Ideja e kësaj “Task Force”, ose siç quhet në selinë e PS “Grupi i Transparencës së Qeverisjes”, ka lindur muaj më parë, kur në një nga mbledhjet e Asamblesë Kombëtare, një grup deputetësh bënë oponencën e qeverisjes së vendit, e kryesisht në sektorin ekonomik. Evidentimi i shumë monopoleve dhe konflikteve të interesit kristalizoi mendimin e ngritjes së një grupi të mirëfilltë permanent, që do të punonte vazhdimisht me deputetë dhe ekspertë të fushave të ndryshme, që do të kalonin në sitë çdo vendim të Qeverisë, çdo koncesion, çdo privatizim, çdo tender apo dhe çdo emërim në sektorë nevralgjikë të ekonomisë. Ky grup drejtohet nga deputeti Erion Braçe, ndërsa aktivë në të janë pothuaj të gjithë deputetët e grupit parlamentar, të cilët sjellin e grumbullojnë informacione dhe fakte nga zonat e tyre elektorale. Informacionet që vijnë pranë “Grupit të Transparencës së Qeverisjes” nisin të
verifikohen, të bashkohen duke krijuar idenë e plotë të një çështje korrupsioni, për t’u faktuar më pas me dokumente zyrtare, që sigurohen në rrugë zyrtare apo dhe jo zyrtare, përmes dikastereve të Qeverisë, por edhe Parlamentit. Në përbërje të këtij grupi, përveç deputetëve, angazhohen edhe ekspertë të selisë rozë të fushave kryesisht ekonomike dhe ligjore, ndërsa informacionet ballafaqohen edhe me ekspertë të sigurisë kombëtare, të menaxhimit të territorit dhe administrimit të pushtetit vendor etj. Prej mëse dy muajsh selia rozë ka publikuar fakte dhe dokumente që dëshmojnë përfshirjen e politikanëve të maxhorancës në marrje koncesionesh të pronave publike si hidrocentrale lokalë, apo burime të hidrokarbureve. Nisur nga deklarimet e të ardhurave dhe pasurisë së deputetëve, ministrave dhe politikanëve të maxhorancës, Partia Socialiste ka nxjerrë fshehje të pasurisë, por edhe marrje të pronës publike me anë të koncesioneve përmes lidhjeve nepotike me pushtetarët. Në sitën e grupit të transparencës të qeverisjes kanë kaluar ministri i Ekonomisë Dritan Prifti, ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, deputetet demokrate Albana Vokshi, Rajmonda Bulku dhe ministrin aktual të Bujqësisë, Genc Ruli. Është hera e parë që në këto pesë vjet opozitë, Partia Socialiste ndërmerr një luftë të tillë opozitare, pasi gjatë mandatit të kaluar, 2005-2009 PS vetëm u mor me funksionimin e Parlamentit dhe kryesisht lufta e saj u fokusua tek Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topallit. Madje burime nga Partia Socialiste pohojnë se kjo betejë duhet të ishte nisur që shtatorin e kaluar, kur PS u verifikua se do të ishte në opozitë, ndërsa kërkohet që të gjitha faktet që bëhen publike të depozitohen si kallëzime penale në prokurori.
PS: Bregu të tregojë pasuritë e padeklaruara
Partia Socialiste vazhdoi edhe dje akuzat ndaj ministres së Integrimit, Majlinda Bregu. Duke iu drejtuar me pyetje publike, PS aludon për fshehje të pasurisë nga ministrja Bregu në procesin e deklarimit të pasurive në ILDKP (Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive). “A keni harruar ndonjë gjë tjetër pa shkruar në deklarimin e pasurive tuaja zonja ministre?” pyeti deputetja socialiste Ermonela Felaj ministren Bregu. Zonja Felaj shton se ministrja ka pesë ditë kohë për t’i dhënë përgjigjen e kësaj pyetjeje popullit shqiptar. “Jo, sepse zonjës Bregu i duhet kohë për të gjetur të vërtetën që do t’i kërkojmë, por sepse koha ndoshta do ta ndihmojë të gjejë forca për të mos iu shmangur të vërtetës”.
Albana Vokshi
Një nga të akuzuarat e Partisë Socialiste për konflikt interesi në dhënien e koncesioneve në burimet e hidrokarbureve është deputetja demokrate Albana Vokshi. Ajo akuzohet se nuk ka deklaruar pasurinë e Alban Tartarit, me të cilin bashkëjeton, por edhe konfliktin e interesit që ekziston, sipas PS, në marrjen për shfrytëzim të katër nga gjashtë vendburimeve të naftës nga kompania që administrohet nga Tartari, “Stream Oil”.
Majlinda Bregu
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, është vënë në shënjestër të akuzave të PS për përfitimin e 10 koncesioneve në hidrocentrale lokalë. PS akuzoi Bregun se me ndërmjetësimin e saj, kunati i ministres, Hektor Ajazi, kishte përfituar koncesionin edhe pse më parë nuk ishte marrë me këtë sektor. Socialistët kërkuan dorëheqjen e Bregut, pasi sipas tyre, në këtë kompani ishte i përfshirë edhe bashkëshorti i saj.