Home Sport Kombetarja zhgenjen serisht. Humbet 1-0 me Hungarine

Kombetarja zhgenjen serisht. Humbet 1-0 me Hungarine

696
0

Hungari-ShqiperiShqipëria ka pësuar humbjen e dytë radhazi në “trisin” e miqësoreve në kapërcyell të muajve maj-qershor. Ndëshkohemi sërish në dhjetë minutat e fundit, falë gabimeve tona. Nëse ndaj Rumanisë, katër ditë më parë, bënim gafë në mbrojtje dhe ndëshkoheshin në minutën e 83-të, kësaj here e kemi pësuar nga pika e bardhë e penalltisë. Humbja ka qenë po minimale, ndërsa 11-metërshin ia kemi “dhuruar” kundërshtarit. Ndërhyrja nga pas dhe fare e pakuptimtë e Kaces, kur kundërshtari mbulohej nga përpara prej Canës, bën që të prishet ekuilibri rezultativ dhe të na ikë nga duart një barazim pa gola. Hungaria shënon në portën e Berishës dhe thellon rekordet në përballjet me kuqezinjtë. Përvec humbjes më të thellë në histori, 12-0 ndaj hungarezëve, vijojmë të mos dimë c’është goli dhe fitorja ndaj këtij kundërshtari. Po ashtu, një tjetër miqësore dëshmon se jemi larg asaj që kërkohet nga De Biazi dhe të tijtë. Lodhja fizike, e përdorur si justifikim nga italiani pas dështimit me rumunët, ishte evidente te tanët edhe në Budapest, por fundsezoni është një peshë e rëndë edhe për kundërshtarët me të cilët u përballëm, jo vetëm për ne. Eksperimenti i radhës, me Canën në mesfushë dhe dyshen Curri-Mavraj në prapavijë, rezultoi i pasuksesshëm, ndërkohë që mbetet të shpresojmë se me rikthimin e tiutullarëve të tillë si Basha, Meha, Sadiku, Cani e të tjerë të tregojmë tjetër fytyrë. Starti i eliminatoreve të “Euro 2016” nuk është larg. Përkundrazi, fillimshtatori është afër, ndërkohë që koha një dispozicion të De Biazit sa vjen e limitohet. Testi i radhës ndaj San Marinos modeste pas katër ditësh ndoshta do të shërbejë për ta larguar sadopak shijen e keqe që lanë dy miqësoret e para të “trisit” të kësaj vere, por nuk mund t’i “shurdhojë” sadopak këmbanat e alarmit që bien në kampin kuqezi.

Ndeshje miqësore, Stadiumi “Ferenc Puskás”, Budapest
HUNGARI-SHQIPERI 1-0
Goli: T.Priskin 82′ (pen)
HUNGARIA SHQIPERIA
D. Rozsa E. Berisha
T. Heffler Mavraj
Z. Lipták A. Lila (E. Vila 80′)
M. Korhut (Bosnjak 67′) D. Curri (Kaçe 65′)
A. Lang E. Hysaj
Dzsudzsák (Lovrencsics 73′) L. Cana
M. Pátkai (Vécsej 55) V. Rama (Vajushi 70)
J. Varga A. Agolli
Z. Stieber (R. Varga 63′) S. Gashi (Kapllani 66′)
G. Rudolf E. Lenjani
M. Futacs (Kalmár 46′) S. Cikalleshi
Tr: A. Pintér Tr: G. De Biasi
Kartonë të verdhë: Lang 28′, J.Varga 43′, Kalmar 83′
Gjyqtar: McLaughlin Paul, Mark Gavin, Emmet Dynan (Irlandë)

1Pjesa e parë
Që në minutën e dytë fitojmë goditjen e parë nga këndi. Kuqezinjtë e nisin ndeshjen në ofensivë, duke iu imponuar territorialisht skuadrës vendëse. Sidoqoftë, nuk vonojnë të kundërpërgjigjen edhe hungarezët, që me anë të Rudolf godasin drejt portës së Berishës, por Curri devijon në këndore. Duke dhënë kësisoji sinjalin e një loje me shumë pasime, por ngulmuese drejt zonës kuqezi. Ajo që bie në sy është mungesa e fantazisë në mesfushën tonë, repart i cili vuan në përballjen me kundërshtarin. Duke qenë “zemra” e lojës, rrjedhimisht kemi të bëjmë me një “hallkë” të shkëputur në “zinxhirin” kuqezi. Cka do të thotë se daljet në sulm bëhen kryesisht nga krahët, por më së shumti në mënyrë rastësore e pa koncept të qartë. Gashi dhe Rama marrin pjesë në detyra defensive në mesfushë, kur topin e kanë hungarezët, ndërsa asistojnë nga krahët Cikalleshin, majën e sulmit të Shqipërisë. Goditja e dytë e dënimit vjen në minutën e 19-të për tanët. Topi devijohet nga hungarezët në një tjetër këndore, në anën tjetër të fushës. Janë momente që e mbajnë kombëtaren shqiptare në gjysmëfushën vendëse, por pa e shënjestruar dot portën kundërshtare. Mungon pasimi final dhe goditja potente në kuadrat. Vështirësi në organizim dhe lojën e rrjedhshme ka edhe Hungaria, e cila aplikon pasimet e gjata për të zënë në befasi prapavijën kuqezi. Hysaj në të djathtë është i pakalueshëm, ndërsa dyshja e qendrës, Mavraj-Curri, shfaqin hera-herës mungesë koordinimi, por pa problem. Në total, në 45 minutat e para, kemi të bëjmë me nga një rrezik potencial në secilën portë. Fillimisht ishin hungarezët, që përmes goditjes së dënimit, ekzekutuar nga kapiteni i tyre, “qethën” traun e portës së Berishës, ndërsa Gashi ndërmori një inkursion individual në minutën e 38-të, duke goditur nga larg. Portieri rumun priti me vështirësi.

Cana dyluftimPjesa e dytë Nis pa zëvendësime te kuqezinjtë, ndërsa venësit kryejnë një të tillë menjëherë. De Biazi vijon të besojë dhe kërkon ta shohë më tepër në veprim formacionin e fillimit, me qasje taktike ofensive, por që prodhon shumë pak realisht në këtë drejtim. Hungaria duket qartësisht më e angazhuar, teksa konsumon pesë minutat e para të këtij fraksioni loje në gjysmëfushën kuqezi, ku fiton edhe dy këndore radhazi. Berisha tregohet në lartësinë e duhur me grushtimet spastruese. Të besuarit e De Biazit hasin vështirësi në daljen nga gjysmëfusha e tyre. Pasimet janë të gabuara dhe topi humbet shumë shpejt. Paqartësia në mesfushë reflektohet edhe në sulm e prapavijë, sepse ky repart nuk arrin të furnizojë me topa Cikalleshin, ndërkohë që me gabimet në adresimin e topit dhe kthimin e tepruar të tij pas sjell pështjellim edhe te mbrojtja. Zëvendësimi i parë për tanët bëhet në minutën e 64-t. Curri ka shpenzuar shumë dhe duket i lodhur, ndaj ulet në stol. Në lojë hidhet Kace, cka e rikompozon formacionin tonë. Cana zë vendin përkrah Mavrajt në qendër të mbrojtjes, ndërsa Kace merr rolin e tij të zakonshëm në mesfushë. Në lojë hidhet edhe Kapllani, duke zënë vendin e Gashit. Golashënuesi më i mirë i Zvicrës nuk tregoi asgjë nga repertori i vet, duke mbetur në hije si edhe ndaj Rumanisë. Tejet i lodhur fizikisht lojtari i Grasshopersit, ashtu si tërë kombëtarja jonë, në fakt. Dicka e natyrshme, kur bëhet fjalë për fundin e një sezoni të gjatë, të sapombyllur. Hungarezët thuajse e ndërrojnë tërësisht formacionin që nisi ndeshjen, duke bërë zëvendësime të shumta. 20 minuta lojë ia beson edhe këmbëve të Vajushit trajneri De Biazi. Shkodrani i Liteksit, ashtu sikurse edhe të tjerët, e hedhur në lojë në pjesën e dytë, nuk arrijnë t’i japin tjetër fytyrë kombëtares kuqezi. Paqartësia në veprime, mungesa e organizimit dhe e goditjeve drejt portës hungareze bëjnë që portieri vendës të mbetej në rolin e spektatorit. Në kahun tjetër, Etrit Berisha dëshmoi sërish se është pika më e fortë e Shqipërisë, duke zgjidhur në mënyrën më të mirë të mundshme rastet e rrezikshme të paraqitura në kuadratin e tij. Natyrisht, nuk kishte cfarë të bënte në rastin e penalltisë, të shkaktuar nga Kace, kur hungarezët shënuan dhe siguruan fitoren. Shqipëria vijon të mos e dijë se c’është goli dhe fitorja ndaj një kundërshtari të tillë, i cili na ka shkaktuar edhe humbjen më të thellë në histori, në shifrat tenistike 12-0.
Hungari-Shqiperi 2-0Historiku, as gol dhe as fitore për kuqezinjtë

Shqipëria dhe Hungaria janë përballur mes tyre gjashtë herë në histori. Kuqezinjtë tanë njohin humbjen më të thellë me këtë kundërshtar, në shifrat tenistike 12-0, regjistruar më 24 shtator 1950 në Budapest. Dy kombëtaret në fjalë ishin ndeshur mes tyre për herë të fundit më 28 mars 2009, në ndeshjen e kthimit kualifikuese të “Botërorit 2010”. Kuqezinjtë e drejtuar asokohe nga holandezi Ari Han mundeshin minimalisht në “Qemal Stafa” (shënonte Torgelle në 38’), ndërkohë që ndeshjen e parë në Budapest e kishin humbur 2-0 (shënonin Torgelle 49’ dhe Juhasz 82’). Në total, nga gjashtë ndeshje të luajtura mes Hungarisë dhe Shqipërisë, kuqezinjtë tanë kanë marrë vetëm një barazim të bardhë, në vitin e hershëm 1948, ndërsa janë mundur pesë herë të tjera. Golaverazhi është i thellë për hungarezët, në shifrat 18:0. Pra, Shqipëria nuk ia ka dalë të shënojë qoftë edhe një gol të vetëm në portën hungareze, edhe pse ka luajtur pesë herë ndaj tyre.

Ndeshjet
20.08.1947: Budapest
Hungari-Shqipëri 3-0
Golat: Zsolnai, Egresi, Deák
23.05.1948: Tiranë
Shqiperi-Hungari 0-0
24.09.1950: Budapest
Hungari-Shqiperi 12-0
Golat: Puskás (4), Budai II(4), Palotás (2), Kocsis (2)
11.10.2008, Budapest
Hungari-Shqiperi 2-0
Golat: Torghelle, Juhász
28.03.2009, Tiranë
Shqipëri-Hungari 0-1
Golat: Torghelle
04.06.2014, Budapest
Hungari-Shqipëri 1-0
Golat: T.Priskin

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here