Vizita e Kryeministrit Rama në Gjermani u shoqërua me një sërë reagimesh negative nga komuniteti shqiptar atje. Kreu i qeverisë shqiptare realizoi një takim me Presidentin e Landit të Bavarisë dhe më pas iu përkushtua ekspozitës së tij me skicat që ka punuar në blloqe e fletore gjatë periudhës që ka qenë kryetar bashkie në Tiranë.
Komuniteti shqiptar me në krye Leonard Dedej nga organizata ‘REAGO’ u revoltua nisur nga neglizhenca dhe mungesa e interesit që tregoi Z. Rama ndaj refugjatëve shqiptarë që janë strehuar në kampin e azilantëve në Gjermani.
Dedej është angazhuar edhe sot, në të dytën ditë rresht dhe i ka kërkuar qytetarëve gjermanë të braktisin ekspozitën e Ramës ashtu siç ai ka braktisur popullin e tij. Ai ka krijuar postera e broshura ku ka informuar qytetarët gjermanë rreth keq-administrimit që Edi Rama i ka bërë vendit, ndërsa u ka ‘qarë hallin’ e shumë shqiptarëve.
“Kryeministri i Shqipërisë vjen në Munich për axhendën e tij personale. Atij nuk i intereson aspak rreth mijëra emigrantëve shqiptarë që qëndrojnë në Gjermani. Ai i përçmon ata, ndërsa u solli vetëm dhimbje, burg dhe varfëri ekstreme, dhe kjo është arsyeja pse ata vijnë këtu (Gjermani), sepse nuk kanë ku të shkojnë. A e dini ju gjermanë të dashur që në Shqipëri ne jetojmë në një gjendje terrori konstante nën regjimin e Ramës? E dini që të drejtat e njerëzve në Shqipëri janë më të këqijat në Europë?! E dini që politikanët tanë janë më injorantët, më të korruptuarit dhe janë thjesht kriminelë të zakonshëm?! E dini që në vendin tonë njerëzit vdesin nga sëmundjet, pasi janë shumë të varfër për të blerë ilaçe? E dini që Rama po vdes urie njerëzit e tij dhe po i fut në burg?! E dini që një qytetar shqiptar u fut në burg vitin e kaluar sepse nuk mund të paguante 20 euro faturë energjie?! Dhe më pas po ky njeri vari veten në burg për shkak të padrejtësisë që iu bë? Ju nuk e keni idenë kush është Rama dhe faktikisht nuk keni pse ta dini, por nëse doni të na ndihmoni ne atëherë refuzojeni dhe braktiseni punën e tij, ashtu siç ai ka braktisur popullin e vet. Këto foto janë të dhimbshme për ne, sepse janë pikturuar me pikëllimin tonë, me padrejtësitë që na janë bërë dhe mbështetjen që shteti jonë i jep krimit. Për ju ai është thjesht një artist, për në është një burrë që përhap terror!”- është shkruar në njërën prej broshurave.