Home Aktualitet Spahiu jep alarmin: Për një muaj, 3800 qytetarë shqiptarë kthehen në grekë

Spahiu jep alarmin: Për një muaj, 3800 qytetarë shqiptarë kthehen në grekë

702
0

Katër javët e fundit, 3800 shqiptarë në jug të vendit kanë ndërruar kombësinë e tyre me atë greke. Përpos alarmit të përhapur dhe kërkesave të KLD-së që qytetarët të mos ndërrojnë kombësinë, duket se akoma më shumë është rritur fluksi në këtë drejtim. Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu gjatë një takimi me anëtarët e shoqatës “Fan Noli” ka përshëndetur shtyrjen e procesit të regjistrimit, por ka kërkuar zbatimin e ligjit dhe të rekomandimeve të fundit të Brukselit përsa i përket vetëdeklarimit të fesë.
Kërkesa
Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu ka kërkuar që të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rishikimin e ligjit të gjendjes civile dhe kryerjen e regjistrimit të popullsisë duke hequr pyetjet mbi vetdeklarimin e fesë dhe kombësisë. “Duhet të presim një vendim të Gjykatës Kushtetuese e cila sapo ka caktuar ditën e gjykimit për çështjen dhe kërkesën e kryetarit të Gjykatës së Sarandës dhe Gjykatës së Shkodrës në lidhje me nxjerrjen antikushtetuese të dispozitave për ndryshimin e kombësisë në ligjin për gjendjen civile. Kjo i jep kohë ligjbërësve që në këto muaj deri në tetor-nëntor të 2011-s, të reflektohen të gjitha opinionet e grupeve të interesit apo profesionistëve me qëllim amendimin e ligjit për regjistrimin e popullsisë”, është shprehur Spahiu. Ky regjistrim i popullsisë në bazë të fesë dhe etnisë bie në kundërshtim të plotë me konventat europiane dhe nuk është zbatuar në asnjë vend europian.
Hetimi
Ndër të tjera, Spahiu, deklaroi se ky proces kërkon edhe hetimin e plotë të të gjithë nëpunësve në gjendjet civile të cilët në këmbim të favoreve personale, apo ryshfeteve kanë kryer falsifikime. “Në këto muaj shteti ka detyrim të bëjë një hetim dhe verifikim të plotë të gjitha gabimeve apo falsifikimeve që mund të jenë realizuar në ndryshimin e kombësisë, sepse edhe nëse do të realizohet një regjistrim, mbi baza etnie, por jo vetëdeklarimi, të mundet shtetit të vërë në dispozicion regjistra dhe akte të cilat të provojnë përkatësinë etnike të çdo qytetari të këtij vendi”, theksoi Spahiu. Kreu i shoqatës “Fan Noli” i ka drejtuar një thirrje publike gjithë grupeve të shoqërisë civile, që ditën e shtunë të bëjnë një tubim ku të ndalin regjistrimin e popullsisë në bazë të fesë e etnisë. “Të marrin pjesë në tubimin e ditës së shtunë për të diskutuar rrugët më të mundshme ligjore në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë për të mos lejuar regjistrimin me formularët asgjësues për kombin shqiptar, duke mundësuar një regjistrim normal të popullsisë, siç veprohet në të gjitha vendet e zhvilluara të Evropës, pa deklarim të etnisë dhe të fesë”, deklaroi Nuri Dragoi, kryetar i shoqatës “Fan Noli”.
Gjyqtari i Shkodrës ka saktësuar se ky regjistrim në qytetin e tij mund të jetë burim i tensioneve të larta mes qytetarëve.

Regjistrimi i popullsisë, Godo: Sjell rritje artificiale të etnive të ndryshme

Politikani dhe historiani i njohur Sabri Godo deklarohet kundër regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike dhe fetare. Në një intervistë për “Neës24”, Godo nënvizoi se një regjistrimi i tillë do të sjellë rritje artificiale të etnive të ndryshme. Godo deklaron se “Regjistrimi i kësaj natyre mund të bëhen në Shqipëri, kur ne jemi në kushte të barabarta me fqinjët, sepse sot realiteti është që ka prapë shqiptarë që duan të ikin këtej, të gjejnë një sistemim në Europë. Të drejtë që nuk e kanë fituar ende, sepse nuk jemi anëtarë të BE, kështu që kërkojnë rrugë të tërthorta, ëndërrojnë të marrin një kombësi e shtetësi që u lejohet të qarkullojnë në tërë botën. E bëjnë për nevojat e tyre të jetesës”. Godo thotë se “duhet gjetur një rrugë që të mos arrijmë në regjistrim artificial të shqiptarëve, domethënë të deklarohen të kombësive të huaja, më tepër nga sa janë”. Zoti Godo është një nga 52 personalitetet e vendit të cilët kanë firmosur peticionin kundër këtij regjistrimi të popullsisë, si një veprim që antikombëtar dhe që shkel kushtetutën. Peticioni i është dërguar dje Presidentit Topi. Sipas 52 firmëtarëve, mes tyre dhe dy ish presidentëve, Rexhep Meidani dhe Alfred Moisiu, regjistrimi është i gabuar pasi Shqipëria është një shtet laik. Ata e konsiderojnë veçanërisht të rrezikshme në momentet e tanishme, kërkesën për vetëdeklarimin e kombësisë dhe se elementë të tillë regjistrimi nuk ekzistojnë në asnjë nga 27 vendet anëtare të komunitetit evropian ku aspirojmë të anëtarësohemi.Duke iu referuar këtij peticioni Godo thotë se “mbetet me shpresë se gjërat do të ndryshojnë”, por kujton se “shtyrja e këtij regjistrimi nuk do të thotë se gjerat janë zgjidhur”.

Nepravishta: Ja pse dhashë dorëheqjen nga ERE

Ish-kreu i Entit Rregullator të Energjisë, Bujar Nepravishta ka folur dje lidhur me largimin e tij nga ky post. Nepravishta ka bërë të ditur se është larguar me vullnetin e tij dhe ka saktësuar se shkarkimi i tij nuk mund të bëhet pa miratimin e Kuvendit. “ERE është një institucion që varet nga Kuvendi dhe shkarkimi mund të bëhet vetëm nga Kuvendi. Deri tani nuk ka asnjë vendim nga ky institucion për shkarkimin tim”, ka deklaruar Nepravishta. Ai ka theksuar se më 10 shkurt i ka kërkuar Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, që të pranonte dorëheqjen e tij, e cila sipas tij është bërë për motive personale. Më tej Nepravishta ka shtuar se ERE ka gjobitur kompaninë CEZ për faturime të parregullta, pas ankesave të bëra nga konsumatorët.

Policët që neglizhojnë detyrën, Aliaj: Pas çdo polici ka një deputet

Drejtori i sigurisë rrugore në policinë shqiptare Shkëlzen Aliaj, interesimit të deputetëve se pse shihen shpesh policë që nuk rrinë në krye të detyrës iu përgjigj jo pa ironi se, pas çdo polici ka një deputet. Përgjigjja e shefit të sigurisë rrugore në vend, ishte e ashpër, ndërsa reagimet ishin të qeshurat e deputetëve të Komisionit të Sigurisë Kombëtare. “Në përgjithësi të gjithë këta elementë që ndodhen në shërbimin e policisë rrugore kanë nga një deputet nga mbrapa që i mbështet”, është shprehur Aliaj. Gjatë një propozimi për ndryshimin e kodit rrugor në Shqipëri, Aliaj u shpreh se kërkohet në mënyrë urgjente ndërhyrja, për shkak se pjesa më e madhe e aksidenteve vjen nga mosrespektimi i rregullave të qarkullimit. Por Aliaj sulmoi ashpër edhe sistemin e sinjalistikës. “Përdorimi i pijes alkoolike, tejkalimi i normave të shpejtësisë, mospërdorimi i rripave të sigurimit, mospërdorimi i kaskës mbrojtëse, këto janë shkaqet kryesore në aksidentet me pasoja fatale dhe plagosje të rëndë. Përdorimi i sistemit, kryesisht në qendrat e banuara, lë shumë për të dëshiruar. Nuk kanë asnjë standard sigurie. Nuk ka një kryqëzim të prodhuar në bazë të normave standarde të Komunitetit Evropian, që çon në rritjen e sigurisë rrugore”, tha Aliaj. Policia ka kërkuar rritjen me 5 deri në 10 herë më tepër të gjobave për shpejtësi dhe përdorim të pijeve alkoolike.Në fillim të kësaj seance, socialistët kanë kërkuar thirrjen në seancat në vijim të ministrit të Mbrojtjes, Imami në lidhje me trafikun e armëve, si edhe të drejtorit të përgjithshëm të policisë, Burgaj për ngjarjet e ndodhura në 21 janar.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here