Home Aktualitet Mbërrin trupi i Aleks Nikës, pritet nga familjarë dhe deputetë

Mbërrin trupi i Aleks Nikës, pritet nga familjarë dhe deputetë

517
0

17:30
Trupi i Aleksit çohet në kishën e fshatit Grykë-Manati e më tej vijon për në shtëpinë e prindërve, ku janë hapur dyert për të pritur ngushëllimet.

15:30
Mbërrin në Lezhë kortezhi mortor me trupin e Aleks Nikës, i cili dërgohet në morgun e spitalit të qytetit.

14:35
Trupi i Aleks Nikës futet në makinën e agjencisë funerale. Makina kalon në oborrin para aeroportit ku ndodhen edhe familjarët, qytetarë dhe deputetë. Heshtje në nderim të 36-vjeçarit. Automjeti me trupin e Aleks Nikës i drejtohet Lezhës

14:08
Kanë mbërritur në aeroport qytetarë jo vetëm nga Lezha, por edhe nga qytete të ndryshme të vendit, veri apo jug, për t’i bërë nderimet e fundit trupit të 36-vjeçari Aleks Nika. Babai i dy vajzave dhe vëllai i katër motrave u qëllua me plumb në kokë më 21 janar dhe për 15 ditë ka qenë në gjendje kome.

13:58
Mbërrin në aeroport avioni me trupin e pajetë të 36-vjeçarit Aleks Nika. Të afërmit, dhjetëra qytetarë si dhe deputetë socialistë dhe kreu i PS-së do të zhvillojnë një homazh për viktimën e katërt të 21 janarit. Disa prej deputetëve kanë hyrë në brendësi të pistës së aeroportit ndërkombëtar për të pritur trupin. Të tjerë presin në oborrin e jashtëm, ndërsa pritet përfundimi i procedurave. Trupi i 36-vjeçarit do të dërgohet më pas në qytetin e Lezhës, ndërsa varrimi pritet të ndodhë të hënën në orën 13:00.

13:20
Mbërrin në aeroportin e Rinasit edhe kreu socialist Edi Rama. Ai do të marrë pjesë në homazhet që do të zhvillohen në nder të 36-vjeçarit të vrarë përpara aeroportit. Aleks Nika, baba i dy fëmijëve pritet të mbërrijë në orën 13:30.

13:00
Mbërrijnë në Rinas familjarët e Aleks Nikës, 36-vjeçarit që gjeti dje vdekjen, 15 ditë pasi u qëllua me plumba nga garda e republikës më 21 janar. Pritet që të mbërrijë trupi i tij nga Turqia ku ishte dërguar për kurim që prej datës 29 janar. Në aeroportin e Rinasit kanë mbërritur edhe deputetë socialistë.

Të gjithë njerëzit janë të veshur me të zeza, ndërkohë që në aeroport pritet të mbërrijë edhe kreu socialist Edi Rama.
Të rinjtë e pranishëm mbajnë në duar foton e Aleks Nikës, ndërkohë që motrat e të ndjerit vajtojnë gjatë gjithë kohës në pritje vëllanë e tyre të vetëm.

****
Gjen vdekjen i katërti person që u qëllua nga garda e republikës gjatë demonstratës së 21 janarit. Aleks Nika, banor i fshatit Grykë-Manati të komunës Kolsh të Lezhës ka ndërruar jetë dje në një spital në Turqi ku ndodhej për kurim që prej javës së kaluar.

Të afërm të të ndjerit u shprehën se ai kishte qenë në gjendje shumë të rëndë dhe mjekët nuk kanë mundur t’i bëjnë asnjë ndërhyrje kirurgjikale, për të cilën u transportua në spitalet e Turqisë që nga Spitali Ushtarak i Tiranës. Familjarët e 36-vjeçarit i kanë hapur dyert në mbrëmje për të pritur vizita për mortin, ndërkohë që deri më atëherë pritej një konfirmim i qartë për vdekjen e të afërmit, me shpresën se ai do ta kalonte vdekjen klinike në të cilën ndodhej prej ditësh.

Në orët e mbrëmjes në shtëpi kanë qenë për vizita edhe deputetët e PS-së Gjovalin Kadeli, Gjok Jaku, kreu i PS-së Agustin Marku, si dhe përfaqësues i opozitës së bashkuar Salvator Kacaj.

Të afërm të viktimës bënë të ditur se Aleks Nika, 36 vjeç, ka qenë ndër emigrantët e parë që u larguan nga Shqipëria në vitet ’90. Ai ishte djalë i vetëm me katër motra. Katër vjet më parë ishte kthyer dhe kishte hapur në Lezhë një rrobaqepësi ku punonin motrat e tij. Nika ishte i martuar dhe kishte dy vajza të vogla. Prindërit e tij ishin në moshë pensioni. Mësohet se në Turqi me të ka qenë një kushëri i veti, i cili ka ditur gjuhën e ka mundur të komunikojë me mjekët. Ndërkohë mbrëmë është nisur për në Turqi edhe xhaxhai i vet. Familjarët kanë pritur në banesë njerëzit për ngushëllim.

Vdekja e Nikës konsiderohet e rëndë për familjen e tij edhe për faktin se ai kishte vetëm vajza dhe nuk ka kush t’i trashëgojë mbiemrin. Në ditët e para në Spitalin Ushtarak, të afërmit, edhe nga frika se mjekët nuk do ta mjekonin siç duhet nuk kanë pranuar se ai ishte demonstrues, duke u shprehur se ka qenë një kalimtar i rastit. Ata nuk kanë pranuar kontakte me mediat, madje edhe në familje nuk është lejuar asnjë foto. Pritet që trupi i Aleks Nikës të mbërrijë sot.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here