Ka dështuar sërish përpjekja e liderëve të mazhorancës dhe opozitës për arritjen e një konsensusi për presidentin e ri të vendit. Takimi i zhvilluar sot në Kryesinë e Kuvendit ka zgjatur rreth 3 orë, por pavarësisht negociatave intensive dhe pritshmërisë së lartë për të prodhuar një emër konsensual, në fund tryeza u mbyll pa asnjë rezultat.
Takimi mes liderëve politikë, Berisha-Rama-Meta-Idrizi nisi rreth orës 19:30 në Kryesinë e Kuvendit, një ditë para raundit të katërt të votimit për zgjedhjen e presidentit të Republikës.
Në takim ishin të pranishëm edhe krerët e grupeve parlamentare të PS-së dhe PD-së, Gramoz Ruçi dhe Astrit Patozi, të cilit shoqëronin Ramën dhe Berishën në këto negociata. Në diskutime morën pjesë të gjithë aleatët e mazhorancës, përveç kreut të Republikanëve Fatmir Mediu, i cili nuk ndodhet në Shqipëri.
Burime të NEWS24 bënë të ditur se mazhoranca u ul në tryezë me katër emra konkretë, të cilët iu propozuan opozitës për arritjen e një konsensusi. Në listën e mazhorancës bënin pjesë analisti Artan Hoxha, këshilltari i kryeministrit për ekonominë, Petraq Milo dhe dy ministrat Bujar Nishani dhe Arben Imami.
Pas takimit u konfirmua se zoti Artan Hoxha është kandidatura që mazhoranca do të paraqesë në Kuvend në raundin e ardhshëm, që do zhvillohet të hënën.
Të hënën në mëngjes pritet të zhvillohen mbledhjet e grupit kuvendor të PS-së dhe PD-së, për të vendosur qëndrimin e tyre zyrtar, ndërkohë që në orën 10:00 është parashikuar votimi për raundin e katërt në Kuvend.
Palët u ulën në këtë takim, në një kohë kur kandidati jo zyrtar i mazhorancës, Xhezair Zaganjori u tërhoq, duke deklaruar se nuk është më i disponueshëm për votimin e katërt në Kuvend.
BERISHA: BEME PEPJEKJE MAKSIMALE PER KONSENSUS
Shefi i qeverisë nënvizoi në përfundim të takimit, se mazhoranca ka bërë të gjtiha përpjekjet për të bërë të mundur zgjedhjen e një kandidati që do të gëzonte edhe mbështetjen e opozitës.
“Mazhoranca bëri një përpjekje të madhe që të afrohej përsëri me opozitën. Për këtë arsye në përzgjodhëm kandidatura të njohura për reputacionin e tyre në fushat përkatëse. Përzgjodhëm persoanlitete të shquara. Megjithë shkëmbimin e hapur të mendimeve nukarritëm një kandidaturë konsenduale, ndaj vendosëm që nesër të paraqesim në Parlament një personalitet të shquar të shoqërisë civile dhe publicistikës”.-u shpreh kryeministri Berisha.
Shefi i ekzekutivit vlerësoi figurën e zotit Artan Hoxha, duke nënvizuar “kontributin e tij në kompleksitetin e reformave gjatë dekadës së fundit”.
Kryeministri akuzoi opozitën për mungesë vullneti në zgjedhjen e nje presidenti konsensual, pasi siç tha ai ka refuzuar edhe shume kandidatura te tjera te pershtatshme, perveç Xhezair Zaganjorit apo Artan Hoxhes.
“Rama ka refuzuar cdo kandidaturë të paraqitur nga mazhoranca. Hoqëm dorë nga kandidatura politike, megjithatë Rama nuk pranoi as juristin Xhezair Zaganjori dhe as analistin Artan Hoxha, madje as një tjetër kandidaturë që nuk është bërë publike, por që ka qënë një personalitet i shquar, i cili meritonte konsensusin.”- vijoi Berisha.
META: ARTAN HOXHA, KANDIDATI I MAZHORANCËS
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta doli përpara mediave në përfundim të takimit, duke bërë të ditur vendimin e mazhorancës për të paraqitur në Kuvend kandidaturën e analistit Artan Hoxha, në raundin e katërt të votimit, që pritet të zhvillohet nesër në orën 10:00.
“Nuk arritëm të gjenim konsensusin për asnjë nga katër emrat e propozuar dhe shprehim keqardhje për këtë gjë. Nesër paradite mazhoranca do të zyrtarizojë kandidatin për president të Republikës, zotin Artan Hoxha”- u shpreh Meta.
I pyetur nga gazetarët në lidhje me rrezikun që përbën për marrjen e statusit kandidat mosgjetja e një konsensusi mes palëve për kreun e ri të shtetit, kreu i LSI-së tha se “caktimi i Artan Hoxhës nuk përbën pengesë për statusin kandidat. Mund të jetë fryma konfliktuale e politikës shqiptare ajo që mund të pengojë integrimin e Shqipërisë.”
RAMA: TRYEZA DESHTOI, NUK PRANOJME OFERTA TE NJËANSHME
Pas takimit kryesocialisti Rama konfirmoi se gjatë bisedimeve me mazhorancën nuk u arrit mirëkuptimi, pasi sipas tij qeveria nuk tregoi vullnet për një emër konsensual, por u paraqit në tryezë me kandidatura të njëanshme.
“Bëmë një përpjekje të gjatë intensive të plotvullnetshme për t’i dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve atë qe meritojnë, një president konsensual. Qeveria e kupton fare mire se moszgjedhja e një presidenti konsensual është një sinjal negativ për familjen europiane.”- u shpreh Rama.
Kryetari i PS-së tha se opozita mbetet e hapur për të kontribuar në zgjedhjen e një presidenti konsensual, por nuk do të mbështesë asnjë kandidaturë të nëjanshme.
“PS nuk do ta mbështesë një kandidaturë të njëanshme. Deri në minutën e fundit ka kohë për reflektim. Jemi gati të kontribuojmë për të gjetur kandidatin konsensual, në të kundërt le ta votojnë vetë dhe përgjegjësinë për humbjen le ta mbajnë vetë”- deklaroi Rama.
Shefi i opozitës deklaroi se fati i Shqipërisë europiane ka marrë një goditje nga mos gjetja e një konsensusi për kreun e ri të shettit.
“Ne jemi angazhuar më mish e me shpirt për fatin e Shqipërisë evroioane, që sot fakeqësisht është goditur me moskonsensus dhe unë jam i pari që shpresoj të jem gabim, por kam frikë se nuk gaboj kur them se me një zgjedhje të njëanshme të Presidentit qeveria ka zgjedhur mes vullnetit të kufizuar për të qëndruar mes obrrit të influencave të saj dhe statusit të vendit kandidat”, tha Rama.
Sipas kreut të PS-së, çështja nëse opozita do të marrë pjesë nesër në votim, “është çështje që do ta vendosë grupi parlamentar i PS-së”.
KUVEND DIGJEN 3 RAUNDET E PARA, TE HENEN RAUNDI 4
Kuvendi konsumoi të premten pa votim edhe raundin e tretë për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës, në mungesë të një kandidati konsensual. Konferenca e Kryetarëve vendosi me konsensus që raundi i katërt i votimit të zhvillohet ditën e hënë, 11 qershor, në orën 10:00.
Deri tani janë konsumuar tre nga pesë raundet e votimit për zgjedhjen e Kreut të ri të Shtetit, ndërkohë që në raundin e katërt dhe pestë të votimit, Presidenti mund të zgjidhet edhe me një shumicë prej 71 votash.
Presidenti i Republikës sipas nenit 87 të Kushtetutës zgjidhet me votim të fshehtë dhe pa debat nga Kuvendi. Për zgjedhjen e Presidentit, Kuvendi zhvillon deri në pesë votime. Votimi i parë zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit. Secili nga votimet e tjera zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga përfundimi pa sukses i votimit pararendës.
Votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat. Pas ndryshimeve që iu bënë tekstit të Kushtetutës në prill 2008, në raundin e katërt dhe pestë të votimit në parlament, Kreu i shtetit mund të zgjidhet edhe me një shumicë prej 71 votash. Ndërkohë që në proceset paraardhëse Kreu i shtetit është zgjedhur me shumicë të cilësuar, 84 vota