Rritet bilanci i viktimave në tragjedinë e “Norman Atlantic”. Dy marinarë civil shqiptarë kanë gjetur vdekjen këtë mëngjes gjatë rimorkimit të tragetit italian, i cili ndodhet 3 milje larg Vlorës. Sipas Marinës ushtarake italiane, dy pjesëtarët e ekuipazhit të rimorkiatorit “Iliria” u goditën nga kavoja e cila u shkëput nga trageti. Goditja ka qenë fatale, ndërsa grupi mjekësor i anijes të shpëtimit “San Giorgio” konstatoi vdekjen e dy shqiptarëve, P.Jahaj 59 vjeç dhe E.Hilaj 57 vjeç.
Ky incident e çon në 12 numrin e jetëve të humbura në tragjedinë e tragetit italian “Norman Atlantic”, i cili u përfshi nga flakët mëngjesin e së dielës kur ndodhej 12 milje larg Ishullit të Sazanit. 10 viktimat e tjera janë pasagjerë të tragetit fatkeq që nuk arriti ta çojë në fund destinacionin e tij nga Igumenica e Greqisë në drejtim të Ankonës, kur në hambarin e tij shpërthyen flakët për shkaqe ende të papërcaktuara. Nga viktimat e identifikuara tre janë italianë dhe një grek.
Prokurori italian Volpe tha se trageti “Norman Atlantik” do të tërhiqet me rimorkiatorë drejt Brindisit ku dhe do të ankorohet per tiu nenshtruar hetimeve.
Trageti është evakuar plotësisht pas largimit të komandantit, i cili u largua i fundit nga anija, por operacioni vijon në zonën e aksidentin në kërkim të të zhdukurve të mundshëm.
Zyrtarisht deri më tani janë shpëtuar 427 persona të bordit të tragetit, mes tyre edhe shqiptarë, ndërsa një mister shifrash ka përfshirë këtë tragjedi. Mediat e huaja flasin për 41 persona të humbur, ndërsa mes 49 të shpëtuarve të parë që mbërritën në spitalin e Barit, 2 prej tyre janë konfirmuar se janë afganë klandestinë. Kjo ngre hije të forta dyshimi se numri i personave në traget mund të ketë qenë më i madh se sa regjistrimi zyrtar prej 478 vetësh, pasagjerë dhe ekuipazh, çka do të thotë se edhe numri i të humburve mund të jetë më i madh.
Mberrijne ne Vlore trupat e dy marinareve shqipare
Ora 14:30 Kane mberritur ne portin e Vlores dy trupat e pajete te marinareve civile shqipare qe humben jeten ne nje incident gjate rimorkimit te tragetit “Norman Atlantic”. Ata do te cohen ne morgun e spitalit rajonal te Vlores per t’u terhequr me tej nga familjaret e tyre.
Ministria e Mbrojtjes: Marinarët, jo pjesë e forcave tona e të Armatosura e Detare
Në një njoftim zyrtar të Ministrisë shqiptare së Mbrojtjes, saktësohet se dy marinarët janë civilë dhe se nuk janë pjesë e Forcave të Armatosura dhe të forcës sonë detare. Po ashtu, rimorkiatori “Iliria”, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, është privat dhe është kontraktuar nga anija jonë e shpëtimit me të njëjtin emër “Iliria”, e cila është përfshirë në operacionin e shpëtimit.
Nga të dhënat e para mësohet se 2 viktimat kanë qenë në rimorkiator bashkë me tre persona të tjerë, pjesë e ekuipazhit të rimorkiatorit “Iliria” që do të mundësojë ankorimin e tragetit “Norman Atlantik” drejt Vlorës. Janë mediat italiane të cilat shkruajnë se trageti do të tërhiqet drejt qytetit bregdetar të Vlorës.Ata u goditen nga kavoja qe u shkëput nga anija gjatë rimorkimit.
Anija “Iliria” nga momenti i marrjes së sinjalit SOS, qëndronte në gatishmëri në portin e Vlorës, ndërsa iu bashkua operacionit të shpëtimit gjatë ditës së djeshme. Sakaq në brigjet tona u kthye anija “Butrinti”, e cila prej dy ditësh qëndroi në det për të shpëtuar personat në bordin e tragetit të djegur. Butrinti ishte anija që gjeti trupin e pajetë të viktimës së parë të shënuar në këtë tragjedi, 62-vjeçarit grek që ra në det gjatë operacionit të anijeve të shpëtimit për evakuimin e tij nga trageti.
Andoni: Dy marinarët u goditën nga kavoja
Në një lidhje telefonike, shefi i Kapitenerisë së Vlores, Dionis Andoni tha se rimorkimi i një kavoje në tragetin “Norman Atlantik” goditi dy marinarët shqiptarë.
“Trageti “Iliria” me kërkesën e një shoqërie ka shkuar ne ndihmë të tragetit që po digjet “Norman Atlantik” me qëllimin kryesor që të mos zhytej në breg, po të mbante larg brigjeve Shqiptare. Gjatë gjithë natës kanë luftuar më zjarrin për arsye se trageti “Normal Atlantik” ka qenë në flake të plotë dhe kanë dhënë asistencë. Në mëngjes kur po dorëzohej detyra ka ndodhur një aksident, rimorkimi i një kavoje ka goditur dy Marinar. Pas këtij incidenti është bërë thirrje rojës shqiptare dhe italiane. Ato janë marinar të rimorkiatorit “Iliria”, tha Dionis Andoni, shef i kapitenerisë Vlorës.