Home Aktualitet Qosja: Situata ne Shqiperi teper e tensionuar, kjo situatë po e rraskapit...

Qosja: Situata ne Shqiperi teper e tensionuar, kjo situatë po e rraskapit popullin

710
0

Në një intervistë me gazetaren Rudina Xhunga, akademiku i njohur kosovar Rexhep Qosja, i bën një analizë gjendjes në Shqipëri, duke parë si çelës për zgjidhjen e situatës, zgjedhjet e parakohshme.
“Berisha i ka kaluar të gjithë kufijtë e të lejuarës. Protestat nuk bëhen siç i bën Rama” – thotë z.Qosja në këtë intervistë që “Shekulli” po e sjell me shkurtime.
Shqiptarët e Shqipërisë janë në ditë me ankth, me pasiguri, me paqartësi dhe sidomos me polarizim dhe kjo është më e frikshme. Palët janë vendosur përballë, por cilat palë, shqiptarët dhe shqiptarët..?
Për mendimin tim, në Shqipëri ka shumë dukuri që unë, personalisht, i shikoj dhe çuditem. Ka sjellje, veprime, mosveprime, mossjellje, mosshprehje të njerëzve që unë nuk i kuptoj. Nuk e kuptoj heshtjen e disa intelektualëve, nuk e kuptoj paraqitjen e disa intelektualëve. Nuk e kuptoj indiferencën e shqiptarëve në pjesën më të madhe, një indiferencë e pakuptueshme ndaj të pavërtetës, ndaj gënjeshtrës, ndaj të padrejtës. Si është e mundur kjo? Në botë reagohet shumë, në botë njerëzit humbin karrierën përgjithmonë nqs dëshmohet se qëndrimet e tyre janë të padrejta, nqs dëshmohet se flasin gënjeshtra, nqs dëshmohet se bëjnë propagandë të pavërtetë etj. Te ne, këto gjëra kalojnë në heshtje të plotë.
Unë pashë një emision, jo më 21 janar, por me 22, në televizionin ABC NeËs. Aty ishin të ftuar pesë apo gjashtë intelektualë, një regjisor, një përkthyes i shquar, një dirigjent, kompozitor, një mjek i dalluar dhe profesor universiteti. Ata folën për rreth një orë dhe më bëri përshtypje një fakt shumë i dhimbshëm. Folën për demonstratën, të gjithë ishin kundër dhunës por asnjëri, as ajo grua e cila ishte më e egra, më brutalja, nuk përmendi vrasjen e tre personave, i katërti vdiq në Stamboll. Pra, asnjëri nuk foli për vrasjet. Po mirë ore burra, një gjë është të çohesh në demonstratë dhe në atë demonstratë të marrësh gurë e shkopinj, çadra e mjete të tjera që mund të gjenden në rrugë, por jo armë, dhe tjetër gjë është të vrasësh me armë. Ky është një dallim i madh dhe atyre nuk i bënte përshtypje si u vranë ata burrat.
Ata lanë fëmijët, gratë e tyre, prindërit të papunë, pa rrogë. Me çfarë do të jetojnë ato sot? Si është e mundur të gjykojnë në atë mënyrë këta gjashtë intelektualë? Si është e mundur, ku është parë që shteti të vrasë qytetarët e vetë?
Qytetarët ishin çuar në protestë por protestat, demonstratat, grevat janë të ligjshme në të gjithë botën. Kjo është një nga arritjet më të mëdha të demokracisë në këtë planet. Çfarë është protesta, demonstrata dhe greva? Është një organizim i njerëzve për të vënë më në dukje, për të shquar më shumë një problem shoqëror. Dhe këta njerëz ishin çuar në demonstratë për të vënë në dukje, për t’i bërë bashkëkombasit e vetë që ta shihnin më qartë korrupsionin në Shqipëri, që ta shohin më qartë përpjekjen dhe realizimin për ta bërë Shqipërinë shtet privat dhe me aq sa di, me aq sa kam përvojë, Shqipëria është një shtet i privatizuar. Por prej kujt? Prej Sali Berishës. Doni dëshmi? Keni sa të doni. Sali Berisha bën betejë të pandërprerë për të privatizuar shtetin shqiptar. Kur është në pushtet, bën betejë që të gjitha institucionet të jenë të tijat, me njerëzit e tij, që të bëjnë çfarë t’i thotë ai. Kur është në opozitë bën çdo gjë të lejuar e të palejuar që të marrë pushtetin, madje me dhunë siç bëri më 14 shtator 1998. Ai bëri puc, ai bëri grusht shteti..
Kjo që u bë tani ishte një protestë me elementë dhune, me gurë, me çadra, shkopinj. Ishte veç një protestë, por jo grusht shteti. Grusht shteti me çadra bëhet? Absolutisht jo. Dhe grushtin e shtetit nuk e bën populli, por një grup njerëzish me tanke ashtu siç bënë ata që u futën në 1998 me tanke dhe morën institucionet e shtetit.
Ne shohim luftë të vazhdueshme të këtij njeriut me prokurorët, luftë me Arben Rakipin derisa e përjashtoi atë. Luftë me Theodhori Sollakun, e përjashtoi edhe atë. Tani është në luftë me prokuroren, Ina Ramën, të cilën e bëri vetë prokurore. Një luftë e paskrupullt me të me fyerje të rënda. Ku ka kryeministër në këtë botë që bën asisoj fyerjesh kundër cilitdo në këtë planet. Fyerjet janë një problem dhe një temë e veçantë që duhet trajtuar, fyerjet që bën kryeministri i një shteti ndaj titullarëve, zyrtarëve, qytetarëve. Pra, thamë lufta me prokurorët, që të tre i përjashtoi. Kalojmë të lufta e tij me kryetarët. Ai bëri luftë me kryetarin Rexhep Mejdani, kryetari i parë vërtet demokratik në historinë e Shqipërisë si shtet. Ai bëri me të luftë pa kompromis, me shumë fyerje të botuara, shqiptuara, dëgjuar prej qytetarëve. Më pas, lufta me Alfred Moisiun, një luftë e ashpër të cilën në radhë të parë e kishte bërë Partia Demokratike. Tani, luftë me kryetarin që e bënë vetë, të partisë së vet që ishte funksionar i Partisë Demokratike. Pse ndodh kjo luftë? Ndodh për ta privatizuar shtetin ashtu sic e ka bërë. Mandej, luftë me mediat. …
Për mendimin tim, ai i ka kaluar të gjithë kufijtë e të lejuarës. E keni parë ju, e kam parë edhe unë mënyrën se si flet në parlament.. Por Parlamenti është institucion i formimit të shoqërisë, i formimit të popullit. Është njëkohësisht institucion edukativ, institucion moral dhe parlamenti është populli, shteti në përmasë më të vogël. Ashtu qenka populli shqiptar? Ashtu flet populli shqiptar? Ashtu komunikon populli shqiptar, ashtu siç flet Sali Berisha me deputetët në parlamentin e Shqipërisë? Jo, unë kam koncept dhe mendësi tjetër për popullin shqiptar. Populli shqiptar është një popull me etikë të lartë, me parime të larta. Populli shqiptar ka dhënë jetën për moralin, dinjitetin, krenarinë.
Njeriu nuk është prej lecke, guri apo druri por njeri me vetëdije që e dallon nga bota shtazore vetëdija, etika, morali. E dini si thotë Kanti? “Yjet në qiell mbi mua, ligji moral në mua”. S’ka ligj morali me Sali Berishën derisa flet ashtu. Ai është i privuar nga ligji i moralit, nuk njeh rend moral në jetën e popullit shqiptar në Shqipëri derisa flet e sillet ashtu. Dhe ky njeri, kryeministër i Shqipërisë… (!)
Një tjetër personazh të cilit do të doja gjithashtu t’i drejtoheshit është lideri i opozitës në Shqipëri, z. Edi Rama…
Për mendimin tim, Edi Rama ka një mendje të kthjellët. Unë i shoh dhe i dëgjoj fjalimet e tij. Ato janë tekste e fjalë që nuk mund t’i formulojë gjithkush. Ai është njeri i talentuar në shkrim, në të folur, gojëtar i mirë, i sistemuar, racional. Argumentet e tij janë të qëndrueshme. Për ata që janë në politikë, askush nuk bën analizë më të mirë të realitetit shqiptar, por as analizat e tij nuk mjaftojnë. Por përpos gojëtarisë një politikan i mirë duhet të ketë edhe diçka tjetër të cilën sipas mendimit tim Edi Rama nuk po e tregon. Në mendimin filozofik ekziston një koncept “pyka nxirret me pykë”. Nuk kryhen punët me Sali Berishën me fjalime poetike sado të të lënë përshtypje ato. Me Sali Berishën duhet të sillesh, jo si Sali Berisha, por duhet bërë një politikë shumë e vendosur. Unë, fjala vjen, i përkrah protestat. Protestat janë institucion demokratik. Kosova pa protesta nuk do të ishte këtu ku është. Kosova di të bëjë protesta, atë e ka mësuar dhembja, tragjedia, pushtimi, shkelja e të drejtave të njeriut. Në Shqipëri, partia socialiste nuk di të bëjë protesta. Bën protestë sot e pastaj pas një jave, kot. Edi Rama bën protestë të premten e më pas të premten tjetër pastaj pas një muaji, pas dy muajsh. Kot. Mund të jetë se kryetari i partisë socialiste dhe partia socialiste mendojnë se kështu kërkojnë ndërkombëtarët e kështu bëhen protestat. Edhe ne në Kosovë na kanë thënë. Nuk e kanë përkrahur pavarësinë e Kosovës deri ne 2002, kanë qenë kundër, madje as protestat nuk i kanë përkrahur. Pavarësinë e Kosovës jo që jo, kërkesat tona jo që jo por ndërkombëtarët e ndryshojnë kur shohin realitetin. A i keni parë kundërthëniet e ndërkombëtarëve? Sot e dëgjova që Ambasadori Amerikan thonte se me protesta nuk ndërrohet gjendja, nuk merret pushteti, por në Tunizi u thonin se me protesta merret pushteti.
Si është e mundur që një kriter duhet për Shqipërinë e një kriter tjetër për Tunizinë? Pse? Unë mendoj se as Bashkimi Evropian dhe as Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e shohin drejt, objektivisht gjendjen politike në Shqipëri dhe nuk kanë krijuar kategoritë me të cilat duhet ta vlerësonin atë gjendje. Ndërkombëtarët nuk duan të pranojnë rinumërimin e votave, nuk e kanë përkrahur kërkesën për rinumërimin e votave por në Kosovë, a i rinumëruan votat? 40 % të votave u kërkuan të rinumërohen dhe ashtu u bë në Kosovë. Çfarë ka që nuk shkon këtu? Po kërkon të rinumërohen votat. Është njësoj sikur dikush të thotë që më ke vjedh diçka, të cilën e ke fut në shtëpinë tënde dhe ai do të shohë nëse është e vërtetë apo jo. Mua nuk më çudit qeveria shqiptare, por Evropa që ishte kundër numërimit të votave dhe e solli Shqipërinë deri aty ku po e shohim sot.
Ata janë pjesë e krizës sonë?
Ata janë pjesë e krizës dhe mua më çudit sjellja e tyre dhe më tutje. Unë shtroj pyetjen tani, pse sillet Evropa kështu? Unë kam mbërritur në rezultatin se ndërkombëtarët nuk duan institucione të qëndrueshme në Shqipëri, por duan “udhëheqës” të fortë e kjo e fortë për ta do të thotë servil që bën çdo gjë që kërkojnë. A e keni parë ku e mbështet legjitimitetin e vetë qeveria shqiptare? Ajo mbështetet në liberalizimin e vizave. Por, vizat iu liruan Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi. S’u dëgjua ndonjë që t’i bënte jehonë kësaj gjëje. Absolutisht.
Pse e bazojnë këta legjitimitetin e vet vetëm në liberalizimin e vizave dhe hyrjen në NATO? Sepse nuk kanë ku ta mbështesin tjetër legjitimitetin e vetë.
Nga fillimi deri në fund, çdo ditë, në televizionet shqiptare ka vetëm luftë politike mes partive, nuk ka asgjë tjetër. Ekzistojnë vetëm partitë politike, njerëzit e politikanët e veshur mirë, të dhjamur mirë dhe ata flasin, bëjnë debate..
Në ç’mënyrë do vijë zgjidhja për ne, në mënyrë të menjëhershme..?
Zgjidhja nuk është e vështirë tani, në këto momente në Shqipëri. Zgjedhjet e parakohshme bëhen shumë lehtë. Nqs nuk kalon një ligj në Evropë, në parlament, shpallen zgjedhjet. Pra për shumë pak Evropa bën zgjedhje të reja. Në Shqipëri janë pjekur kushtet për të bërë zgjedhje të reja dhe ai që çohet kundër zgjedhjeve të parakohshme ai kërkon të zgjatet kriza në Shqipëri. Kërkon zgjedhje të parakohshme? Urdhëro, nqs keni të drejtë do i fitoni zgjedhjet, nqs nuk keni të drejtë do i vazhdojnë këta të tjerët. Është shumë e thjeshtë.
Por nqs nuk duan të organizojnë zgjedhje të parakohshme është legjitime, është e drejtë, është e moralshme, është e kuptueshme, është e nevojshme që me kërkesë popullore, me protesta nga populli dhe madje me mosbindje qytetare të kërkohet realizimi i një të drejte. Në zgjedhjet e qershorit, partia socialiste dhe partia demokratike baraz i ka fituar zgjedhjet, nuk janë 100 mije apo 150 mije veta por është gjysma e Shqipërisë. Pra, po i kërkon gjysma e Shqipërisë. pra, duhet realizuar kërkesa e gjysmës së Shqipërisë. Është irracionale, është çmenduri të mohosh kërkesën e gjysmës së popullit. Ku është parë kjo?
Dhe po e përsëris, më çudit sjellja e Evropës. Evropa ka shumë përvojë për çdo gjë, për të gjitha. Unë kam punuar gati dy vjet me evropianë në administratën e Kosovës. Nuk ka problem në këtë botë për të cilën nuk e kanë çelësin.
Kjo gjendje e vazhdueshme po e rraskapit popullin shqiptar. Gjatë këtyre viteve, substanca kulturore shqiptare është cenuar, është dëmtuar më shumë se gjatë shumë kohëve në histori. Për 20 vjet është dëmtuar shumë substanca kombëtare.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here