Kompanitë e telefonisë celulare refuzojnë të venë në dispozicion të komisionit hetimor parlamentar, për trazirat e 21 janarit, tabulatet e drejtuesve më të lartë të shtetit, mes të cilëve 22 deputetë e figura kryesore të opozitës si edhe 3 prokurorë, shkruan sot “Gazeta Shqiptare” duke iu referuar burimeve zyrtare të këtij komisioni të ngritur vetëm me votat e mazhorancës.
Ato bënë të ditur se afati i fundit i përcaktuar për kompanitë telefonike ka qenë dita e djeshme. Megjithatë, për arsye që ende nuk bëhen publike, operatorët e telefonisë së lëvizshme nuk kanë pranuar t’i u japin skedarët deputetëve të komisionit. Por shkaku që mendohet se ka detyruar kompanitë telefonike të mbajnë këtë qëndrim është neni 121 dhe 123 i ligjit “Për komunikimet elektronike”. “Ndalohen marrja, regjistrimi, publikimi dhe përdorimi i të dhënave dhe i mesazheve të transmetuara nga rrjeti i komunikimeve elektronike dhe që nuk janë për publikun, si dhe dhënia e tyre personave të paautorizuar, për sa kohë që nuk përcaktohet ndryshe në legjislacionin në fuqi”
Komisioni Hetimor Parlamentar për ngjarjet e 21 janarit kërkoi zbardhjen e tabulateve telefonike të 31 zyrtarëve më të lartë të shtetit. Në listën e bërë publike nga deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj përfshihej Presidenti i Republikës, Bamir Topi, Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, drejtori i SHISH-it, Bahri Shaqiri, Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama si dhe 19 deputetë të opozitës. Jashtë kërkesës për hetimin e thirrjeve telefonike nuk mbetën as kryeministri, Sali Berisha, kryeparlamentarja, Jozefina Topalli si edhe komandanti i Gardës, Ndrea Prendi.