Home Aktualitet Ja skema se si mund të bëhet Fatos Nano President në 2012-ën

Ja skema se si mund të bëhet Fatos Nano President në 2012-ën

581
0

Dëshira presidenciale e Fatos Nanos tashmë është kthyer në objektiv real për të. Një javë më parë ai shprehu në mënyrë të qartë se do të punojë dhe do jetë një nga kandidatët për President i vendit në zgjedhjet e vitit 2012. Ajo që mbetet ende enigmë është rruga që do të ndjekë Nano që të bëhet banor i Pallatit të Brigadave. Rrugët që mund të zgjedhë vetë Nano janë të shumta, por sigurisht ka nga ato të cilat janë më të sigurta. Gazeta boton sot mënyrën se si Nano mund të realizojë dëshirën e tij presidenciale. Ajo nis nga një afrim me Partinë Socialiste duke u arritur paqja e shumë pritur mes tyre. Por dhe si një propozim i mazhorancës, Nano mund të behet politikani numër Një në vend.
Rrugët
Duket se rruga me e natyrshme dhe më e sigurt që Fatos Nano të bëhet President, është ajo rrugë që kalon nga selia rozë, që vetë Nano e ka drejtuar për 15 vjet. Dalja e fundit e tij tregoi se dhe vetë Nano ka kuptuar që të jetë President duhet të jetë mbi palët i baraslarguar dhe për këtë duhet të ketë dhe pëlqimin e opozitës. Një pajtim mes Edi Ramës dhe Fatos Nanos do të bënte që ky i fundit të ishte me shumë mundësi Kreu i Shtetit, pasi mirëkuptimin me Berishën dhe Metën duket se e ka gjetur. Gjithsesi procesi i përzgjedhjes është i gjatë dhe i ndërlikuar. Një pakt i fshehtë ose mes Ramës dhe Nanos do të thotë e sigurt se Nano zgjidhet President. Në të kundërt, nëse PS vendos që të mbështesë dhe një herë Topin për President, situata për Nanon do të ishte shumë e komplikuar pasi Berisha do të ishte në një situatë shumë të sikletshme me të vërtetë. Nëse Topi rikandidon dhe me mbështetjen e PS, atëherë deputetët demokratë do të përfshiheshin nga konfuzioni pasi mes Topit dhe Nanos pa dyshim që do të zgjidhnin të parin për shumë arsye. Nano në fakt me daljen e fundit publike bëri të qartë dhe faktin se me Berishën dhe Metën, tashmë e tutje do të bashkëpunojë me ta vetëm duke përfituar dhe ai nga ana politike. Fakti që ai hoqi dorë nga një diversion i ri në të majtë është e qartë se strategjia e Nanos mund të thuhet se tashmë ka ndryshuar.
Rikthimet e Nanos
Gjatë dhjetë vjetëve të fundit, Fatos Nano largohet nga drejtimi i partisë dhe qeverisë, por ai është rikthyer gjithnjë me të njëjtin model lëvizje: Shprehje publike në media e pakënaqësisë ndaj lidershipit, akuza për kopjim të modelit Berisha në drejtimin e punëve, nisje e një turi në bazën e partisë, grumbullimi i pakënaqësisë në grupin parlamentar dhe strukturat e partisë. Për herë të parë largimin nga PS-ja Fatos Nano e bëri në shtator të vitit 1998, pas trazirave që mbërthyen vendin pas vrasjes së deputetit demokrat Azem Hajdari. Ai u rikthye në drejtimin e partisë pas një viti ku mundi në kongres me rezultat të ngushtë, kryeministrin e atëhershëm Pandeli Majko. Rikthimi tjetër i Nanos bëhet në shtator të 2001, ku ai nisi lëvizjen e famshme “katarsis”, që solli rrëzimin e kryeministrit Meta, rikthimin në krye të qeverisë, por vetëm për disa muaj të Pandeli Majkos dhe më në fund lëvizja u kurorëzua me kthimin e Fatos Nanos si kryeministër.

Nano për krijimin e një partie të re
“Ka kaq shumë amulli në konfliktet e sotme politike, ka kaq pak forma politike të vërteta, saqë çdo ngacmim i mëtejshëm do të ishte i dëmshëm. Çdo ide do të ishte e padobishme për përmirësimin e klimës kur mungojnë zgjidhje të mëdha. Shkurt unë nuk jam as sot, as nesër, për ti bërë dëm forcës politike që më ka rritur dhe e kam ushqyer. Jam këtu për ti kërkuar të gjithëve të uli gjakrat, të pranojnë njëri tjetrin dhe të marrin pjesën më të mirë të eksperiencave politike. nëse aktorët politikë do ta refuzojnë këtë kontribut, atëherë do të flas ndryshe. Një eksperiencë e madhe nuk bëhet dot e vogël, që një gatishmëri për një kontribut të madh nuk mund të zvogëlohet në një tangeciale që sjell më shumë pasiguri në jetën politike. kjo që po bëjmë është një kontakt me të gjithë për ti kujtuar mendjeve të nervozuara të vendimmarrjes së sotme që duhet të qetësohen se janë qelizat e tyre që duhen ringjallur.”

Nano për kandidimin si President
“Ju po thoni që mua më ka rënë ajo pjesa e konservës së elefantit që nuk ka asgjë brenda. Kam thënë që jeta apo karriera ime politike nuk kalon vetëm nëpërmjet zyrave të Partisë Socialiste, dhe kam thënë që un i ndjek me shumë vëmendje, me shumë dashuri dhe me shumë dhimbje, shqetësimet e masës së madhe të socialisteve në gjithë vendin, nëpërmjet kontakteve që nuk i nxë dot asnjë kuti postare. Ju po i përçmoni socialistët sikur nuk dinë të përdorin facebook. Unë s’mund të votoj një parti kazerme, një parti që mashtron zgjedhësit me iluzionin që mund të fitojë dhe e vetme përballë së djathtës së bashkuar, nëse nuk rikrijon të majtën e madhe, përçarja e së cilës që është vepër e kryetarit të radhës, dhe unë nuk e votoj këtë politikë, arrin të mbajë Sali Berishën në pushtet. Këtë mjeshtër që arriti të bashkojë të pabashkueshmen, përballë së cilës e majta është e copëzuar.”

EMRI: Fatos
ATESIA: Thanas
MBIEMRI: Nano
DITELINDJA: 16.09.1952
VENDLINDJA: Tiranë
ARSIMI: Fakulteti i Ekonomisë, specializuar për Ekonomi Politike në Universitetin e Tiranës
GRADA SHKENCORE: Profesor, doktor
GJUHET E HUAJA: Anglisht, frëngjisht, italisht, rusisht,
serbokroatisht
GJENDJA FAMILJARE: I martuar me dy fëmijë
EKSPERIENCA PUNE:
1975-1978, Kombinati Metalurgjik Elbasan
1978-1981, studiues i ekonomisë botërore në Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste
1981-1984, ekonomist në Priskë të Tiranës
1984-1990, studiues i ekonomisë së Lindjes, pedagog në UT
PROBLEME ME DREJTESINE:
30 korrik 1993, pas heqjes së imunitetit arrestohet me akuzën e vjedhjes në favor të të tretëve. Dënohet me 12 vjet burg. Lirohet në 14 mars, pas amnistisë së presidentit Berisha. Bën 1560 ditë burg.
AKTIVITETI POLITIK:
1990, sekretar i përgjithshëm i KM
1991, zv/kryeministër
1991, kryeministër
1991, kryeministër për një mandat të dytë
1991, kryetar i Partisë Socialiste
1997, kryeministër
11 tetor 1999, kryetar i Partisë Socialiste
2002, kryeministër
Deputet në legjislaturat 1991-1992, 1992-1996, 1997-2001, 2005

4 DOREHEQJET E MEDHA
22 MARS 1992
Jep dorëheqjen nga kryeministër pas fitores së Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare.
28 SHTATOR 1998
Jep dorëheqjen si kryeministër pas trazirave të 12-13-14 shtatorit në Tiranë.
20 NENTOR 1999
Jep dorëheqjen nga kryetar i Partisë Socialiste me të njëjtën arsye si dy muaj më parë.
1 SHTATOR 2005
Jep dorëheqjen si kryeministër dhe si kryetar i Partisë Socialiste pas humbjes së zgjedhjeve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here