Prokuroria e Përgjithshme ka dalë në krah të ish-drejtorit të Policisë së Dibrës, Shemsi Premçi, përsa i përket sekuestrimit të disa kamionëve që dyshoheshin si pjesë e trafikut të kromit nga miniera e Mulqizës, denoncuar publikisht nga kryepolici edhe në media.
Prokurori Sokol Stojani ka shfuqizuar sot vendimin e Prokurorisë së Dibrës dhe Matit për vlerësimin e masës së sekuestros që e cilësonte sekuestrimin nga policia të kamionëve të kromit në kundërshtim me ligjin. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, ky sekuestrim nga ana e uniformave blu të drejtuara atëherë nga Premçi ishte në përputhje me nenin 300 të Kodit të Procedurës Penale, pasi Policia Gjyqësore, e vënë përballë faktit të një ngarkese thuajse dyfish i sasisë së raportuar në dokumentacion dhe në kushtet kur kjo ngarkesë kishte destinacion Portin e Durrësit, nuk mund të kryente veprime të mëtejshme hetimore nëse nuk sekuestronte këto mjete.
Prokuroria e Përgjithshme është shprehur në këtë rast vepra penale ishte e dukshme dhe e prekshme.
Më 15 prill Premçi bllokoi 14 kamionë që transportonin krom drejt Portit të Durrësit pasi në dokumentacionin përkatës kishte parregullsi të rënda. Më pas Premçi u shkarkua nga detyra për shkelje ndërsa ai vetë e cilësoi këtë si një hakmarrje të asaj që ai e quajti mafia e kromit e që sipas tij i kishte rrënjët në Tiranë.
PREMÇI: KISHA TE DREJTE, BURGAJ I KAPUR NGA MAFIA
I kontaktuar nga gazeta Shqiptarja, zoti Premçi tha se ky vendim vërtetonte akuzat e tij ndërsa shtoi se kreu i Polisë së Shtetit, Hysni Burgaj, është “i kapur nga mafia”. Ai deklaroi se këtë vendim të prokurorit Stojani do ta paraqesë në provë në favor të tij në procesin gjyqësor ndaj Burgajt.