Home Aktualitet Arrestohet Vladimir Gjuta, i kërkuari për shpërthimin te farmacia e babait të...

Arrestohet Vladimir Gjuta, i kërkuari për shpërthimin te farmacia e babait të Tahirit

578
0
vladimir-gjuta-paruke
Vladimir Gjuta (me paruke) ne ambientet Drejtorise se Policise se Tiranes

Vladimir Gjuta, personi që deri dje ishte në krye të listës së më të kërkuarve nga drejtësia shqiptare, është arrestuar dje gjatë një superoperacioni të forcave speciale RENEA.

I shpallur në kërkim ndërkombëtar që në fund të muajit shkurt, kur kishte dyshime se ai mund të kishte kaluar kufirin shqiptar, Interpol Tirana zbuloi se në fakt ai po lëvizte nëpër Shqipëri.

I kërkuari për shpërthimin te farmacia e babait të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, Vladimir Gjuta, i maskuar me një paruke të zezë, është arrestuar së bashku me një shtetas nga Kosova e një tjetër nga Kukësi. Arrestimi i tij është bërë nga forcat RENEA rreth orës 17:30, kur mjeti me të cilin udhëtonte sapo kishte hyrë në tunelin e Kalimashit.

Gjuta dyshohet se veç shpërthimit në farmaci, vendosi po më 10 shkurt një sasi eksplozivi pranë vendit ku parkonte zakonisht makinën Bashkim Tahiri, pranë një stacioni autobusi, por fatmirësisht nuk shpërtheu. Ndërsa disa javë më parë ai u kthye sërish në vëmendjen e Policisë dhe Prokurorisë, pas një mesazhi kërcënues që i dërgoi në celular ministrit Tahiri.

Mësohet se forcat e Policisë që kanë qenë në ndjekje të Vladimir Gjutës, kanë bërë bllokimin e të dyjave hyrjeve të tunelit të Kalimashit dhe vetëm pasi ai ka hyrë në tunel kanë bërë të mundur edhe arrestimin e tij, duke mos i lënë mundësinë që të arratisej.

Burime nga grupi operacional që kreu arrestimin thanë se 35-vjeçari Gjuta po udhëtonte me një automjet tip “Opel” ngjyrë gri me targa të Kosovës, bashkë me një person tjetër, shtetasin Blerim Thaçi, nga Prizreni.

vladimir-gjuta

OPERACIONI

Ka qenë një informacion i oficerëve të Interpol Tiranës dhe strukturave të tjera të Policisë së Shtetit që ka zbuluar vendndodhjen e Vladimir Gjutës, i cili pasditen e djeshme ishte nisur nga Tirana në drejtim të Kukësit. Burimet thanë se ishin siguruar të dhëna në rrugë operative, se ai do të lëvizte drejt qytetit verior, i shoqëruar edhe nga një person tjetër.

Menjëherë pas këtij informacioni, operacioni për arrestimin e tij u është besuar forcave speciale RENEA, që kishin zënë pozicion në të dy krahët e tunelit të Kalimashit, në mënyrë që të ndërhynin në kohën kur makina ku ndodhej Gjuta të ishte duke lëvizur brenda në tunel. Sapo ai ka hyrë në tunel, forcat operacionale kanë bllokuar hyrjen dhe daljen e tij, duke mos i lënë asnjë mundësi Gjutës që t’i shpëtonte edhe kësaj radhe arrestimit.

Bashkë me të është ndaluar edhe drejtuesi i automjetit, shtetasi kosovar me të cilin po udhëtonte Gjuta. Ai u transportua menjëherë drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës, nën masa të rrepta sigurie, nga forcat speciale RENEA, si dhe shërbime të tjera të Policisë së Shtetit. Gjuta tashmë do të përballet me disa akuza të ngritura ndaj tij, si i dyshuari kryesor për shpërthimin në farmacinë e Bashkim Tahirit dhe kërcënimin me SMS të djalit të tij, ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Vladimir Gjuta ishte një ndër 7 personat që nuk u arrestuan nga Policia, pas zbulimit të grupit që vendosi tritolin në farmacinë e Tahirit. Për disa javë rresht u kontrolluan ambiente, ku dyshohej se ai mund të fshihej, por pa rezultat. Policia mendoi që të kryente arrestimin e tij ditën kur do të lëvizte nga kryeqyteti në drejtim të Kukësit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here