januzaj, i jep fitoren Junajtid

Januzaj, i jep fitoren Junajtid

575
0

januzajMançester Junajtid po i ngjit shkallët me hapkampioni në Premier Ligë. Kampionët në fuqi kanë reflektuar më së miri pas dy humbjeve radhazi në shtëpi, ndaj Evertonit dhe Njukasëllit (0-1). Në javën e 17- të të Premier Ligës, “djajtë e kuq” kanë fituar 3-1 ndaj Uest Hemit, ku rol kryesor ka luajtur talenti shqiptar, Adnan Januzaj, i cili jo vetëm që shënoi golin e dytë të takimit, por dha shpirtin në fushë duke bërë si mbrojtësin, fantazistin edhe sulmuesin. Dy golat e tjerë u realizuan nga Uellbek (26′) dhe zëvendësi i Januzajt, Eshli Jang (72′), kurse miqtë shënuan golin e nderit me anë të Kole në minutën e 81-të.

Ndeshja
David Mojes hedh nga minuta e parë talentin shqiptar, Adnan Januzaj, i cili kombinohet në mënyrë perfekte me Uejn Runin dhe Uellbek. Me synimin për të fituar, “djajtë” e nisin me intensitet lojën duke sulmuar me skemën 4-2-3-1, me Runin qendërsulmues dhe Januzajn si “10″, e cila herë pas here shndërrohej në 4-3-3. Përballë ekipit inferior të Uest Hemit, Junajtid i mjaftuan 26 minuta për të gjetur golin. Uejn Runi driblon Kollins duke pasuar tek Uellbek dhe ky i fundit shënon pas një kombinimi me Januzajn.

Januzaj shënon
Pas 10 minutash do të vinte radha e talentit 18-vjeçar, i cili merr një pasim ideal nga Uellbek në të majtë dhe, pas një manovre spektakolare, driblon mbrojtësin Noble e shënon me të djathtën golin e dytë. Ka qenë goli i parë i Januzajt në “Olld Traford”, pasi dy herë të tjera ka shënuar në transfertë. Në minutat e fundit të pjesës së parë, Januzaj nervozon mbrojtësin e Uest Hemit, Noble, sepse simulon për të marrë një penallti. Në minutën e 42-të, Januzaj ndëshkohet me karton të verdhë, pas një përplasjeje me Xhorxh Mckartnej.
Pjesa e dytë – Në 45 minutat e dyta, finalizimi para portës ishte në nivele të ulëta. Talenti Januzaj kujdesej për të ruajtur balancat duke e ndihmuar ekipin edhe në mbrojtje, por duke ndjerë lodhje fizike, trajneri Mojes e zëvendëson me Eshli Jang. Gjithashtu, fut në fushë Çikariton në vend të Uellbek duke freskuar ekipin. Pas këtij zëvendësimi, Eshli Jangut i mjaftuan tri minuta për të shënuar golin e tretë dhe të sigurisë për “djajtë”. Duke u dehur nga tre golat, Junajid kalon një moment dobësie dhe në minutën e 81-të ndëshkohet nga Kole. Por, kaq do të mjaftonte për këtë takim. Junajtid merr trepikëshin dhe ngjitet në vend të 7-të me 28 pikë.

Mojes “Januzaj një talent, duhet mbrojtur”
Trajneri i Junajtid, Dejvid Mojes, është i kënaqur me paraqitjen e skuadrës dhe fitoren 3-1 ndaj Uest Hemit. “Ne luajtëm mirë sot. Jam paksa i zhgënjyer që nuk i shfrytëzuam pak më shumë mundësitë e golit dhe që pësuam një gol. Detyra jonë është të ulim kokën duke punuar dhe të vazhdojmë të fitojmë. Deni Uelbek ka një gju të dëmtuar, Januzaj po paraqitet mjaft mirë. Ne gjithnjë jemi të rreptë me të, duam gjithnjë e më tepër, por ai po i bën gjërat shumë mirë. Ai mund të bëjë gola, është një talent i vërtetë. Faullet e shumta ndaj tij kanë bërë që të simulojë me zgjuarsi në disa raste. Megjithatë ky stil do të evitohet, por ndërkaq duhet mbrojtur edhe nga gjyqtarët”, – tha tekniku i “djajve të kuq”, David Mojes.

Mbrojtësi Noble: Januzaj aktroi
Ndeshja ndaj Uest Hemit ka pasur edhe disa incidente që e kryqëzuan disi talentin shqiptar, Adnan Januzaj. Simulimi në zonën e rreptësisë ka bërë që ai të kritikohet nga mbrojtësit e Uest Hemit pas ndeshjes. Por, Januzaj me karakter shqiptari nuk është trembur aspak nga shtatlartësia e mbrojtësve, të cilët në një çast nervozizmi e kapën për fanelle numrin 44. “Ishte një simulim. E këshillova lojtarin (Januzajn) që të mos aktrojë në fushë. Më pas ai e kuptoi kritikën time”, – tha Noble.

“Runi dhe Adnani ma lehtësuan punën këtë herë”
Sulmuesi i Mançester Junajtid, Deni Uellbek, ka zhvilluar një superndeshje kundër Uest Hemit. 23-vjeçari jo vetëm që shënoi golin e parë dhe i dhuroi asistin Januzajt në golin e dytë, por i dha skuadrës shumë ritëm në ofensivë. Meqenëse u zëvendësua nga Çikarito, Uellbek jep edhe arsyen pse ndodhi kjo lëvizje. “Jam shumë i kënaqur që skuadra fitoi. Detyra ime është të shënoj sa më shumë gola dhe t’i dhuroj ekipit suksesin e merituar. Runi dhe Januzaj ma bënë më të lehtë ndeshjen. Në pjesën e dytë pësova një dëmtim të lehtë, prandaj edhe trajneri nuk donte që unë të rrezikoja. Megjithatë, në një ekip si Junajtid konkurrenca është e fortë dhe të gjithë janë të nevojshëm”, – tha Uellbek.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here