Edicioni i njëmbëdhjetë i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Butrinti 2000” pasi ka marrë miratimin e mbështetjes maksimale nga Ministria e Kulturës, ka bërë të ditur për gazetën programin në 6 ditë. Festivali mbahet më 17-23 korrik.
Drejtori i tij Alfred Bualoti njofton se trupat pjesëmarrëse janë pak, ndër to dhe trupa shqiptare e Teatrit Kombëtar me “Elektrën”, por premtohet nivel i lartë dhe dramaturgji botërore.
Nata e 17 korrikut hapet me një emër familjar për skenën antike të Butrintit. Është regjisori bullgar Alexander Morfov, i parë dikur me dy prodhime interesante, “Shtrëngatën” e Shekspirit dhe “Don Zhuani” e Molierit.
Morfov shfaqet prapë më një vepër të Shekspirit, prodhim i Teatrit Shtetëror “Vera Komissarzhevskaya” i Shën Pjetërburgut. Me këtë teatër me histori një shekullore, i themeluar nga aktorja Komissarzhevskaya, ai ka prodhuar veprat e mësipërme, ndër to “Ëndrra e një nate vere” me të cilën hapet Festivali i Butrintit.
Organizatorët thonë se publiku ka për të parë “një shfaqje mbi magjinë e dashurisë, e cila paraqitet në imazhe të ndryshme: nga një pasion i pakontrollueshëm që ka një fuqi magjike për të tërhequr meshkujt dhe femrat”. Kjo shfaqje prek pasionin më të bukur dhe më absurd; një pasion për teatrin, i cili shfaqet si e vetmja ëndërr e mundshme, për të larguar të vetmen ndjenjë, për të cilën njeriu nuk mund të shtiret.
Një muaj pas premierës që “Peer Gynt” e Ibsenit pati në Teatrin e Dramës Shqipe të Shkupit, regjisori Slobodan Unkovski e sjell në Butrint. Unkovski kohë pas kohe merr dhe jep me teatrin shqiptar. Ai ka realizuar “Xhaxha Vanja” me aktorë shqiptarë të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, ndërsa për veprën e Ibsenit ftoi nga Tirana aktoren Yllka Mujo. Ky “Peer Gynt” vjen si prodhim i Teatri Shqiptar të Shkupit dhe Teatrit Kombëtar të Kosovës, mbështetur nga “Ibsen Aëard 2009”, Norvegji.
Me rastin e 200-vjetorit të lindjes dhe shpalljes nga UNESCO si “Viti i Shopenit”, nga Krakovi prezantohet natën e tretë “Teatri Nikoli” me “Nata
Shopeniane” e regjisorit Nikolai Veprev.
Programuesit e “Butrinti 2000” e komentojnë “Natën” si “një performancë pantonimike me një koncept personalizues skenik të frymëzuar nga jeta dhe muzika e kompozitorit polak. Shfaqja karakterizohet nga një kostumografi unike dhe skenografi shumëngjyrëshe dhe plot dritë.
Skena e Teatrit të Nikolit shfaq idenë se muzika e Shopenit është akoma dhe do të mbetet një inspirim për shumë artistë modernë.”
Teatri Nikoli është themeluar në Kiev, Ukrainë, më 1990, nga Miko?aj Wiepriew, regjisor dhe aktor rus. Dhe prej vitit 1992 e ka qendrën në Krakov, Poloni.
Edicioni i këtij viti ofron të njëjtët autorë dhe vepra por me koncepte të ndryshme regjisoriale dhe zhanre po aq të ndryshme skenike. Është rasti i shfaqjes së 20 korrikut, ku prezantohet një version muzikor i tragjedisë “Romeo dhe Zhuljeta” i Shekspirit me plot 70 artistë në skenë.
Teatri Kombëtar i Operetës “Ion Dacian” i Bukureshtit në bashkëpunim me Teatrin e Operetës dhe Muzikës së Budapest paraqesin performancën të përshtatur për muzikal nga Gérard Presgurvic, me regji të Miklos Gabor Kerenyi.
Muzikali është vënë në skenë më 2001 dhe shfaqur në shumë skena të Evropës, Amerikës, Azisë. Është muzikali i parë pop-rrok i luajtur nga një Teatër profesionist në Rumani.
Gérard Presgurvic është një emër me karrierë ndërkombëtare. Si kompozitor ai ka shkruar zëra të muzikës franceze si Florent Pagny, Henri Salvador, Mireille Mathieu apo Liane Foly. Ndërsa në kinema ka bashkëpunuar me regjisorë të njohur si Claude Lelouch apo Agnès Varda. Presgurviç ka adaptuar për show muzikor dhe romanin e famshëm “I ikur me erën” të Margaret Mitchell.
Ndërsa regjisori hungarez Gabor Kerenyi ka përvojë në gjininë e komedisë muzikore me tjetër vepër të Shekspirit “Ëndrra e një nate vere”.
Nga Rumania e cila përfaqësohet me Teatrin Kombëtar “Radu Stanca” të Sibiut paraqitet “Elektra” një përshtatje sipas Sofokliut dhe Euripidit nga regjisori Mihai Maniutiu.
Programuesit e festivalit thonë se Elektra rumune dallohet për vizionin origjinal që regjisori Maniutiu i ka dhënë asaj si shfaqje. “Prezenca e grupit të folkut nga Maramures, Iza, midis personazheve të tragjedisë Greke, i jep sharm dhe një prekje dramatike pjesës.
Kombinimi i papritur i tekstit të tragjedisë Greke – themelues i mitit kulturor europian – dhe muzikës folk, e cila luhet live nga grupi Iza, sjell në jetë një mitologji të shkëlqyer dhe krijon një ambjent me një rezonancë arkaike”.
Protagonistë janë aktorët Mariana Mihu dhe Marian Ralea. “Puna jonë – thotë regjisori Maniutiu për procesin e “Elektrës” – është një kombinim midis tragjedisë greke dhe muzikës tradicionale folk të zonës së Maramures.
Ky është një vend i mrekullive, ku unë një herë dëgjova zërin e të vjetrës Eladha, zërin e tragjedisë Greke. Tragjedia helene lidhet me ritmin e formës së muzikës Maramures dhe zërat e këtij vendi dhe ato të botës së Greqisë së Lashtë i flisnin pafundësisht njëri-tjetrit. Unë këmbëngula të krijoja një show të tillë duke shkatërruar ngadalë mendimet arkaike.
Eladha, si Maramures, është një botë ku traditat zbehen. Ky show është një ese e cila dialogon me këto dy vende. Fundi i pjeses gjihtashtu flet për bukurinë e një bote ekzistuese dhe të bukurën e një bote që po zhduket, mbi tragjedinë dhe mbi lindjen e zbehjes.”
Në Gusht 2008, “Elektra” ka marrë 3 çmime në Festivalin Merida ne Spanjë për regjinë më të mirë, dramën dhe interpretimin më të mirë të Mariana Mihu.
Fjala e fundit i është lënë “Elektrës” së Teatrit Kombëtar nga Tirana. Vepra e Sofokliut pati premierë në pranverë 2010. Nën drejtimin e Adonis Filipit interpretojnë në rolet kryesore Luiza Xhuvani dhe Roza Anagnosti, respektivisht Eletra dhe Klitemnestra.
Festivali i Butrintit ka pasur gjithnjë probleme financimi, ndërsa këtë vit organizatorët shprehen deri-diku të kënaqur që Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, jo vetëm që nuk vuri në dyshim mbështetjen, por mbështetja vetëm në rritje ka ardhur: 9.000.000 lekë.