Pas arrestimit të 4 mjekëve, të cilët ushtronin profesionin e tyre në një spital privat, ka reaguar Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë. Sipas kreut, Din Abazi, mjekët po trajtohen si kriminelë, ndërkohë që jo çdo rast vdekjeje në sallën e operacionit ngarkon me faj bluzat e bardha.
“Arrestimet e mjekëve siç po ndodhin deri tani, pse i sëmuri vdes në sallën e operacionit, janë një veprim flagrant, janë një kriminalizim që po u bëhet mjekëve, duke i trajtuar si kriminelë. Ata punojnë dhe përpiqen aq sa i lejon shkenca, dijet dhe sëmundja, duke bërë maksimumin, por jo gjithmonë arrijnë të jenë të suksesshëm. Gjithkush e di që mjeku në punën e tij ka dhe dështime, askush s’dë-shiron ta humbasë të sëmurin e të dështojë”, – u shpreh Abazi.
Gjithashtu, ai theksoi se këto veprime janë duke demoralizuar mjekët për të kryer detyrën e tyre. “Arrestimet flagrante të mjekëve, trajtimi si kriminelë, askujt nuk i bën mirë. Këto akte demoralizojnë mjekët, rrisin mosbesimin te publiku, humbasin besimin e pacientit te mjeku”, – tha Abazi.
Për këto arsye, kreu i Urdhrit të Mjekëve u bëri thirrje organeve të drejtësisë që të ndryshojnë mënyrën e trajtimit të bluzave të bardha, ndërsa këtyre të fundit të mos demoralizohen, por të kryejnë detyrën. “Unë u drejtohem me këtë rast gjithë organeve të larta të drejtësisë, presidentit, ministrit të Drejtësisë, Prokurorit të Përgjithshëm: zotërinj, mos i trajtoni mjekët si vrasës, sepse ata nuk janë njerëz që vrasin, kanë për detyrë të shërojnë njerëz, jo t’i vrasin ata. Mjekët të mos demoralizohen, por të rrisin profesionalizmin, në mënyrë të veçantë të shtojnë kontaktet dhe komunikimin me të sëmurët e tyre”, – tha Abazi.