Home Aktualitet Gripi vdekjeprurës, mjekja: “Ja si të mbroheni”

Gripi vdekjeprurës, mjekja: “Ja si të mbroheni”

785
0
Mjekja pediatre-infeksioniste, Gjeorgjina Kuli
Mjekja pediatre-infeksioniste, Gjeorgjina Kuli

Mund të përhapet shumë shpejt dhe shfaq komplikime, të cilat mund të çojnë deri në fatalitet. Janë këto dy nga vetitë e virusit të gripit që është në qarkullim, i cili, ndryshe nga çdo vit tjetër, ka kulmuar në mesin e sezonit dimëror, gjë që favorizon edhe më tepër masivizimin e tij.

Mjekja pediatre-infeksioniste, Gjeorgjina Kuli, pohon se riskun më të madh për humbjen e jetës e kanë fëmijët e vegjël dhe moshat mbi 60 vjeç. Po ashtu, të riskuar janë edhe pacientët që vuajnë nga sëmundjet e zemrës, diabeti apo sëmundje të tjera bashkëshoqëruese.

Kuli ndalet edhe te komplikimet që shkaktohen nga virusi i gripit, si edhe masat që duhen ndërmarrë për të parandaluar përhapjen e tij.

Jemi në situatën kur është ndezur alarmi, mbi 16 mijë të prekur në javë nga gripi. Sa rrezik paraqet virusi AH3N2, që është në qarkullim?

Prekshmëria tregon që ka një veti të madhe përhapjeje. Kjo ka të bëjë me aftësinë për t’u shpërndarë nga njëri pacient te tjetri. Ajo që përcakton rrezikshmërinë është shprehja e komplikacioneve të rënda dhe kërcënuese për jetën. Në përgjithësi, të gjitha viruset e gripit mund të jenë nga forma të lehta, abortive, deri edhe në forma shumë të rënda. Vetë infeksioni i gripit mund të japë insuficiencë apo pamjaftueshmëri respiratore, që mund të komplikohet edhe më tej, me një përfundim i cili mund të jetë fatal. Por me rëndësi është që të bëjmë dallimin ndërmjet gripit dhe virozave të tjera respiratore. Ne gjithnjë priremi që një virozë, me temperaturë, ta quajmë grip. Në fakt nuk është e vërtetë, sepse viruset respiratore janë të ndryshme. Viruset aktuale janë viruset e influencës, të ndara në disa grupe, kryesisht forma të tilla epidemike japin virusi A dhe virusi B. Shtamet e verifikuara deri më tani kanë qenë shtame virusale H3N2, që janë shtame qarkulluese prej kohësh. Edhe vitin e kaluar kemi pasur raste gripi, por numri ka qenë më i reduktuar dhe koha e shprehjes ka qenë fundi i sezonit, konkretisht muaji shkurt dhe mars. Ndërsa tani, kombinojnë me kulmin e stinës së dimrit, duke qenë se edhe temperaturat janë ulur ndjeshëm, gjë e cila favorizon edhe përhapjen e virusit.

Me çfarë shenjash paraqiten fëmijët në urgjencë?

Shenjat me të cilat manifestohet janë temperaturë e lartë, rrjedhje e hundëve dhe kollë me sekrecione. Mund të japë, po ashtu, vështirësi në frymëmarrje, e cila shkaktohet nga bllokimi i rrugëve të frymëmarrjes ose nga mbivendosja e komplikacioneve.

Çfarë komplikimesh mund të sjellë ky virus?

Komplikacionet që mund të japë virusi i gripit janë të ndryshme. Kryesisht janë komplikacione të aparatit respirator, të cilat fillojnë nga lart, me infeksionet e veshëve, mund të japin laringit. Pastaj mund të ndodhë që të preken rrugët e frymëmarrjes deri në bronkopneumoni dhe pneumoni. Te fëmijët më të rritur mund të japin edhe sinozitet, qoftë të reja, qoftë edhe një shfaqje ose riagravim të sinoziteve ekzistuese që kanë kaluar dhe momentalisht mund të jenë në qetësi. Këto janë komplikacionet kryesore të gripit, por pasojat më të rënda mund të përmendim prekjen e sistemit nervor qendror (encefalit), pra kur virusi kalon në qarkullim, vendoset dhe shumëzohet me substancën trunore. Virusi i gripit, po ashtu, mund të japë komplikacion, veçanërisht te fëmijët e vegjël që kanë edhe një papjekuri të mëlçisë. Në qoftë se përdoren preparatet ulëse të temperaturës pa kriter, mund të japin edhe atë që quhet sindroma REI, që është një prekje e trurit, e cila vjen si rezultat i dëmtimit të mëlçisë. Në këtë rast kemi të bëjmë me një kombinacion të virusit të gripit me përdorimin pa kriter të preparateve të temperaturës. Mund të japë po ashtu hemorragji gastro-entestinale, kur ndodh shkatërrimi i mukozës së stomakut nga vetë virusi i gripit. Mund të japë prekje të zemrës, miokardite, të cilat edhe këto janë komplikacione që kërcënojnë jetën. Pra të gjitha këto janë komplikime që mund të vijnë nga vetë virusi i gripit. Por komplikacionet më të shumta në grip ndodhin si pasojë e mbivendosjes së mikrobeve. Pra kur një sëmundje virale kthehet në një infeksion bakterial. Pra, mbi këtë mukozë të dëmtuar, ku është hequr mekanizmi mbrojtës i pastrimit të sekrecioneve, prodhimit të mukusit, vendosen mikrobe që ndodhen normalisht. Trakti respirator ka mikrobe, të cilat duke gjetur një mukozë të shkatërruar, me imunitet të dëmtuar, mbivendosen dhe janë pneumoni, bronkopneumoni, që është ftohje e rëndë.

Si mund të dallohet në kohë?

Një grip ka ecurinë e vet, pra që arrin në temperaturë të lartë dhe zgjat deri në pesë ditë. Gripi nuk kthehet. Në qoftë se kalon infeksioni, pra rri një apo dy ditë pa temperaturë dhe rishfaqet, kjo tregon që është shfaqur një komplikacion i ri i gripit. Atëherë patjetër duhet të ndërmerren masat e nevojshme, sepse kemi të bëjmë me mbivendosje bakteriale.

Prindërit shprehin shqetësimin se fëmijët kanë pasur temperaturë për javë të tëra…

E tillë është ecuria e këtij infeksioni. Javë të tëra virus gripi nuk ka. Normalisht mund të shkojë nga 3 deri në 5 ditë maksimalisht. Rishfaqja e temperaturës dhe komplikacioneve ka të bëjë me pasojat, infeksione të tjera të rrugëve të frymëmarrjes dhe jo me vetë gripin, por pasojat e tij.

Cilat janë grupmoshat më të prekura?

Të gjitha grupmoshat preken. Kemi izoluar virusin e gripit edhe nga mosha 0 deri në 1 vjeç. Virusi i gripit ka një ndryshueshmëri shumë të madhe antigenike. Pra një virus gripi nga një virus gripi i vitit tjetër ndryshon shumë, pavarësisht se është një stereotip i veçantë, ndryshon struktura. Këtë periudhë ka pasur fluks të shtuar të pacientëve, me temperaturë, që ka ardhur duke u rritur dhe që komplikohet me sekrecione të hundëve, veshëve, me kollë etj.

Shtrime ka pasur?

Po, sidomos me komplikacione. E keqja është që gripi në vetvete nuk ka mjekim specifik. Ka preparate antivarale, siç janë tamifluja, por ka indikacione specifike dhe nuk mund të përdoret te çdo pacient. Një grip normal pa komplikacione trajtohet me ulës të temperaturave, përdorimi sa më shumë i lëngjeve dhe përdorimi i antibiotikëve, në qoftë se ka komplikacione. Përdorimi i antibiotikut nuk duhet të përdoret pa këshillën e mjekut.

Ku është më prezent risku për humbjen e jetës?

Është te të gjithë. Riskun më të madh për humbjen e jetës e kanë moshat ekstreme, fëmijët e vegjël dhe moshat mbi 60 vjeç. Të riskuar janë edhe pacientët që kanë një sëmundje bashkëshoqëruese. Risk të madh kanë gratë shtatzëna, kanë të gjithë pacientët që kanë sëmundje pulmonare, të sëmurët e zemrës, ata që vuajnë nga diabeti. Të gjitha këto kategori kanë një risk më të lartë për komplikacione, qoftë edhe kërcënuese.

Çfarë këshilloni për ata që janë të prekur nga gripi?

Në radhë të parë duhet shmangur frekuentimi i ambienteve të mbyllura, i vizitave, takimet etj. Së dyti, ulësit e temperaturës duhet të jepen sipas udhëzimit të mjekut, sepse ndodh që ose jepen shumë shpesh, ose më pak se ç’duhet. Preparati i temperaturës duhet të jepet në dozën që përshkruhet. Preparatet që përdoren për fëmijët janë paracetamoli me emra të ndryshëm apo ibuprofeni. Aspirina, në mënyrë kategorike nuk përdoret te fëmijët. Tjetër është përdorimi sa më shumë i lëngjeve, sepse bëjnë mirë për shkarkimin dhe hollimin e sekrecioneve në rrugët e frymëmarrjes. Te fëmijët deri në 2 vjeç ne nuk rekomandojmë preparate qetësuese të kollës që jepen zakonisht. Siç janë shurupet e kollës, të cilat nuk kanë ndonjë efekt. Këto vlejnë edhe për ata që nuk janë prekur.

Si mund të mbrohen këta të fundit?

Sigurisht. Rekomandohet, po ashtu konsumimi i frutave të freskëta, lëngjeve, vitamina C, e cila konsiderohet si një stimulues i imunitetit. Vitamina C mund të merret deri në 500 miligramë në ditë për të parandaluar prekjen.

A mund të parandalohej? Që do të thotë çfarë masash duheshin marrë më parë që situata të mos jetë kjo, me të cilën jemi vënë përballë sot…?

Vaksina është i vetmi mjet parandalues. Nuk ka asnjë mjekim tjetër. Por vaksina nuk të mbron plotësisht nga prekja, por në 80% të rasteve mbron nga format e rënda. Pra pacientët që bëjnë vaksinë, ose nuk preken, ose kalojnë forma të lehta të gripit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here