Home Aktualitet Arresohet Agron Troksi, shtetasi qe tentoi te futej me makine ne kryeministri

Arresohet Agron Troksi, shtetasi qe tentoi te futej me makine ne kryeministri

140
2

Drejtoria e Policisë në kryeqytet, vendosi zbatimin e urdhër-ndalimit të lëshuar nga grupi hetimor i prokurorisë së Tiranës, duke arrestuar shtetasin Agron Troksi që ditën e demonstratës tentoi të futet me makinën e tij në ambientet e kryeministrisë. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të Policisë dhe institucionit të akuzës, të cilët identifikimin e shtetasit Troksi e kanë kryer me anë të targave të makinës të cilat duken qartë në pamjet filmike të transmetuara nga televizionet.

Sipas këtyre burimeve, sqarohet se policia ka filluar zbatimin e urdhrit për personat që janë identifikuar si shkatërrues të pronës publike a private si dhe ndaj atyre, që kanë goditur efektivët e policisë në demonstratën e 21 janarit, ndërsa urdhrat për gjashtë drejtuesit e Gardës kanë mbetur pezull. Lajmin për arrestimin e Troksit, drejtuesit e policisë tentuan pasditen e djeshme ta trumbetojnë, por, prokurorët e çështjes konfirmuan se identifikimi i tij është kryer nga prokuroria.

“Pas sekuestrimit të pamjeve filmike të regjistruar nga televizionet e ndryshme, i jemi drejtuar Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugore për identifikimin e pronësisë së makinës tip ‘Benz 240’ me targa ‘TR 8118 B’ ngjyrë jeshile. Nga përgjigjja e marr, kemi mësuar se makina i përket shtetasit Agron Troksi. Me identifikimin e pronarit dhe krahasimit të fotos së tij me atë të regjistruar në momentin që del nga makina ku ishte lënduar, prokuroria ka lëshuar urdhër-ndalimin ndaj tij, duke i kërkuar efektivëve të

Drejtorisë së Policisë në kryeqytet ta zbatojnë me arrestimin e tij”,-thuhet nga burimet e prokurorisë. Efektivët e policisë në orët e para të mëngjesit të djeshëm, kryen arrestimin e Troksit në banesën e tij që ndodhet në rrugën “Sadik Petrela” në Tiranë.
“Në momentin e arrestimit, policia nuk ka hasur rezistencë nga i dyshuari Agron Troksi i cili është treguar i gatshëm të shoqërohej në polici”,-thanë burimet nga policia.

Pas arrestimit, i dyshuari Troksi është marrë në pyetje nga prokurorët e çështjes për ngjarjen e 21 janarit, ku me makinën e tij ka tentuar të hyjë në kryeministri. Sipas dëshmisë së dhënë Troksi ka pretenduar se ishte përfshirë nga turma dhe i irrituar nga të shtënat e policisë jam nisur me makinë drejt tyre.

“Po kam qenë unë shoferi i makinës dhe jam shtyrë nga irritimi drejt kryeministrisë. Nuk kisha qëllim të lëndoja njeri, por, thjesht nga zemërimi e kam bërë atë veprim i nxitur edhe nga turma. Makinën e kam pas të parkuar në afërsi të bulevardit “Dëshmorët e Kombit” ku po tentoja të largohesha me makinën për nga rruga e Elbasanit. Aty, disa shok më kërkuan të shkoja për të marr një të plagosur me armë. Kur erdha afër, turma më nxiti t’i drejtohem portës së kryeministrisë, ku u nisa dhe u ndala në barrikadën e hekurit. Aty jam lënduar pasi kam qëlluar me gjoks dhe kokë timonin”,-ka thënë Troksi para prokurorit.

Olldashi pasditen e 21 janarit: Makina ishte mbushur me eksploziv

Dëshmia e Troksit dhe kontrolli që hetuesit i kanë bërë makinës që ai ka përdorur kundër hyrjes së kryeministrisë nxjerr zbuluar një nga deklaratat më të bujshme të pasdites së 21 janarit. Atë të ministrit Sokol Olldashi. Ky zyrtar deklaroi pas masakrës se sipas të dhënave të tij kjo makinë e ngarkuar me eksploziv i është drejtuar kryeministrisë. “Nëse do shpërthente, do ishte bërë batërdia”, tha Olldashi. Ai tha se për fat nuk ka shpërthyer kjo makinë. Olldashi tha se janë paguar persona të inkriminuar për të vrarë protestuesit. Në të njëjtën linjë ka vijuar Imami me të dhënat e tij sipas të cilave protestuesit e ndjerë ishin vrarë nga afër nga persona të paguar nga Rama etj, deklarata këto, të hedhura poshtë nga hetimet.

Prokuroria, fletë-thirrje edhe Bares dhe Xhafës

Prokuroria e kryeqytetit, përveç dërgesës së fletë-thirrjes në adresë të dy deputetëve të Partisë Socialiste me të cilët është kontaktuar z.Paulin Sterkaj dhe z.Tom Doshi, grupi hetimor ka bërë gati fletë-thirrjet edhe për dy deputet e tjerë z.Besnik Bare dhe z.Fatmir Xhafa.
Sipas prokurorisë, edhe me këta dy deputetë do të merret kontakt për t’i ftuar me dëshirën e tyre të paraqiten në prokurori për të dhënë shpjegime për demonstratën e 21 janarit, ku nga filmimet duket qartë që dy deputetët debatojnë me efektivët e policisë. Përveç debatit, në pamje duket qartë që deputeti i PS-së z.Fatmir Xhafa qëllohet nga këmbët me shkop gome nga efektivët e forcave të policisë, goditje për të cilën pritet që deputeti të bëj kallëzim penal. Sipas prokurorisë, këta të fundit i kanë dërguar flet-thirrje edhe kryetarit të Partisë Socialiste për Tiranën z.Pjerin Ndreu, i cili pritet të paraqitet në prokurori për të dhënë shpjegime për mënyrën e organizimit të kësaj demonstrate.

Previous articleRama: Protesta do jete homazh per viktimiat. Berisha anulon tubimin
Next articleRama: Homazhe paqësore, rrethohet me gjemba kryeministria

2 COMMENTS

  1. SHqipria eshte e shqiptarve ku do qe jan.
    Ata qe e sulmun nuk ishin shqiptar bash me komandantin e tire(PUCISTIN).Pse i nxitohet pucistit,pse smund ti pres zgjedhjet 2013 pse ska koh se eshte i koruptuar,
    don zghedhje para kohe ti mbuloj gjith cka bere.
    Atij njeri nuk i intereson SHQIPRIA vec karikja.
    Pershendes ghith POLICET TRIMA,menire te vecant
    policin qe grinti FLAMURIN prej toke.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here