Home Aktualitet Komisioni, Topalli akuzon Ramën, Topin, Prokurorinë dhe SHISH

Komisioni, Topalli akuzon Ramën, Topin, Prokurorinë dhe SHISH

722
1

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ndërsa dëshmonte në komisionin hetimor parlamentar tha se ngjarjet e 21 janarit ishin një përpjekje për marrjen e pushtetit me përgjegjës kryesor kreun e opozitës Edi Rama.

Topalli, ashtu si Berisha dhe ministri Luzim Basha, lëshoi akuzoi të forta për kryesocialistin Rama, Preidentin Bamir Topi, SHISH, dhe Prokurorinë.

Ajo tha se kreu i opozitës Edi Rama ka obesion karrigen e e kryeministrit dhe se më 21 janar ai sfidoi Kushtetutën, dhe ishte organizator i personave me precedentë të rëndë penal që morën pjesë në demonstratë.

Kryetaja e Kuvendit tha se President i Republikës në ragimet e tij pas 21 janarit harroi fjalën dhunë. Nuk kishte asnjë dënim të dhunës nga kreu i shtetit, tha Topalli.

“Kam pritur Presidentin që të ushtronte detyrën, t’i jepte popullit mesazhe, kam pritur që të ushtronte detyrën e tij kushtetuese që të kërkonte informacione nga titullarë të institucioneve. Nuk prisja që Presidenti të mos thirrte gjyqtarin e Tiranës që dha urdhërin për arrestet e gardistëve. Kam pritur që Presidenti i Republikës t’i kërkonte Edi Ramës informacione, si drejtuesi i 321 personave, sipas të dhënave të policisë, të njerëzve me precedent penal për vrasje, përdhunime, vjedhje. Kam pritur që Presidenti të distancohej”- tha Topalli

Topalli dënoi moskërkesën e SHISH dhe Prokurorisë për të kryer përgjime në lidhje me organizimin e 21 janarit. Sipas saj ngjarjet nuk kanë qenë të papritura pasi autorët kanë qenë të deklaruar hapur. Kryeparlamentarja tha se nëse Sherbimi Informativ dhe Prokurori do të kishin zbatuar ligjin, duke bërë kërkesë për përgjim, ato sot do të ishin prova të pakontestueshme të krimit.

“Në analizën time qëndrimi është i barabartë me refuzimin për të kryer detyrën” – tha Topalli

Dëshmia e kryeparlamentares Jozefina Topalli vijon me dyer të mbyllura.

****

Këshilltari i Presidentit, Spiro Peçi, ka dalë sërish para medieve pas deklaratës së kryetarit të komisionit hetimor, lidhur me ridërgimin e kërkesës së këtij komisioni për paraqitjen e presidentit për të dhënë informacione lidhur me ngjarjen e 21 janarit.

Peçi u shpreh se “në deklaratën e vet para medias, Kryetari i Komisionit Hetimor, zoti Halimi u mundua të bënte një sqarim se Presidenti i Republikës nuk është thirrur si dëshmitar, por për të përcjellë në seancë pyetjeje, të dhëna apo informacione që ka për veprimtarinë e vet para, gjatë dhe pas datës 21 janar 2011. Nuk dua t’i komentoj këto deklarata si lojëra fjalësh, por do t’i konsideroja si të mirëqena ato që zoti Halimi deklaroi.
Ky Komision mesa u deklarua edhe nga përmbajtja e shkresës që sapo ka mbërritur pranë Presidentit të Republikës, pretendon që prej Presidentit të Republikës, po citoj shkresën, “të mbledhë të dhëna dhe informacione zyrtare dhe jozyrtare, si dhe dokumente”. Komisioni mundohet të argumentojë se e mbështet kërkesën në nenin 14, gërma “b” të ligjit “Për komisionet hetimore”. Në qoftë se ky “argumentim” nuk përmban keqdashje politike, në rastin më të mirë, është një miopi juridike.

Neni i cituar bën fjalë për të drejtën e Komisionit që të thërrasë titullarë institucionesh për pyetje dhe të kërkojë dokumente ose informacione zyrtare prej tyre. Vetëm ata që nuk kanë koncepte mbi institucionin dhe titullarët e institucioneve, si dhe nuk lexojnë apo nuk duan të lexojnë Kushtetutën e vendit, e njehsojnë Presidentin e Republikës me një titullar institucioni.

Dua të theksoj se askush nuk mund të vërë në dyshim apo të komentojë faktin që Presidenti është institucion dhe jo titullar institucioni. Është pikërisht kjo arsyeja, midis të tjerave, që Kushtetuta e Republikës, e ka vendosur Presidentin si institucion, duke i caktuar direkt kompetencat, të drejtat dhe detyrimet.

Ashtu siç shpjeguam edhe në konferencën e ditës së djeshme, në bazë të nenit 92, në gqrmën “h” të Kushtetutës duke qenë Presidenti një institucion, thuhet “kërkon mendim dhe të dhëna me shkrim nga drejtuesit e institucioneve shtetërore për çështjet që kanë të bëjnë me detyrat e tyre” .

Në asnjë rast, Presidenti i Republikës nuk ka detyrimin për të dhënë informacione.
Marrëdhëniet e Presidentit të Republikës me Kuvendin janë përcaktuar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Kushtetuta, madje duke e vendosur Presidentin si Institucion në një pozitë të veçantë, po në nenin e sipërcituar, në germën “a”, ku thuhet: “Ai i drejton mesazhe Kuvendit”, përmbylli Peçi.

****
Pas reagimit të djeshëm të këshilltarit të presidentit, i cili bëri të ditur se kreu i shtetit nuk do të dalë para komisionit hetimor parlamentar, në përputhje me Kushtetutën, kreu i këtij komisioni Eduart Halimi u shpreh se i kanë çuar një tjetër shkresë presidentit Bamir Topi për t’u paraqitur.
Në një deklaratë për shtyp, deputeti i Partisë Demokratike Eduart Halimi tha se Presidenti “nuk u thirr për të dëshmuar, por është thirrur për të përcjellë të dhëna, si titullar i vetëm i institucionit që përfaqëson”. Gjithashtu Halimi u shpreh se komisioni hetimor ishte i gatshëm ta zhvillonte këtë “vizitë” edhe pranë institucionit të Presidentit.

****
Komisioni Hetimor dështoi dje në zhvillimin e seancave dëgjimore me drejtuesit e dy prej institucioneve që janë sulmuar ashpër nga kryeministri Berisha. Fillimisht u njoftua shtyrja për një datë tjetër e seancës me kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri.

Kuvendi bën të ditur se anulimi i mbledhjes me kreun e SHISH-it është bërë për arsye teknike. Ndërsa kryeprokurorja Ina Rama edhe pse u paraqit në seancë, nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve të anëtarëve duke u larguar në mënyrë demonstrative nga mbledhja.

Sipas kryeprokurores, në bazë të ligjit, Prokuroria e ka të ndaluar të japë informacione mbi proceset që janë në hetim e sipër. Prokurorja e Përgjithshme u shpreh se çdo ngjarje kriminale e 21 janarit është objekt i hetimit të prokurorisë dhe vetëm pas hetimit prokuroria do të ketë një përfundim.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i mazhorancës, që e vlerësoi vendimin e kryeprokurores si refuzim për bashkëpunim nga institucioni i akuzës. Në ditët në vijim pritet që kryeprokurores t’i dërgohet një tjetër kërkesë në të cilën ftohet që të marrë pjesë në një seancë dëgjimore me anëtarët e Komisionit Hetimor.

Ina Rama: Nuk flas pa përfunduar hetimin

Kryeprokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve të anëtarëve të Komisionit Hetimor për sa kohë institucioni që ajo drejton është duke u marrë me hetimin e 21 janarit. Para se të braktiste mbledhjen, Prokurorja theksoi se çdo ngjarje kriminale gjatë demonstratës së opozitës dy javë më parë është objekt i hetimit penal të prokurorisë dhe vetëm në përfundim të hetimit të kësaj çështje Prokuroria do të ketë një konkluzion përfundimtar, mbështetur në rezultatet e një hetimi të plotë.

Ina Rama u shpreh: “Për shkak të pasjes së çështjes nën hetim dhe kufizimit ligjor që parashikon ligji ‘Për Organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë’, për sa i përket njoftimit të Kuvendit për çështje të veçanta, ju bëj me dije se nuk mund t’iu përgjigjem pyetjeve tuaja në funksion të objektit të hetimit të këtij komisioni.

Më duhet të respektoj ligjin dhe jam e vendosur të veproj vetëm mbi bazën e ligjit. Ky është një qëndrim në mbështetje të Kushtetutës dhe ligjit”. Sipas Kryeprokurores, hetimet për trazirat e 21 janarit po zhvillohen në mënyrë të gjithanshme, objektive dhe profesionale.

Drejtuesja e organit të akuzës deklaroi se veprimtaria hetimore e drejtuar nga prokuroria e rrethit gjyqësor Tiranë është orientuar si drejt hetimit të përfshirjes së strukturave shtetërore të ngarkuara me sigurinë e institucioneve publike dhe të rendit publik ashtu edhe në drejtim të hetimit të ushtrimit të dhunës, nxitësve e organizatoreve te saj.

Kjo është arsyeja që, sipas saj, çdo çështje që komisioni parlamentar është duke hetuar rreth këtyre ngjarjeve, është në mënyrë integrale e lidhur me hetimin penal të fakteve që po e heton vetë prokuroria. Prokurorja e Përgjithshme sqaroi se pavarësia e institucionit që drejton është e përcaktuar qartë edhe në ligjin themeltar të shtetit.

“Vendimit i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë nr. 82, datë 23.01.2011, ‘Për ngritjen e komisionit hetimor …’, ka parashikuar se objekti i tij nuk shtrihet në ato çështje dhe rrethana, për të cilat Prokuroria e Republikës së Shqipërisë ka filluar procedimin penal sipas ligjit”, – tha Rama. Por vendimi i kryeprokurores për t’u larguar nga komisioni parlamentar në mënyrë demonstrative, u interpretua nga anëtarët e djathtë të Komisionit Hetimor si mungesë respekti.

“Ina Rama erdhi me qëndrim arrogant dhe mungesë të theksuar respekti ndaj këtij institucioni, njësoj si shumë personazhe të tjera që kanë treguar këtë qëndrim më parë. Ajo u largua pa lënë shteg për ndonjë diskutim racional. Ka zero mbivendosje me hetimin penal, dhe jemi duke hetuar veprimtarinë e institucioneve. Është detyrë e Parlamentit që të hetojë e të shohë”, – deklaroi Halimi.

Më i ashpër në fjalën e tij ishte deputeti Enkelejd Alibeaj, i cili e akuzoi kryeprokuroren për përfshirje në trazirat e 21 janarit. “Ina Rama tregoi frikë për ato që ne donim të pyesnim. Është një autoakuzë që Ina Rama bëri në syrin e të gjithëve. Të kesh frikë për t’ju përgjigjur kërkesës për t’u hetuar nga disa deputetë do të thotë më së paku të kesh rol në këtë histori. Dhe një rol jorastësor”, – theksoi Alibeaj. Gjatë dy javëve të fundit mazhoranca ka akuzuar kryeprokuroren për politizim, sepse ka ndikuar me vendimet apo mosvendimet e saj në fshehjen e së vërtetës së 21 janarit.

Shtyhet mbledhja me Bahri Shaqirin
Komisioni: Duhet certifikim nga NATO që të mos nxjerrin informacionin
Kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri, nuk mori pjesë në seancën dëgjimore të parashikuar për zbardhjen e së vërtetës për 21 janarin. Shkak është bërë mungesa e një dokumenti të anëtarëve të komisionit, që do t’i lejonte të merrnin në pyetje kreun e këtij shërbimi.

Me këtë certifikatë janë pajisur vetëm 21 persona, të cilët janë anëtarë të Komisionit të Sigurisë. Kjo certifikate jepet nga vetë Shërbimi Informativ Shtetëror nën mbikëqyrjen e vendeve anëtare të NATO-s, përmes të cilës verifikohet së anëtari nuk ka qenë, apo nuk është pjesë e agjenturave të huaja.

Nëse shikohet drafti i Ligjit për Mbikëqyrjen Parlamentare të Institucioneve të Sigurisë të hartuar në bashkëpunim me OSBE-në, anëtarët e Komisionit duhet të kenë kaluar përmes procesit të “vetting-ut”. Seanca dëgjimore me kreun e Shërbimit të Inteligjencës Shqiptare do të realizohet në një tjetër datë, e cila do të vendoset në ditët në vazhdim.

Gjatë këtyre ditëve, SHISH është sulmuar vazhdimisht nga mazhoranca për neglizhencë në dhënien e informacioneve paraprake dhe për mungesë bashkëpunimi me Policinë e Shtetit. Në historinë e sulmeve të pozitës ndaj kreut të SHISH-it, Bahri Shaqirit, qëndrojnë edhe dy tentativa të qeverisë për shkarkimin e tij në muajt e fundit.

Sipas ligjit për organizimin dhe funksionimin e SHISH, ky institucion ka për detyrë të mbledhë informacion nga jashtë në funksion të sigurimit kombëtar, kryen veprimtari kundërzbulimi për ruajtjen e integritetit, të pavarësisë e të rendit kushtetues, mbledh informacion për terrorizmin, për prodhimin dhe trafikun e narkotikëve, për prodhimin e armëve të dëmtimit në masë, për krimet kundër mjedisit, mbledh informacion për krimin e organizuar, që cenon sigurinë kombëtare. SHISH bashkëpunon me institucionet e tjera shtetërore në zbatim të këtij ligji, duke u dhënë informacion deri në atë masë që lejon mbrojtja e burimeve dhe e metodave të punës.

Për të realizuar qëllimin në funksion të sigurimit kombëtar, Shërbimi Informativ Shtetëror bashkërendon dhe drejton punën për grumbullimin e shkëmbimin e informacionit me shërbimet informative të strukturave të tjera shtetërore, të parashikuara me ligj.

SHISH po kështu bashkëpunon edhe me entitetet të tjera informative shtetërore, apo të huaja, në zbatim të ligjeve dhe urdhrave ekzekutivë, me qëllim të kontribuojë natyrshëm në ruajtjen dhe forcimin e sigurisë kombëtare dhe asaj ndërkombëtare.

**********
Presidenti: Komisioni Hetimor i PD-së është antikushtetues
TIRANË -Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka injoruar Komisionin Hetimor të PD-së duke e shpallur si antikushtetues dhe të jashtëligjshëm. “Që në fillim, dëshiroj të theksoj, që Komisioni Hetimor në kërkesën e vet është në shkelje të hapur të ligjeve të këtij vendi.

Pa përmendur Kushtetutën e Republikës, apo Konventën Europiane e të Drejtave të Njeriut”, – është reagimi i kreut të shtetit për këtë çështje. Madje, ai shtoi se komisioni e ka paragjykuar çështjen dhe tani po tenton të zëvendësojë organet e drejtësisë.

Për herë të parë, pas akuzave të shumta të bëra nga Partia Demokratike, Presidenti Topi ka treguar se është ai në krye të shtetit dhe jo kryeministri Berisha e aq më pak, kryetari i komisionit hetimor parlamentar, Eduart Halimi. Presidenti paraqiti edhe qëndrimin e tij zyrtar se as e njeh dhe as ka ndër mend që të paraqitet në komisionin hetimor të ngritur nga Partia Demokratike.

Me Kushtetutë në dorë, këshilltari juridik i presidentit, Spiro Peçi, i shpjegoi mazhorancës se Presidenti është autoriteti që kërkon të dhëna me shkrim, pra informacione nga drejtuesit e institucioneve shtetërore për çështje që kanë bëjnë me veprimtarinë e tyre. “Pra, Presidenti ka të drejtën e informimit, por jo detyrimin për të informuar”, – tha Peçi, duke pohuar se kërkesa e komisionit është e pakuptimtë.

Për këshilltarin juridik të Presidentit, kërkesa e komisionit hetimor që Bamir Topi të paraqitet në Kuvend është një kapërcim i kompetencave dhe për më tepër një shkelje e ligjit. Sipas ligjit, dëshmia e Presidentit të Republikës merret në selinë ku ai ushtron funksionet e Kryetarit të Shtetit. Ndërkohë, Kryetari i Kuvendit, Kryetari i Këshillit të Ministrave, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese ose dhe i Gjykatës së Lartë, mund të kërkojnë të pyeten në selinë ku ushtrojnë detyrën e tyre.

“Pra, siç del e qartë nga përmbajtja e këtij neni, Presidenti nuk mund të thirret për t’u paraqitur ashtu siç kërkon Komisioni Hetimor, por jo vetëm kaq. Atij në dallim nga funksionarët e lartë të shtetit, nuk i lejohet të paraqitet para Komisionit, Gjykatës apo dhe Prokurorisë. Presidenti i Republikës do të përcaktojë mënyrën dhe kohën e realizimit për t’iu përgjigjur pyetjeve të Komisionit Hetimor”, – tha Peçi.

Presidenti ka paraqitur qëndrimin e tij edhe për kërkesën e Komisionit Hetimor të PD-së për përgjimin e telefonave të krerëve të institucioneve, deputetëve të opozitës dhe medias. “Që në fillim, dëshiroj të theksoj, që Komisioni Hetimor në kërkesën e vet është në shkelje të hapur të ligjeve të këtij vendi.

Pa përmendur Kushtetutën e Republikës, apo Konventën Europiane e të Drejtave të Njeriut, të cilat mbrojnë të drejtën e privatësisë së shtetasve, qofshin me funksione apo pa funksione shtetërore publike, apo politike, por janë një sërë ligjesh specifike që bëjnë të qartë paligjshmërinë e kërkesës së Komisionit Hetimor.

Ky Komision, vërtetë ushtron veprimtarinë për sa i përket metodikës së hetimit, si marrja e vendimeve të ndërmjetme për pyetjen e dëshmitarëve, thirrjen e ekspertëve dhe marrjen e dokumenteve, por në asnjë rast nuk mund të ndërmarrë atributet e prokurorit dhe gjykatës, që me ligjet e veçanta i atribuohen këtyre organeve”, – tha këshilltari i presidentit.

Ai shpjegoi se në rastin konkret, Komisioni arsyeton se ka kërkuar thjesht disa dokumente që janë skedarët e të dhënave për pajtimtarët e telefonisë që Komisioni i quan tabulate. Por, për këto skedarë apo tabulate, siç quhen në gjuhën e përditshme, ligjet i vendosin në një trajtim të posaçëm.
Komisioni po zëvendëson Prokurorinë dhe Gjykatën

Këshilltari juridik i Presidentit është pyetur dje nga gazetarët në lidhje me ligjshmërinë e komisionit hetimor të PD-së, por ai e ka dhënë një qëndrim personal si jurist dhe jo qëndrimin e institucionit që përfaqëson. “Unë do ta ndaja në dy momente.

Për sa i përket anës formale juridike, kemi të bëjmë me një Komision, i cili është ngritur në përputhje me ligjin, pavarësisht se në këtë Komision nuk ka marrë pjesë opozita. Ky është një qëndrim politik që nuk ka të bëjë me ligjin.

Për mendimin tim, për sa i përket pjesës së dytë që do të thosha se nga vetë objekti që ka caktuar ky Komision, ku thotë: “Për hetimin, zbulimin, financimin, madje edhe ndëshkimin e veprave të dhunës të ushtruara për përmbysjen e rendit kushtetues, në vetvete kemi të bëjmë me një akuzë të ngritur, pa filluar akoma asnjë lloj hetimi”, – sqaroi Spiro Peçi.

Ai shpjegoi se nuk është Komisioni Hetimor që ngre akuza, nuk është Komisioni Hetimor që heton akuza, aq më tepër, nuk është Komisioni Hetimor që ndëshkon ata që akuzohen. Sipas tij, Komisioni Hetimor po tenton të zëvendësojë Prokurorinë dhe Gjykatën shqiptare.

“Kushtetuta dhe në çdo shtet ku funksionon shteti i së drejtës dhe demokracia, pushtetet janë të ndara, secili ka kompetencat e veta. Këto janë kompetenca, të paktën siç shprehen në objektin e Komisionit Hetimor, janë kompetenca që i ushtrohen vetëm Prokuroria dhe në finale, Gjykata e vendit”, – tha Peçi.

***

Burimet zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, të pyetur në lidhje me pretendimet e Ministrit të Brendshme z.Lulëzim Basha, se prokuroria predhat e nxjerra nga trupi i viktimave i ka futur në xhep pa kryer veprimet procedurale, hedhin poshtë duke i cilësuar trillime.

“Absolutisht nuk është e vërtetë. Grupi hetimor, gjatë veprimeve të këqyrjes dhe marrjes së provës materiale, ka kryer të gjitha procedurat ligjore që përcaktohen nga ligji. Këqyrja dhe ekspertimin e trupave të tre të vrarëve është kryer nga ekspertët e Mjekësisë Ligjore ku të pranishëm kanë qenë hetues dhe prokuror të çështjes. Kanë qenë ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore që kanë bërë këqyrjen e trupave të viktimave, të shoqëruar me procesverbalin përkatës me shkrim, zë dhe figurë e foto.

Çka do të thotë që kanë qenë ekspertët e Mjekësisë Ligjore, të cilët kanë bërë filmimin e ekspertimit të trupave të viktimave. Predhat e nxjerra nga trupat, janë përshkruar në procesverbale me shkrim dhe shoqëruar me zë e pamje filmike që më pas janë administruar në qese plastike për të vazhduar këqyrjen e tyre me mikroskop. Pas kryerjes së të gjitha këtyre procedurave, gjithmonë duke bërë përshkrimin e punës në procesverbal, janë fiksuar të dhënat dhe më pas janë administruar në zarf përkatëse, ku edhe janë administruar si prova materiale të procesit hetimor të ngjarjes së 21 janarit”-thuhet nga burimet zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, duke i cilësuar pretendimet e ministrit si “fantazi filmash”.

******************
TIRANE- I dyti i cili është thirrur për të dëshmuar në komisionin hetimor parlamentar është ministri i Brendshëm Lulzim Basha i cili ashtu si dhe kryeministri Sali Berisha i quajti ngjarjet e 21 janarit grusht shteti. Ministri Basha në dëshminë e tij tha se nga informacionet e mbledhura nga policia rezulton se nga persona me pozita të veçanta është thënë se me 21 janar do të djegim Këshillin e Ministrave dhe do të marrim Kryeministrinë.

Nga persona politik të niveleve të larta, tha Basha, ka patur thirrje për tu ngritur mbi rendin kushtetues.

“Të gjithë skenarët konvergonin në një pikë të vetme, provokimin e forcave të rendit. Qëllimi parësor ishte marrja me forcë e selisë së Këshillit të Ministrave, nxjerrjen jashtë lojë të efektivave të rendit dhe gardës. Objektivi i dytë, ishte shkaktimi i paramendueshëm i viktimave, me qëllim shkaktimin në vend të një gjendje anarkia, shkarkimin e qeverisë, zëvendësimin me një tjetër deri tek zgjedhjet e parakohshme” – tha Basha.

Ai dëshmoi gjithashtu se ka patur informacione se në këtë demonstratë do të angazhoheshin njerëz me precedentë penal, me ndjekje operative nga policia për trafik droge, vrasje etj. Sipas tij i gjithë kontingjenti i cili u përplas me policinë ditën e protestës rezulton të jetë kriminal.

Pas ndalimit të dhjetra demonstruesve, vazhdoi më tej Basha, u janë gjetur shuma parash, kryesisht në prerje euro. Kjo sipas tij vërteton se grupi që mori pjesë në demonstratë ishin të paguar.

Ministri i Brendshëm theksoi se policia ka kërkuar informacion nga SHISH por nuk është dhënë asnjë i tillë. Ndërkohë lidhur me gjashtë urdhër arrestet e Prokurorisë për drejtuesit e Gardës së Republikës, Basha e cilësoi situatën si të papranueshme

Basha foli për një plan masash të detajuar, hartuar nga policia dhe garda, të cilin ai e quajti “plan që kishte objektiv paqësor”. Plani i është vënë në dispozicion dhe komisionit hetimor parlamentar.

***

Kryeministri Sali Berisha në dëshminë e tij në komisionin hetimor parlamentar, e quajti ngjarjen e 21 janarit grusht shteti, organizuar sipas tij nga trojka Rama – Ruçi – Gjinushi.

“Puçi i 21 janarit ishte një grusht shteti, i organizuar në përputhje me të gjitha rregullat e një akti të tillë të turpshëm i cili u paralajmërua në mënyrën më të përsëritur nga autorët e tij nga Rama, Ruçi dhe Gjinushi. Ishte një grusht shteti i cili u përgatit me frymën e një fondamentalizmi ekstrem duke shfrytëzuar trashëgiminë më të zezë, më negative të Partisë Socialiste” – tha Berisha

Partia Socialiste kurrë nuk ka ardhur në pushtet nëpërmjet votës së lirë, vazhdoi më tej kryeministri.

“PS është e vetmja parti e cila në Kongresin e qershorit ’90, do të sanksionohej si trashigimtare e PPSH. PS në vitin 97 përdori dhunën dhe armët dhe të gjitha mjetet për të ardhur në pushtet. PS nuk bëri kurrë zgjedhje të denja për një vend”- tha kryeministri

Berisha mbrojti forcat e armatosura, ndërsa tha se ata janë një institucion i shkëlqyer, anëtarë i NATO-s.

Puçi, sipas kryeministrit Berisha nuk erdhi si një rrufe në qiell të hapur, sipas tij filloi me montimin, falsifikimin e videos ( Prifti-Meta) nga Rama me ndihmën e një persekutori të regjimit të vjetër.

Kryeministri dhë një serë përkufizimesh nga literatura të ndryshme mbi grushtin e shtetit.

1 COMMENT

  1. Kjo eshte Amerika aleati jone.

    Marë nga libri Heronjet e Kotesise me autor zotin Agim Hamiti.

    1- Astrit Pullazi, nga Tirana.

    Ka filluar punë në ambasadën amerikane sapo ajo hapi portat e saj në Tiranë më 1991. Ky privilegj i është rezervuar prej amerikanëve për merita të veçanta: Pullazi ka qenë shofer i Enver Hoxhës.

    Në çdo rast që ndodhet vetëm, Astriti këndon këngën e tij të preferuar: «Enver Hoxha, o tungjatjeta!» Dhe jo pa të drejtë.

    2- Belul Cuka, nga Peshkopia.

    Ish-shofer i Kadri Hazbiut.

    Krenarinë për të kaluarën e tij e përmbledh në këto fjalë:

    «Kudo që e çoja me veturën luksoze “grushtin e hekurt të diktaturës” dridhej foshnja në bark të nënës.»

    3- Besnik Malo Çala, nga Vlora.

    Ka filluar punë në ambasadën amerikane bashkë me Pullazin më 1999.

    Cilësia e tij më e preferuar prej amerikanëve: Ka qenë kuadër i mirënjohur i Ministrisë së Punëve të Brendshme të diktaturës, ekspert i stërvitjes së grupeve terroriste marksiste-leniniste të mbiquajtura «Brigadat e Kuqe», të cilat stërviteshin në Shqipërinë diktatoriale. E ka ushtruar aktivitetin në kampet stërvitore në malet e Burrelit dhe në Pishë Poro të Vlorës.

    Lidhur me të kaluarën e tij, Besniku i Partisë shprehet me krenari:

    «Bin Laden do ta kishte pasur zili aftësinë time stërvitore të terroristëve.»

    4- Emri Baja, nga Kukësi, survejues i ambasadës amerikane në Tiranë.

    Gjatë veprimtarisë 15 vjeçare në Ministrinë e Punëve të Brendshme të diktaturës ka qenë krahu i djathtë i Kadri Hazbiut. I mirënjohur për egërsinë e tij ndaj “armikut të klasës”, Hazbiu e emëroi për disa vjet shef të kampeve të internimit në rrethin e Lushnjës për të mbjellë terror. Të internuarit e rrethit të Lushnjës të asaj periudhe shpreheshin:

    «Xhebraili nuk mund të ketë pamje tjetër veç asaj të Emri Bajës.»

    Lidhur me veprimtarinë e tij përkrah Kadri Hazbiut, Baja kujton me nostalgji:

    «Ministri më kishte thënë disa herë: Kur ti mendon se lufta e klasave është zbutur, unë ia bëj të njohur këtë shokut Enver dhe për armikun e klasës bien kambanat e vdekjes».

    I mbiquajtur me humor prej ambasadorit amerikan «Barometër i luftës së klasave», komunistit veteran Baja i është besuar survejimi i ambasadës së «imperializmit amerikan».

    5- Hasan Spahiu, nga Skrapari.

    Kuadër i sprovuar i Sigurimit të Shtetit i rekomanduar për punësim prej Sulo Gradecit, i cili ka shkruar dikur për të:

    «Sikur shoku Enver të më pyeste: “Pas teje, kush është personi që më do mua më shumë?”, unë do t’i përgjigjesha pa u menduar: Hasani.»

    Hasani ka qenë sekretar partie ne Farkë të Tiranës, tek helikopterët. Në çdo xhep të tij mban një fotografi të Enver Hoxhës, ndërsa në shtëpi ruan me mall një statujë të vogël fildishi të diktatorit, të cilën e ledhaton në mbrëmje deri sa e zë gjumi.

    Tiranë6- Selami Liço, nga Peshkopia.

    Ish-oficer zbulimi në kohën e diktaturës dhe oficer ushtrie deri më 1997. I akuzuar për kontrabandë masive armësh prej vitit 1997 e në vazhdim, Liçon e mori në mbrojtje ambasada amerikane në Tiranë, ku edhe u punësua në vitin 2000. Atje vazhdon të jetë edhe sot. I befasuar prej ngrirjes së dosjes së tij penale mjaft të ngarkuar, nuk lodhet së përsërituri fjalët:

    «Mallkuar qoftë kush mendon se amerikanët janë antikomunistë!»

    Gruaja e tij ka punuar gjithmonë në “Bllok”.

    7- Agim Bllaci, nga Gjirokastra.

    Ka filluar punë në ambasadën amerikane qysh më 1991, me “ajkën” e të punësuarve atje.

    Deri më 1973 – sa kishte gjallë babanë –, ka jetuar në “Bllok”. Është dëgjuar të përmendë shpesh kujtimin më të shtrenjtë që ruan nga jeta në «Bllokun e Udhëheqjes”:

    «Sa herë që vinte për vizitë tek ne, shoku Enver nuk harronte t’i thoshte babait: “Prokurorët e vendosur si ti janë maja e shpatës së diktaturës së proletariatit, shoku Misto. I tmerrove klerikët me pretencat e tua, që s’njohin dënim tjetër veç atij me vdekje. Uroj që edhe Agimi të eci në gjurmët e tua.»

    Për meritat e babait dhe të tijat, Agimi dhe gruaja e tij ndodhen të dy të punësuar në ambasadën amerikane.

    8- Bashkim Male, nga Erseka.

    Ish-oficer, pilot, aktualisht mbikëqyrës në ambasadën amerikane. Bashkëpunëtor aktiv i Sigurimit të Shtetit. Shokët e tij të punës trembeshin më shumë nga Bashkimi, se sa prej kryetarit të Degës së Brendshme.

    «Përpiqem të jem më tolerant kur më shajnë për familjen, se sa kur më përgojojnë karrierën time si anëtar besnik i Partisë së Punës», pranon me çiltërsi Bashkimi.

    9- Sadik Hasko, nga Skrapari.

    Një tjetër rekomandim i goditur i Sulo Gradecit, i cili është shprehur me respekt të thellë si për patriotin e tij edhe për ambasadorin amerikan në Tiranë:

    «I vetmi komisar që i ka lexuar nga tri herë të gjitha veprat e shokut Enver është pikërisht Sadiku. Një ditë Sadiku, i përhumbur në kujtime, shkroi instinktivisht me bojë të kuqe mbi një mur të ambasadës emrin e pavdekshëm “Enver”. Falënderoj nga zemra ambasadorin amerikan i cili, në vend që ta pushonte nga puna mikun tim për pakujdesinë e treguar, e thirri në zyrë dhe i dhuroi një flakon parfumi Nostalgji. Vetëm tani po arrij ta kuptoj disi shprehjen e hollë që më kishte përsëritur disa herë shoku Enver gjatë viteve të fundit të jetës së tij të ndritur:

    “Sillo, në politikë gjërat nuk janë ashtu si duken. I shikon ata anglo‑amerikanët ti? Aq sa jam unë besimtar se kam mbiemrin Hoxhë, aq janë edhe ata antikomunistë”. »

    10- Veli Varfri, nga Tepelena.

    « Bashkëpunimi me Sigurimin e Shtetit për mua ka qenë po aq i domosdoshëm sa edhe frymëmarrja», thekson Veliu me modesti.

    «Edhe sikur të mos quhej “Lug i Zi”, ai vend atë emër do të kishte marrë prej nënave të shumta tropojane që veshi me të zeza Veli Varfri, duke iu vrarë djemtë në kufi.»

    Sa herë që bie fjala për Enver Hoxhën në ambasadën amerikane, Veliu përdor epitetin «I paharruari», duke psherëtirë dhe sytë e tij mbushen menjëherë me lot. Nëpërmjet një sajti privat shpërndan stema të ish-diktatorit.

    11- Bardhyl Poda, nga Erseka.

    Një ndër komunistët fanatikë që e ka vizituar më shpesh shtëpinë muze të diktatorit në Gjirokastër, duke pozuar çdo vit para saj.

    «Sigurimi i Shtetit për mua ka qenë Zoti në tokë», shprehet Bardhyli në konfidencë.

    12- Qemal Bashkurti, nga Tropoja.

    I pyetur nëse do të dëshironte që t’i ngjallej njeriu i tij më i dashur që nuk jetonte më apo ish-diktatori, Qemali është përgjigjur pa ngurruar:

    «Nuk kam pasur në jetë njeri më të dashur nga Enver Hoxha.»

    13- Kasëm Ymeri, nga Skrapari.

    Dëshira e tij më e madhe në jetë:

    «Të kisha vdekur në të njëjtën ditë dhe orë me Enver Hoxhën!»

    14- Albert Hasanballiu, nga Skrapari.

    Ky është i rekomanduari i tretë i Sulo Gradecit, për të cilin Sulua vetë shprehej dikur me modesti:

    «Sikur shoku Enver të kishte njohur Albertin para meje, historia shqiptare do të kishte mbetur pa Sillo.»

    15- Aleks Ndini, nga Korça.

    Shprehja e tij më e spikatur:

    «Një ditë pësova një krizë kardiake pranë vendit ku ka qenë liceu francez në Korçë, të cilin e vizitoj shpesh. Në çast mendova: “Ç’vdekje të lumtur paskam pasur fat! Duke u rrëzuar përtokë, do të kem rastin të vë kokën atje ku ka vënë këmbën dikur shoku Enver!”»

    16- Peti Çala, nga Fieri.

    Ditën që u rrëzua monumenti i diktatorit në Tiranë, duke u ngashëryer Peti deklaroi:

    «Do të kisha qenë i lumtur sikur të vdisja duke më rënë përsipër ai monument.»

    17- Shkëlqim Xhagolli, nga Tirana.

    «Po të kisha vdekur duke qenë anëtar i Partisë së Punës, me siguri vdekja do të kishte qenë shumë më e ëmbël për mua nga ç’do të jetë një ditë në të ardhmen», është shprehur mes miqsh Xhagolli.

    18- Hajri Mazaj, nga Vlora.

    I paepur në zhvillimin e luftës së klasave edhe brenda fisit të tij të cilit i krijoi probleme serioze, Mazaj u kishte dhënë urdhër të prerë postave të kufirit në Peshkopi:

    «Ose asgjësoni thyesit e kufirit, ose vrisni veten; rrugë të mesme nuk ka.»

    Idenë e tij për vlerën e jetës, Hajriu e ka përmbledhur në pak fjalë:

    «Sa boshe do të më dukej jeta, sikur shoku Enver të mos më dilte çdo javë në ëndërr!»

    19- Fejzi Hoxholli, nga Korça.

    «Shumë herë u kam tërhequr vërejtjen prindërve që nuk më kanë çuar emrin Enver», ka thënë Fejziu me keqardhje.

    20- Mels Arapi, nga Vlora.

    Të afërmve të tij u ka lënë këtë amanet:

    «Nuk duhet të harroni të çoni mbi gjoksin tim në arkivol teserën e Partisë së Punës.»

    21- Isa Lumani, nga Erseka.

    Çdo i interesuar mund të gjejë në shtëpinë e Isait secilën prej “veprave” të ish‑diktatorit. «Veprën 19» në anglisht ia ka bërë dhuratë ambasadori amerikan më 16 tetor 2008, me rastin e 100 vjetorit të ditëlindjes së diktatorit.

    22- Aleksander Shtepani, nga Tirana.

    «Sikur shoku Enver të kishte jetuar edhe 9 vjet, Shqipëria do të kishte mbërritur në komunizëm», ka profetizuar Shtepani.

    23- Muharrem Ibrahimi, nga Fieri.

    «Po ratë në vështirësi, kujtoni shokun Enver; po ratë në nevojë, kujtoni Partinë e Punës!», i ka këshilluar të afërmit e tij Muharremi.

    24- Halit Haliti, nga Erseka.

    «Kur mora teserën e Partisë së Punës nuk më ka zënë gjumi dy net nga gëzimi», është shprehur i përlotur Haliti.

    25- Jorgo Kaçi, nga Saranda.

    Kur ishte komandant kufiri në rrethin e tij, Jorgua nuk harronte t’iu thoshte në çdo mbledhje forcave të mbrojtjes:

    «Çdo shqiptar që arrin të arratiset bëhet vegël e imperialistëve, për të luftuar kundër popullit e vendit të tij. Një atdhetar i vërtetë pranon më parë të vdesë, se sa të vihet në shërbim të amerikanëve.»

    Kur “atdhetari i vërtetë” Jorgo Kaçi pranoi të vihej në shërbim të amerikanëve në ambasadë (sigurisht pa vdekur), atje mësoi disa gjëra që nuk i dinte më parë dhe thirri i entuziazmuar:

    «Nuk ma priste mendja kurrë që karriera ime komuniste, e ideuar në Komitetin e Partisë të Sarandës, do të realizohej në selinë e ambasadës së “imperialistëve amerikanë” në Tiranë! I ftoj gjithë shokët e mi të idealit që parullën “Lavdi Marksizëm-Leninizmit!” ta zëvendësojmë me “Lavdi prapaskenave të politikës!”».

    26- Rrapo Hazizi, nga Skrapari.

    Shef i kufirit të jugut deri më 1991. Rrapo Hazizi mbahet mend për vrasjet e shumta në kufirin e jugut të shtetasve që tentonin të arratiseshin. Për këtë “meritë të spikatur”, Ramiz Alia e dekoroi posaçërisht në fund të vitit 1990. Po për të njëjtën meritë, ambasada amerikane e punësoi duarpërgjakurin Rrapo pak kohë pas dekorimit.

    Prej datës 03 shkurt 1990 deri në datën 23 gusht 1990 (pra, brenda një periudhe më pak se dyqind ditë) me urdhër të Rrapo Hazizit janë vrarë prej postave të ndryshme të kufirit të Jugut 23 shqiptarë me moshën mesatare 27 vjeç. Ky krim i përbindshëm ka ndodhur disa muaj pas përmbysjes së komunizmit në Evropën Lindore dhe në një kohë që në Shqipëri ligji i vendosur rishtas parashikonte një dënim maksimal deri në pesë vjet heqje lirie për shkelje kufiri.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here