Një godinë 5-katëshe në hyrje të rrugës për te Vilat Gjermane në kryeqytet është “objektivi” i radhës i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar.
Mengjesin e sotem, policia ka bere devijimin e trafikut, nderkohe qe specialistet jane duke punuar per hapjen e vrimave dhe vendosjen e tritolit per shembjen e tij.
Ditën e djeshme forcat e INUK kanë bërë rrethimin e objektit. Specialistë të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, të shoqëruar nga forcat e Policisë së Komisariatit Nr. 1 kanë vendosur shiritat dhe janë vënë në ruajtje të objektit. Ky aksion i ndërmarrë është kundërshtuar nga pronarët e godinës. Gjatë kohës kur janë zhvilluar matjet ata janë konfrontuar fizikisht me punonjësit ndërtimorë. U desh ndërhyrja e forcave të Policisë që situata e tensionuar e krijuar mes palëve të normalizohej.
PRONARËT
Prishja e objektit 5-katësh, i gjendur në Rrugën e Elbasanit në Tiranë, është kundërshtuar nga pronarët e tij. Sipas tyre, vendimi i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar për shembjen e ndërtesës bie ndesh me dokumentacionin që ata posedojnë. Ata pretendojnë se nuk kanë kryer asnjë veprim të paligjshëm dhe se ndërtesa prej disa muajsh gjendet në proces legalizimi. Situata është tensionuar gjatë orëve të mesditës, kur pronarët janë përplasur fizikisht me punonjësit e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar. Për normalizimin e situatës u desh ndërhyrja forcave të Policisë së Komisariatit Nr. 1. Mësohet se deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme pronarët e objektit 5-katësh kanë qëndruar në ambientet e godinës. Nga ana e specialistëve ndërtimorë është bërë rrethimi i ndërtesës, ndërsa vendosja e lëndës plasëse dhe shembja pritet të bëhet ditën e sotme.
Sipas Inspektoratit Urbanistik Kombëtar, godina 5- katëshe është pa leje. E gjendur në dalje të nënkalimit, në kryqëzimin e Rrugës së Elbasanit me rrugën “Vëllezërit Kondi”, referuar INUK, objekti bëhet pengesë për qarkullimin e automjeteve, duke vënë në rrezik për pasojë edhe jetën e qytetarëve. Specialistët ndërtimor kanë hedhur poshtë pretendimet e pronarëve se objekti është në proces legalizimi. Sipas tyre, kërkesa që ata kanë bërë për pajisjen me certifikatë pronësie nuk është pranuar, pasi trualli në të cilin është ndërtuar është zaptuar në vitin 1996. Ditën e djeshme, specialistët e INUK kanë bërë rrethimin e ndërtesës, ndërsa në aksionin për shembjen e saj do të marrin pjesë ekspertë të Xhenios dhe Ushtrisë. Shembja e kësaj ndërtese me tritol është e dyta në kryeqytet, pas shpërthimit të godinës në afërsi të Ekonomikut, kryer disa muaj më parë.