Home Aktualitet Sa ka lidhje atentati me myslimanizmin e shqiptarëve

Sa ka lidhje atentati me myslimanizmin e shqiptarëve

872
1

Dy ditë pas atentatit të një të riu të lindur në Kosovë dhe të rritur në Gjermani, autorët e shkrimeve në të përditshmet gjermane janë ende të paqartë nëse atentati ka lidhje me myslimanizmin në Kosovë.
Analizat
Disa autorë bëjnë një analizë të lidhjes së shqiptarëve të Kosovës me fenë myslimane. Shkëputëm dy prej tyre:Në numrin e sotëm (të djeshëm) të gazetës Frankfurter Allgemeine Zeitung, në artikullin me titull “Shqiptarët e Kosovës – formalisht myslimanë, këmbëngulin që janë laikë dhe proamerikanë”, autori pasi përmend shifrat se mbi 90 përqind e popullsisë së Kosovës pranon formalisht myslimanizmin shpjegon se shifrat nuk thonë shumë për rëndësinë faktike të islamizmit në Kosovë, sepse “feja e shqiptarëve është shqiptaria”, siç thotë një shprehje që sipas mendimit të tij e tregon mirë gjendjen.Në jetën e përditshme ose në politikë mendon autori, islamizmi luan një rol të dorës së dytë. Një parti që kërkonte të fuste sherihatin, nuk pati asnjë shans për ta kaluar pengesën e kufirit minimal të votave për t’u futur në parlament: Elita kosovare thekson laicizmin.Asnjë politikan, shkruan autori i FAZ, nuk ka shanse të  marrë vota me parulla islamike. Kjo nuk është një nga arsyet më të rëndësishme, por është njëra prej tyre, pse shumë vende islame nuk e kanë njohur deri tani pavarësinë e Kosovës, ose e kanë njohur pasi ka kaluar kohë. Autori përmend vendet si Pakistani, Egjipti,apo Indonezia prej të cilave Kosova pret të njihet. Pavarësisht aspektit të të drejtës ndërkombëtare, një arsye tjetër për këto rezerva është edhe qëndrimi tejet pro amerikan i popullsisë shqiptare të Kosovës. Dhe më tej: “Shqiptarët e Kosovës e dinë se jo vetëm dëbimi i ushtrisë serbe, por edhe krijimi i shtetit u bë falë Uashingtonit.”
Islamizmi
Që islamizmi nuk gjen jehonë të madhe në Kosovë, mendon edhe Norbert Mappes-Niediek. Në shkrimin me titull “Feja e shtetit- Kombi”, botuar në gazetën Frankfurter Rundschau, ai shkruan se megjithëse pjesa më e madhe e shqiptarëve të Kosovës janë pjesë e familjes myslimane, ata janë imunë ndaj joshjeve islamiste. Këtë e tregon edhe emërimi i një ish repisti si ministër kulture. Megjithatë mbetet të sqarohet nëse islamizmi në rritje atje ka lidhje me gjakderdhjen e shkaktuar nga Arid U. në Frankfurt. Një lloj feje e shtetit në Kosovë, është nacionalizmi shqiptar, “Islamizmi u detyrua tek shqiptarët”. Kjo është formula me të cilën nacionalistët e vërtetë i kanë mbajtur larg muxhahedinët sauditë ose boshnjakë. Fëmijëve u ngjiten emra si Ilir apo Dardan, Vlora ose Teuta. Kush quhet Hajrudin, Nezir ose Muharrem, e zë turpi për emrin që ka.Dhe më tej, Mappes-Niediek pasi vëren se pas 11 shtatorit në Kosovë ka mbretëruar solidaritet i qartë me çlirimtarët amerikanë, shton se që prej asaj kohe midis nacionalizmit shqiptar dhe fundamentalizmit mysliman është krijuar një urë ideologjike. “Nëse nuk do të kishim pranuar islamizmin, do të kishim qenë sot serbë po grekë,” citon autori Abdi Baletën, një “shqiptaromadh” i cili nuk ka pas vetes shumë ithtarë në Shqipëri. Dhe Kosova prej kohësh ka qenë e lirë nga ide të tilla, mendon autori. (Deutsche Welle)

Ambasadori Mirdita: Akti drejtohet edhe kundër Kosovës

Ambasadori i Kosovës në Berlin, Vilson Mirdita, në një intervistë për Deutsche Wellen e cilëson aktin terrorist të 21-vjeçarit kosovar ndaj ushtarëve amerikanë në aeroportin e Frankfurt si një lajm të tmerrshëm. “Ky akt i këtij personi, që është konfirmuar si individual nuk i drejtohet vetëm ushtrisë amerikane, por edhe vetë Kosovës dhe qytetarëve të saj. Ne u jemi mirënjohës përgjithmonë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për gjithë mbështetjen që i kanë dhënë Kosovës drejt pavarësisë dhe të vriten ushtarët, të cilët e sollën lirinë, kjo për mua si ambasador, por edhe si njeri është diçka e tmerrshme,“ thotë ambasadori Mirdita. Por Vilson Mirdita nuk mendon se ky rast do ta dëmtojë imazhin e Kosovës në Gjermani apo Perëndim: “Ne duhet te kemi parasysh se ky njeri me të vërtetë ka qenë qytetar i Republikës së Kosovës, por që nga viti i parë i jetës së tij tërë kohën e ka kaluar në Gjermani. Ka qenë një akt individual e raste të tilla mund të ndodhin çdokund. Nuk mund ta cilësojmë si rast që e dëmton imazhin e Kosovës.”
Të pasqaruara lidhjet me Kosovën
Sipas Mirditës deri tani nuk dihet se çfarë lidhjesh ka pasur Arid Uka me Kosovën. Ai është lindur në Kosovë, por ka një pasaportë të ish-Jugosllavisë. Se a ka udhëtuar me të në Kosovë, kjo nuk dihet ende. Gjithsesi, Mirdita nuk beson që lidhjet e tij me islamizmin ekstremist të kenë kaluar përmes Kosovës. “Tek shqiptarët në përgjithësi dhe në Kosovë nuk ka islamizëm ekstremist mund të ketë ndonjë element të veçuar. Ne jemi shumë krenarë për tolerancën ndërfetare që ekziston në Kosovë, prandaj edhe raste të tilla, siç ishte ai i Frankfurtit i prekin të gjithë qytetarët e Kosovës. Dhe kjo vihet re në aktivitetet e shumta që po organizohen.” Siç bëhet e ditur nga burime të Deutsche Welles, Konsullata e Kosovës në Frankfurt dhe studentët shqiptarë pritet të organizojnë një miting solidarizimi para konsullatës së përgjithshme të SHBA në Frankfurt.

Atentatori i Frankfurtit doras i vetëm

Atentatori, që vrau me armë zjarri të mërkurën në Aeroportin e Frankfurtit dy ushtarë amerikanë dhe palgosi rëndë dy të tjerë, e ka planifikuar veprën sipas njohurive të Prokurorisë së Përgjithshme Federale i vetëm. Nuk ka tregues se kosovari 21 vjeçar është pjesëtar i një organizate terroriste tha zëvendësprokurori i përgjithshëm, Rainer Griesbaum në Karlsruhe. Megjithatë, shtoi ai, atentatori është ndikuar prej rrymave islamiste dhe ka vizituar faqe interneti përkatëse. Prokuroria e Përgjithshme Federale mori përsipër hetimet të enjten dhe lëshoi urdhërarrest. Ndërkaq Forcat Ajrore Amerikane publikuan identitetet e dy viktimave. Ata janë 25 vjeçari Nicholas Alden nga Williamstoni i Karolinës së Jugut dhe Zachary Cuddeback nga Stanardsville-i i Virginias.

Kush është Arid Uka, vrasësi i ushtarëve amerikanë?

Arid Uka, 21 vjeç, i njohur edhe me emrin Abu Reyyan, ka pranuar autorësinë e vrasjes së dy ushtarëve amerikanë dhe plagosjen e dy të tjerëve ditën e mërkurë në aeroportin e Frankfurtit.Sipas një njoftimi të zyrës së kriminalistikës së landit Hesenit për televizionin ARD të cituar nga agjensia e lajmeve dpa, Arid Uka në marrjen në pyetje ka thënë se ka parë në internet një video me “pamje të këqia” të ushtarëve amerikanë. Video-ja tregonte se si ushtarët amerikanë plaçkitnin një shtëpi në Afganistan dhe përdhunonin një vajzë.Pasi e kishte parë videon ai “nuk kishte mundur të flinte gjithë natën”. Veç kësaj 21 vjecari kishte vënë re se si ushtarët e SHBA-së shpreheshin me përçmim në aeroportin e Frankfurtit për popullin afgan. Video-ja dhe kjo sjellje e ushtarëve ” kishin qenë për të impulsi për të vrarë veçanërisht ushtarë amerikanë që udhëtojnë për në Afganistan”.

Por kush është Arid Uka?
Ai vjen nga një familje kosovare, nga fshati Zhaber i Mitrovicë.s Babai i tij, Murat Uka ka ardhur si punëtor në Gjermani para 40 vjetësh. Vetë Murati u shpreh i shokuar kur mori vesh ngjarjen:
“Amerikanët janë miqtë tanë dhe na kanë ndihmuar shumë. Sigurisht, që kurrë nuk pajtohem me atë çfarë ka ndodhur“, thotë ai për mediat.Edhe të afërmit e familjes se Aridit, të cilët jetojnë në Mitrovicë, e kanë dënuar sulmin mbi ushtarët amerikanë.Në faqen e internetit në Facebook-un e Arid Ukës lexon referenca për Luftën e Shenjtë, urrejtje për “jobesimtarët” dhe ka një thënie të tijën të preferuar – “të mos flenë kurrë sytë e frikacakëve” – të Khalid Bin Walid-it, një luftëtar i lashtë islamik. Besimtarit i lejohet të luftojë jobesimtarët kur të sulmohet”.Gjermanët janë të frikësuar nga feja islame dhe përhapja e saj dhe më parë do të besonin në Santa Claus”, shkruan ai.

Fqinjët: Shoqërohej me një siriano-gjerman, ishte tip i qetë
Sipas së përditshmes gjermane “Bild”,  e cila i referohet një fqinje të shtëpisë ku banonte familja e Aridit, atentatori ishte shoqëruar hapur me një islamist gjerman, që ishte arrestuar në qershor të 2010, siriano-gjermanin Rami M.Rami M. ka banuar në të njëjtën shtëpi. Të dy ishin shokë, thotë fqinja për agjensinë e lajmeve dapd. Rami M. ishte arrestuar verën e kaluar nga shërbimi sekret pakistanez, ISI. Pa Raminë, Aridi nuk do të kishte pasur kurrë një ide të tillë”, thotë ajo për agjensinë gjermane dapd.
Në kohën e sulmit ndaj ushtarëve, ai ka thënë gjashtë deri në shtatë herë “Allah Akbar” dhe pastaj ka qëlluar mbi ata, shkruan dpa.Një tjetër fqinjë, Katarina F. me origjinë nga Serbia për  të përditshmen online Bild.de e përshkruan Aridin si një të ri normal dhe djalosh të këndshëm.Po për këtë faqe interneti, një ish-shok i tij i klasës  e cilëson Aridin :”Një tip i qetë, shumë miqësor, por tip që nuk binte në sy. Ai vepronte më shumë vetëm, nuk kishte asnjë shok”.Ai përfundoi një shkollë profesionale në  Eduard -Spranger-Schule dhe ishte punësuar prej një muaji në qendrën ndërkombëtar postare në aeroportin e Frankfurtit si ndihmës. Detyra e tij ishte të shpërndante postën. Kontrata e punës  e 21 vjeçarit do të përfundonte në fund të marsit.”Ne ishim të kënaqur me punën e tij , i tha gazetës “Bild”, zedhënësi i postës, Stefan Heß.

1 COMMENT

  1. NJE SQARIM QE DUHET SQARUAR!!!

    DY FLAMUR QE JANE ME NGJYRA TE NDRYSHME.ARID UKA ESHTE KOSOVAR DHE I PERKET KOSOVES NE LINDJE DHE TE JETUARIT NE GJERMANI DHE DUHET TE MBAJE PERGJEGJESINE VETE PER VRASJEN.AI AKUZON USHTARET AMERIKANE QE KA PARE NE VIDEO KUR PLACKITIN NJE FAMILJE AFGANE DHE PERDHUNONIN NJE FEMER SIC THOTE ARIDI.USHTRIA AMERIKANE KA NJE DISIPLINE TE FORTE NE RADHET E SAJ AJO KOMANDOHET NGA GJENERALET ME TE ZOTE DHE ME NJE KULTURE TE VECANTE.DJALI KOSOVAR I PERKET KOSOVES DHE ASNJEHERE SHQIPERISE ,SHQIPETARET KANE FLAMURIN “KUQ E ZI” DHE KOSOVA PARAQITET ME FLAMUR TJETER NE OKB.SHQIPERIA NUK DO MBAJE PERGJEGJESINE E ARID UKES.
    AMERIKA PER POPULLIN SHQIPETAR MBETET “YLLI POLAR” QE DO TREGOJE RUGEN E DEMOKRACISE DHE ESHTE ZEMRA E TYRE.UNE I HEDH TE GJITHA POSHTE DHE NUK I BESOJ QE KA PARE VIDEO TE TILLA PER USHTARET AMERIKANE.ARID UKA AKOMA NUK TREGON TE VERTETEN,AKTI I TIJ ESHTE TERORIST DHE MBETET I TILLE.PAVARESISHT SE DY SHTETET KANE NJE GJUHE POR FLAMURET JANE TE NDRYSHEM.EDHE NJEHERE NGUSHELLOJ USHTERINE AMERIKANE DHE FAMILJET E TYRE.
    MENDIMI I NJE TE HUAJI NGA USA BRIAN CHRISTOPHER BURDISSO!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here