Sot Këshilli i Europës do të marrë vendimin paraprak për çështjen e pronave në Shqipëri. Zëvendësministri i Drejtësisë, Idlir Peçi i cili është edhe kryesuesi i grupit të punës për shtyrjen e afatit me një vit të vendimeve të Strasburgut për kompensimin e ish-pronarëve, në një prononcim theksoi se perspektivat janë që afati të shtyhet.
Sipas tij, vendimi nga Gjykata e Strasburgut pritet që të merret në datën 17 qershorit, por verdiktin paraprak do ta marrë sot Këshilli i Europës. I pyetur nëse ky vendim do të jetë pozitiv, pra që të shtyhet afati për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës së Strasburgut me një vit, Peçi pohoi se pritet që vendimmarrja e KiE-së të jetë pozitiv. “Duhet pritur afati nga Gjykata Ndërkombëtare e Strasburgut e cila pritet që ta jap vendimin në datën 17 qershor. Besoj se po, sepse edhe vendimi paraprak nga Këshilli i Ministrave të KiE është pozitiv për shtyrjen e afatit. Ne raportojmë gjithmonë një herë në tri muaj.
Nesër do të jetë mbledhja e radhës e Këshillit të Europës, ku pritet që të merret një vendim pozitiv. Përfaqësues nga ana e qeverisë shqiptare do të jetë ambasadori ynë në KiE, si edhe avokati i shtetit. Nuk do të jem unë pasi është një mbledhje formale pa debat”,- tha zëvendësministri i Drejtësisë. Krahas kësaj, Peçi tha se plani i veprimit të qeverisë për kthimin dhe kompensimit e pronave pritet që të jap një rezultat pozitiv për shtyrjen e afatit.
Në rast të një përgjigje negative nga Gjykata, se shtetit shqiptar duhet të nis menjëherë dëmshpërblimin vendimeve të fituara në Strasburg, zëvendësministri i Drejtësisë theksoi se do të çoi në një falimentim të mundshëm të shtetit shqiptar. “Vendimi i gjykatës pritet që të jetë pozitiv për ta shtyrë afatin me një vi në bazë të planit të veprimit që ka miratuar qeveria dhe e ka publikuar. Në qoftë se vendimi është negativ, që nuk do të pranoi shtyrjen e afatit atëherë do të ketë pasoja për buxhetin e shtetit. Ashtu siç e kam bërë të ditur në deklarata publike, rrezikohet edhe falimentimi i shtetit”,- tha Peçi.