Home Politike Politika, mass-media dhe rrezikimi i sigurisë kombëtare të Republikës së Shqipërisë

Politika, mass-media dhe rrezikimi i sigurisë kombëtare të Republikës së Shqipërisë

602
0

siguria-kombetareSiguria kombëtare e Republikës së Shqipërisë rrezikohet sot nga veprimet foshnjore e partive politike që grinden për pushtet dhe edhe nga mediat që janë bërë instrument i politikës
-Fushata e diskreditimit të Shërbimit Informativ Shqiptar (SHISH) rrezikon gjithashtu sigurinë kombëtare

Në Republikën e Shqipërisë vërehen dy taborre politike “në dyluftim”. Partitë politike madhore që prej vendosjes së pushtetit të ri, po akuzohen njërën tjetrën se njëra ka dëshirë të “mbledh gjithë pushtetet në një dorë” dhe tjetra se “ka në dorë një shtet paralel”! Grindën me deklarata para kamerave të televizonit, në Parlament, në facebook,,,, Në fakt të dyja forca politike duan të kenë në dorën e tyre pushtetin, për interesa politike të ngushta partiake! Ke përshtypjen, duke vështruar këtë peisazh se po rrahen dy gjela në oborrin e shtëpisë për një pulë e jo se dy parti bashkëjetojnë dhe qeverisin vendin!

Do të thosha, me thënien e famshme të Bulzanit, edhe pse nuk janë forca shtetërore, por partiake se ata janë në “dilemë të sigurisë”, vetëm nga këndvështrimi i hundës së vet. “Dilema e sigurisë” së partive politike shqiptare mund të formulohet në këtë mënyrë: rritja e fuqisë së njërës parti është perceptuar si rrezik ndaj sigurisë së partisë tjetër. Liderët partiakë nuk gjykojnë më larg se duhet të veprojnë për interesat kombëtare të shtetit shqiptar, por nga syzet e tyre të ngushtë të kalit dinë vetëm të sulmojnë palën tjetër.

Debati politik në hapësirën publike të Republikës së Shqipërisë ka tejkaluar një gjendje normaliteti dhe ka dalë në sferat e simptomatologjive të “kancerit” politik të përçarjes, bajraktarizmit dhe grindjeve të çdo lloji që e bën shtetin shqiptar një shtet të dobët nga aspekti teorik i sigurisë. Që të kuptojmë më mirë këtë fakt, do të duhej të analizojmë një nga përcaktimet e shumta të termit “siguri kombëtare”. Kolegji i Mbrojtjes Kombëtare të Indisë e ka përcaktuar këtë term, si më poshtë vijon. “Siguria kombëtare është një përzierje e përshtatshme dhe agresive e elasticitetit politik dhe pjekurisë, burimeve njerëzore, strukturës ekonomike dhe kapacitetit, të aftësive teknologjike, bazës industriale dhe disponueshmërisë e burimeve natyrore dhe në fund të fuqisë ushtarake” . Pikërisht dy elemente u mungojnë partive politike shqiptare për t’u bërë elemente që forcojnë sigurinë kombëtare: elasticiteti politik dhe pjekuria! Për këtë gjë kanë rrezikuar dhe rrezikojnë akoma shumë herë sigurinë kombëtare të shtetit shqiptar, me sjelljet e tyre foshnjore, duke “u rrahur” e grindur në kërkim të pushtetit…
Gjithashtu, në kërkim të senzacionales dhe duke u bërë instrumente në shërbim të politikës, edhe mass media të caktuara po bëhen instrumente të caktuara politike, duke tejkaluar misionin e tyre kryesor: informimi i drejtë i qytetarëve.

Por, më e shqetësueshme është se në këto debate shterrpe përçarëse, partitë politike të ndryshme sulmojnë apo shpërdorin imazhin e institucionit kryesor të sigurisë kombëtare – Shërbimi Informativ Shqiptar (SHISH). Duhet rikujtuar sinjali i alarmit që vet Drejtori i këtij Shërbimi, z. Visho Ajazi Lika e ka hedhur në Komisionin Parlamentar të Sigurisë, kur ka theksuar se: “Sulmet ndaj SHISH rrezikojnë sigurinë kombëtare.” (!)

Mund të përmendim faktin se këto forca politike duan të krijojnë imazhin e përgjithshëm se ky Shërbim është instrument në favorin e një njërës apo tjetrës parti, duke dhënë informata të shtrëmbëruara në publik mbi punën e përditshme të tij kundër veprimtarive që përbëjnë kërcënim ndaj sigurisë së Republikës së Shqipërisë, siç është krimi i organizuar, dukuria e fushatës së tritolit, terrorizmin etj. P.sh, rikujtojmë se si Ministri i Brendshëm “u zgjua nga gjumi” një ditë, në komandë poltike, duke akuzuar se SHISH nuk e ka informuar mbi fushatën e tritolit, por në fakt ai ka harruar se nuk duhej ai drejtpërdrejt të ishte i informuar, por Drejtorinë e Policisë. Gjithashtu mass media të ndryshme zhvillojnë një fushatë diskreditimi të mirëkoordinuar me forcat politike kundër SHISH. Tërbimi i kësaj fushatë dallohet sidomos në faqet e gazetës “SOT” dhe “DITA”, kur edhe për një sukses të veprimtarisë së SHISH – siç është arrestimi i xhihadistëve që dërgonin shqiptarë në Siri, pseudogazetarët e këtij tabloidi po shpifnin, “SHISH jashtë loje”. Misioni i këtyre pseudogazetarëve ështe diskreditimin e Shërbimit Informativ dhe të Drejtorit të tij, me qëllime të dyshimta antikombëtare. Por nuk duhen harruar edhe spekullimet mediatike të tipit të dokumentit që u bë publik nga gazetari Cani në emisionin “Ajsberg” të News 24, për gjoja ekzistencën e aeroplaneve që kryenin trafik droge në aeroportin e Gjardit, në një “letër” të SHISH-it drejtuar Ministres së Mbrojtjes, zonja Mimi Kodheli.
Fakti se ndaj këtyre spekullimeve ka reaguar vet Drejtori i SHISH-it, zoti Ajazi Lika, duke u bërë apel “mediave dhe politikës që, për interesat e ditës, të mos dëmtojnë punën e institucionit dhe interesat e vendit “, dëshmon se ky Shërbim shërben interesat e Shtetit Shqiptar, është mbi interesat e politikës ditore që kanë kërcenuar rëndë sigurinë kombëtare me skandale politike të llojit më të ulët antikombëtar.

Politika nuk është arti i ballafaqimit në luftën për pushtet, por arti i qeverisjes së një vendi, drejt zhvillimit dhe përparimit të përgjithshëm të banorëve të tij. Këtë gjë duhet të rikujtojnë edhe partitë politike, edhe mass-mediat që janë bërë fatkeqësisht instrument i politikës ditore.

Alban Bardhyli
Analist në fushën e sigurisë kombëtare

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here