Me urdhër të prokurorisë së kryeqytetit, efektivët e Drejtorisë së Policisë në orët 03:00 të mëngjesit të djeshëm, i kanë vënë prangat në ambientet e institucionit të akuzës shefit të Shtabit të Njësisë Speciale të Gardës së Republikës, major Agim Llupo, i akuzuar për vrasjen e Ziver Veizit në demonstratën e 21 janarit.
Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të institucionit të akuzës dhe policisë së shtetit, të cilët sqaruan se arrestimi i tij, është bërë pasi ka “rrëfyer” për rreth katër orë para prokurorëve dhe hetuesve të çështjes në lidhje me veprimet e tij dhe eprorëve gjatë demonstratës. Sipas këtyre burimeve, mësohet se arrestimi i Llupos ka ardhur pas përfundimit të akt-ekspertimit balistik dhe krahasues të armës me predhën e gjetur në trupin e viktimës Veizi.
Ky akt-ekspertim është kryer nga ekspertët e laboratorit të Institutit të Policisë Shkencore, të cilët kanë provuar se nga arma e llojit “MP-5” që kishte në përdorim ditën e demonstratës majori Llupo, ka gjetur vdekjen gjirokastriti Veizi para portës së kryeministrisë më 21 janar. “Gjatë orëve të vona të së hënës është marrë në pyetje majori Agim Llupo bashkë me gjashtë gardistë të tjerë. Të gjithë këta persona, duke përfshirë edhe të arrestuarin janë pyetur me cilësinë e personave, që kanë dijeni për ngjarjen e 21 janarit.
Pas pyetjes së tyre, është urdhëruar ndalimi i majorit Llupo, që më pas në orën tre të mëngjesit të djeshëm i është prerë flet-arresti për akuzën e “vrasjes në rrethane cilësuese” më shumë se të një personi”,-thuhet nga burimet e akuzës. Sipas këtyre burimeve, mësohet se gjatë “rrëfimit” të tij vetë gardisti Llupo ka mohuar që ka qëlluar në drejtim të turmës me fishek luftarak. “Ne kishim urdhër të qëllonim në ajër me fishek mësimor. Gjatë gjithë kësaj kohe të shkrepjes së armës sime, kam qëlluar vetëm me fishek manovre. Shkrepje kjo, që është bërë edhe drejtë, por vetëm për të frikësuar turmën që donte të hynte në kryeministri”,-mësohet të ketë thënë majori Llupo para prokurorisë.
Por, këto pretendime, sipas akuzës, janë hedhur poshtë nga ekspertiza e policisë shkencore që ndodhet në vartësi të ministrisë së Brendshme, të cilët kanë konstatuar se predha e plumbit që ndodhej në kraharorin e gjirokastritit Veizi është shkrepur nga arma e majorit Llupo. Ky i fundit, ka pranuar se ka qenë pozicionuar edhe sipas plan vendosjes në tunelin (dritaren) anash kryeministrisë, nga ku duket qartë në pamjet filmike të regjistruara nga media të ndryshme duke qëlluar në drejtim të turmës, ku për pasojë vritet Ziver Veizi.
Por në asnjë rast nuk ka pranuar para hetuesve se ka qëlluar me plumba luftarak, edhe pse në vend rojën e tij hetuesit kanë sekuestruar një sasi të madhe gëzhojash të kalibrit 9 mm, të njëjtit kalibër me atë që kishte në përdorim major Llupo. Gjithashtu, sipas burimeve të dhëna nga prokuroria, mësohet se arma e tij “MP-5” kishte të vendosur edhe dylbitë e një snajperi.
Ndërkaq, pak kohë më parë, ishte “Shekulli” që botoi të dhëna të raportit të akt-ekspertimit të predhës së gjetur në trupin e viktimës Veizi, që ishte e dëmtuar si pasojë e kontaktit me trupa të huaj gjatë përshkrimit të rrugës nga tyta e armës deri në kraharorin e Veizit, që i solli vdekjen. Gjithashtu, po “Shekulli” botoi të dhënat e akt-ekspertimit që zbuloi armën e gardistit nga i cili gjeti vdekjen Veizi, armë kjo që rezultoi nga këqyrja e regjistrit të armëve të marra nga baza e Gardës, se i përkiste shtetasit Agim Llupo.
BOX
“Ka qenë ora 18:00 e mbrëmjes së djeshme, kur në prokurorin e Tiranës janë paraqitur shtatë gardistët e parë, të cilët ishin thirrur për të dhënë shpjegime në lidhje me demonstratën e 21 janarit. Emrat e këtyre gardistëve për arsye hetimi nuk mund të bëhen publike, por një gjë iu konfirmojnë se nuk kanë qenë personat të cilat prokuroria me anë të urdhër-ndalimeve i ka shpallur në kërkim”,-thanë burimet pranë Prokurorisë së Përgjithshme.
Sipas tyre, të gjithë efektivët e thirrur në prokuroria nga radhët e Gardës së Republikës, ditën e demonstratës kanë qenë zbatues të urdhrave të shefave që tashmë janë “shpallur” në kërkim. “Mes të pyeturve, kishte efektivë të thjeshtë të Gardës së Republikës dhe epror me pozita të ndryshme, gjithmonë pas gjashtë drejtuesve që tashmë janë shpallur në “kërkim”,-thanë burimet e akuzës, që sipas tyre, pritet ekzekutimi nga ana e policisë edhe pse kanë kaluar mbi 15 ditë.
*******************
Mbrëmë pasi ka lënë shërbimin, Shefi i Shtabit të Njësisë Speciale të Gardës, Agim Llupo është marrë në pyetje nga prokuroria dhe rreth orës 03:00 të mëngjesit është arrestuar
Arrestimi i tij u krye në ambientet e prokurorisë së kryeqytetit, ku janë thirrur punonjësit e Drejtorisë së Policisë së Tiranës për t’i vënë prangat
Identifikimin e tij, si autor të vrasjes së Ziver Veizit është bërë nga predha e gjetur në trupin e Veizit dhe krahasimit balistik me armën e sekuestruar që ditën e ngjarjes Llupo kishte në përdorim